Teksa sot grekët po i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e ardhshme, dilemat janë shtuar për fatin e vendit, me sondazhet që i japin përparësi forcës së majtë radikale Syriza, e cila është deklaruar kundër masave të ashpra, çka mund të rrezikojë dhe daljen e vendit nga euro. Por, çfarë mund t’i ndodhë Greqisë (dhe euros) nëse Tsipras fiton zgjedhjet? Jaa skenarët, sipas mediave të huaja:
Skenari i parë: Tsipras fiton zgjedhjet dhe formon qeverinë
Në qoftë se partia Syriza fiton zgjedhjet e 25 janarit, sipas sondazheve të fundit mund të marrë 138 vende nga 151 të nevojshme, për një shumicë në Parlament. Në atë pikë, mund të hapen negociatat për formimin e një qeverie të re, mes Syriza dhe grupimit të To Potami, nga e majta, ose me PASOK të Evangelos Venizelos dhe ndoshta me partinë e re të ish-kryeministrit socialist, Jorgos Papandreu.
Nëse kjo alternativë qëndron, atëherë formohet një qeveri e qendrës së majtë, së cilës i duhet deri në fund të shkurtit për të arritur marrëveshje me trojkën për disbursimin përfundimtar (i gjashti) të këstit të fundit të kredive dhe për të gjetur një formë për të hyrë në tregje, një linjë kredie parandaluese, në këmbim të tri masave të kursimit që Samaras ka refuzuar të nënshkruajë: rritja e moshës së pensionit, të rritet TVSH-ja në turizëm, fleksibilitet më të madh në shkurtime kolektive në punë. Kjo negociatë premton të jetë shumë e vështirë.
Kreu Tsipras ka ndër mend të lëvizë në drejtim të kundërt, duke i qëndruar asaj që ka deklaruar shumë herë:rritja e pagave minimale dhe pensioneve, bllokimi i privatizimeve dhe i pushimeve nga puna në sektorin publik. Tsipras, megjithatë, ka deklaruar se nuk do ta vërë në dyshim anëtarësimin e Greqisë në Eurozonë, ndërsa hipoteza e një ristrukturimi të 70% të borxhit, vështirë se do të ishte e realizueshme. Qëndrimi i Syriza joformalisht ka lënë të kuptohet se do të vendoset për një rinovim “të butë”, për shtyrjen e afatit të pagesave të interesit mbi borxhin prej 9 miliardë eurosh në vit.
Përballë këtij skenari, ka shumë mundësi që interesat për bonot qeveritare greke do të rriten.
Skenari i dytë: Tsipras fiton, por nuk arrin të formojë një qeveri
Skenari i dytë parashikon gjithmonë një fitore për Syriza-n, por që nuk arrin të formojë një qeveri pjesërisht për shkak të mungesës së përvojës në pushtet. Pra, nuk mund të ketë as ristrukturimin e 70% të borxhit publik grek e as shtyrje afati për pagesat e interesit mbi borxhin. Situata politike është e “ngrirë”, Parlamenti ende duhet të zgjedhë kreun e shtetit, para ndarjes për të shkuar në zgjedhje të parakohshme brenda një muaji, siç ndodhi në vitin 2012. Euro dobësohet dhe Athina përsëri do të jetë në kaos, në pritje të rezultatit të votimit.