- Smarkets, një startup bastesh me seli në Londër, u jep mundësinë punonjësve të zgjedhin se sa dëshirojnë të paguhen
- Sistemi funksionon nëpërmjet pëlqimit të të gjithëve dhe informacionet për pagën e çdo punëmarrësi publikohen në një sistem të brendshëm të kompanisë
- Në këtë proces ka mendime pro dhe kundër, por ai funksionon – shprehet CEO i Smarkets, Jason Trost
“Nuk është kaq e bukur sa duket”, thotë Jason Trost, CEO i kompanisë së basteve Smarkets me seli në Londër, kur u pyet për politikën e pazakontë të kompanisë së tij, që t’i lërë punonjësit të zgjedhin vetë se sa dëshirojnë të paguhen. “Është një proces i çmendur, por funksionon” , shprehet Tros.
Ideja buron në pjesën më të madhe nga ajo që Trots e përshkruan si një kërkesë për më shumë transparencë në kompani. Modeli që punonjësit të zgjidhnin vetë pagën e tyre u prezantua tre vjet më parë.
“Mendoj që kjo është mënyra më e mirë. Ajo u jep njerëzve ndjesinë e duhur për të pasur më shumë kontroll në punë, më shumë kontroll në vendin e punës” – thotë CEO i kompanisë së basteve.
Pagat e punonjësve te Smarkets nuk janë rezultat i bisedimeve me drejtuesit. Çdokush zgjedh se sa dëshiron të paguhet, kështu që kolegët votojnë nëse mendojnë se kjo është e drejtë. Paga e çdo punonjësi publikohet në një sistem të brendshëm të kompanisë dhe dërgohet për rinegocim dy herë në vit (në fillim, pagat e punonjësve te Smarkets rishikoheshin çdo muaj, por Trost pohoi se procesi ishte “destabilizues”.
Nëse kërkoni një shumë më të madhe se ajo e kolegëve tuaj, dëshira juaj mund të mos miratohet. “Njerëzit analizojnë atë që kërkohet brenda një lloj gjykate të korporatës” – thotë Trost. “Disa do të mendojnë se është e drejtë, të tjerë do të thonë se është shumë e lartë, e disa shumë e ulët, zakonisht thonë që është tepër e lartë dhe më pas marrin reagime negative dhe pozitive”.
Megjithëse punonjësit nuk mund të vënë veton mbi pagën e dikujt tjetër, ata mund të përpiqen ta bëjnë këtë. Sistemi funksionon në pjesën më të madhe mbi pëlqimin social: nëse vihet në diskutim paga e një kolegu, ju duhet të përballeni drejtpërdrejt me të.
Angeline Mulet-Marquis, një inxhinier francez i cili ka punuar për katër vjet në kompaninë britanike Smarkets, pohoi që procesi ka nxitur diskutime të nxehta mes punonjësve. Por në fund – shtoi ai – modeli krijoi një mjedis më të shëndetshëm.
“Paga publike e bën gjithçka më të shëndetshme” – tha Angeline Mulet-Marquis, duke nënvizuar “faktin se të gjithë paguhen dhe se nuk ka shumë pabarazi në mënyrën se si paguhen personat”.
Por ky sistem ka edhe dizavantazhe. Në fillim të përfshirjes së këtij procesi, një punonjës, i pakënaqur me projektin që i ishte caktuar, dyfishoi pagën në shenjë proteste – tha Trost. Por në fund, ai u kënaq me rreth 40.000 dollarë më pak. CEO i Smarkets e përshkroi këtë incident si “të bezdisshëm dhe humbje kohe”.
Megjithatë, “mundësia që të zgjedhësh pagën tënde” krijon më shumë fleksibilitet.
“Kjo i bën njerëzit më të ndjeshëm” – tha Trost. “Nëse dikush ka nevojë të blejë një shtëpi dhe kërkon disa mijëra dollarë më shumë … nëse mund t’ia japë, është diçka vërtet e bukur.
Trost tha se beson që sistemi është i dobishëm për njerëzit që mund të jenë të zotët në punën e tyre, por nuk janë negociues të mirë. Ndër të tjera, zvogëlon kuriozitetin për të futur hundët duke mbjellë edhe mosmarrëveshje në zyrë” – shprehet CEO i kompanisë britanike.
“Është shumë më e vështirë të nxisësh turmën, kur dihet se sa paguhen të gjithë”.
Por konsolidimi i procesit nuk ka qenë i thjeshtë.
“Është vërtet e frikshme të jesh kaq transparent – është e frikshme për të gjithë” – tha Trost. “Njerëzit nuk duan ta dinë se sa paguhen kolegët e tyre pasi nuk duan ta dinë nëse fitojnë më shumë se sa ata. Drejtuesit nuk e dëshirojnë këtë gjë, pasi ndiejnë se do të humbin kontrollin. A është kjo e ardhmja e negocimit të pagave? Trost mendon se mund të jetë kështu”.
“Është e rëndësishme për njerëzimin të vijojë të përmirësojë këto sisteme sociale” – tha CEO i Smarkets. “Nuk po e bëj vetëm se mendoj që kjo gjë është një ide e mirë – dëshiroj që Smarkets të jetë një kompani shembull”.
Pyetjes nëse do t’ua rekomandonte këtë model kompanive të tjera, Trost iu përgjigj se gjithçka varet nga shoqëria. Për startup-et me të vogla ky, ky model mund të funksiononte, ndërsa mund të jetë më e vështirë për kompanitë më të mëdha dhe të konsoliduara.
“Nëse drejtuesit kanë kurajën të përballen me ulje-ngritje, mund t’ia vlejë mundimi” – thotë Trost. “Por mund të ketë ndërlikime”.
*Zoë Bernard
Burimi: Business Insider