Çfarë mund t’u mësojë kompanive trajneri më i ri i Super Bowl

04/02/2019 4:13 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Tre vjet më parë Los Angeles Rams ishin ndër skuadrat me rezultatet më të dobëta në kampionatin e futbollit amerikan (me një performancë 4 ndeshje të fituara dhe 12 të humbura).

Një vit më pas, rezultaten u përmbysën (11 me 5). Këtë vit, sezoni ishte si në një ëndërr të bukur, Los Angeles Rams luajtën në finalen e Super Bowl përballë New England Patriots.

New England Patriots, megjithatë, e fituan Super Bowl falë përvojës dhe dominimit të ndeshjes në mbrojtje, këtë e dëshmon rezultati final 13 – 3 – por modeli i Rams, ka shumë për t’ju mësuar në biznes dhe menaxhim. Përmbysja nuk erdhi me revolucionarizimin e skuadrës apo investime të mëdha në të, por falë zgjedhjes së trajnerit Sean McVay, i cili e mori drejtimin e saj kur ishte vetëm 30 vjeç (sot është 33). McVay është manjak i kulturës së skuadrës.

Për të “kultura përcakton pritshmëritë dhe bindjen, të cilat përcaktojnë sjelljet. Këto të fundit, nga ana e tyre, përcaktojnë zakonet dhe krijojnë të ardhmen” – thekson Robert Burns, këshilltar biznesi, i cili në një postim në LinkedIn përcakton 10 pikat e veprimit të McVay që kanë vlerë edhe për kompanitë dhe menaxhimin.

1.Dëgjoni dhe mësoni

Gjëja e parë që bëri trajneri 30-vjeçar kur mori në drejtim skuadrën e Rams ishte dëgjimi. Në tre muajt e parë, para se të niste sezoni, ai foli me të gjithë lojtarët dhe anëtarët e stafit teknik, duke mësuar dhe duke njohur pikat e tyre të forta (dhe të dobëta). Në një javë, kujton një nga zëvendëstrajnerët, ai dinte emrin e secilit prej tyre, kurse unë as nuk i njihja të gjithë trajnerët. McVay ka theksuar se sa i rëndësishëm është imponimi i pranisë suaj “duke dëgjuar dhe më pas duke mësuar, dhe kur të vijë momenti i duhur, të jepni kontributin tuaj”. Me fjalë të tjera “listen, learn, lead”.

2.Bëhuni ekspertë

Besueshmëria fitohet në fushë, falë aftësive tuaja. “Ai është një ekspert i madh në futboll, mbi të gjitha i strategjive të sulmit” – thotë Wade Philips, trajner i koordinimit të mbrojtjes, 39 vjeç. Chris Cooley, tight end (pozicion te futbolli amerikan) te Washington Redskins, ku McVay ishte trajner në moshën 24-vjeçare, kujton se si ai ia pati shpjeguar strategjitë e lojës deri në detajet më të vogla, deri te numri dhe drejtimi i hapave që do të duhet të bënte. Dhe rezultatet nuk vonuan.

3.Jini të kuptueshëm

Që në fillim, McVay diti të jetë i kuptueshëm me të gjithë, me një aftësi të madhe në komunikim. “Ishte e mrekullueshme mënyra se si komunikonte, se si i bënte të thjeshta edhe gjërat më të ndërlikuara. “Avokat” i lojës sulmuese, ai arriti të gjejë gjuhën edhe me ekipin e mbrojtjes.

4.Përqendrohuni te procesi

Duke nisur nga njerëzit dhe cilësitë e tyre, ai ndërtoi një kulturë ku të gjithë kanë besim – ju nuk duhet t’u kërkoni njerëzve të keni besim te ju, por te procesi. McVay diti të identifikojë vlerat dhe parimet bazë që drejtojnë strategjitë çdo ditë, që mbeten të vlefshme si në fitore edhe në humbje – procesi është i gjatë, njerëzit mund të ndryshojnë.

5.Komunikoni në mënyrë koherente

Parimet përkthehen në mantra të qarta dhe koherente dhe mbeten të vlefshme në çfarëdolloj situate. “Ne, jo unë”; “Procese të mbështetura në objektiva ambiciozë me progres të përditshëm”; “Komunikim i ndershëm dhe i hapur” – janë disa nga sloganet që McVay ka ndarë me skuadrën që në fillim. Dhe këto, ai ua përsërit ende sot djemve të tij.

6.Rregulla të rrepta

Që në fillim, McVay përcaktoi rregulla të rrepta, duke nisur që nga stërvitjet më të vështira në rast se ekipi fitonte (ndryshe nga sa ndodhte më parë). Por, vetëm pak kohë më pas, bëri disa lëshime, si për shembull një ditë pushim.

7.Kujdes nga veprimi

Zhvendosja e vëmendjes te procesi do të thotë t’i japësh vlerë veprimit, ekipit dhe jo një individi të vetëm. Lojtari di se si të lëvizë, sepse ai lëviz brenda një tërësie të organizuar, pa favorizime, apo pa privilegje. Nuk duhet të harrojmë se individët janë së pari qenie njerëzore, në marrëdhënie me të tjera qenie njerëzore.

8.Përulësia në bashkëpunim

“Nuk pretendoj të kem përgjigje për gjithçka” – pohoi në një intervistë McVay pak kohë më parë. Kur të gjithë janë në linjë me të njëjtët objektivë dhe vlera, duke bashkëpunuar, “nuk kam aspak frikë që t’u kërkoj të tjerëve të më kuptojnë më mirë për të gjetur së bashku zgjidhjet e përshtatshme”. Edhe trajneri duhet të jetë i përulur dhe të pranojë se ka nevojë për të tjerët, për gjithë të tjerët.

9.Kultura, ditë pas dite

Kultura e re nuk duhet të imponohet brenda ditës, nuk do të kuptohej. Duke nisur nga dëgjimi dhe nga vullneti për të mësuar dhe për të njohur lojtarët, trajnerët e Rams sollën vlerat dhe mentalitetin fitues të kulturës ditë pas dite.

10. Hidhini hapat me radhë

Ashtu si kultura e punës nuk mund të imponohet menjëherë, edhe objektivat e mëdha nisin nga hapa të vegjël, nga progresi ditë pas dite. “Të gjithë duan ta fitojnë Super Bowl! Por cilat janë fazat dhe objektivat e përditshëm dhe të ndërmjetëm që do të na japin mundësinë për të fituar?”.

Kësaj here McVay ishte vetëm një hap larg objektivit, por mund të vini bast, që me këtë mentalitet fitues, nga dhomat e zhveshjes te stërvitjet në fushë, herës tjetër, do t’ia arrijë qëllimit. Dhe nuk do t’i duhet shumë kohë.

*Pierangelo Soldavini
Burimi: Il Sole 24 Ore

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of