Çfarë (nuk) fitojnë arkat shqiptare nga e-commerce ndërkombëtar…

20/01/2018 10:02 PM 3 komente

Edhe pse e-commerce mund të jetë e ardhmja e tregtisë, nëse legjislacioni aktual lokal dhe ndërkombëtar nuk ndryshon, ky lloj biznesi do të vazhdojë t’u sjellë fitime maksimale kompanive dhe shteteve ku ndodhen këto kompani, ndërkohë që shtetet e tjera si Shqipëria do të vazhdojnë të shohin paratë që dalin nga territori i tyre të “pastra nga tatimet”.

 

Nga Edland Graci, LLM*

 

Dekadat e fundit karakterizohen nga rritja drastike e përdorimit të mjeteve elektronike dhe së fundmi të internetit, jo vetëm për qëllime komunikimi e argëtimi, por edhe për qëllime biznesi.
E-commerce është shndërruar në një nga mënyrat më bashkëkohore të të bërit biznes nëpërmjet internetit. Për ta përshkruar në mënyrë të përmbledhur, e-commerce konsiston në veprimtarinë tregtare në rrugë elektronike, më konkretisht në shitjen e produkteve dhe shërbimeve në distancë nëpërmjet platformave online (faqeve web).

Disa nga platformat ndërkombëtare më të njohura të tregtisë online janë Amazon, eBay, Uber, Airbnb, Alibaba, etj. Është e vërtetë që këto platforma na e thjeshtëzojnë jetën, na japin komoditet, na harxhojnë më pak kohë dhe, për më tepër, na kursejnë para në krahasim me tregtinë konvencionale.
Arsyet kryesore, përse këto platforma ofrojnë shërbime dhe produkte më të lira se sa bizneset e tjera janë:
-Nivel i ulët i investimit fillestar;
-Struktura të thjeshta operative (nuk ka nevojë për shumë punonjës, as për asete komplekse, madje në të shumtën e rasteve nuk ka nevojë as për një zyrë, sepse i gjithë aktiviteti kryhet online);
-Struktura komplekse fiskale.

Problematikat që sjell për arkat shqiptare

Edhe pse bota e e-commerce është tepër interesante dhe krijon shumë tema debati, në këtë shkrim do të përqendrohem në problematikat që ajo sjell për arkat shqiptare.
Siç e përmenda më sipër, këto forma të reja të të bërit biznes nuk kanë nevojë as edhe për një zyrë të vogël për të fituar miliona euro dhe për të pasur mijëra klientë në shtete të ndryshme në të njëjtën kohë. Kjo e bën shumë të vështirë tatimin e këtyre kompanive në një shtet të caktuar, pasi ato janë të regjistruara në shtete të tjera (pothuajse gjithnjë në zona me nivele të ulëta tatimi) dhe i faturojnë klientit shërbimin direkt nga këto shtete. Të vetmin aset që mund të ketë firma në shtetin ku kryen aktivitet është një domain (p.sh. faqe.com) i cili, në bazë të normave ndërkombëtare, nuk përbën një vend fiks biznesi dhe për rrjedhojë, as seli të përhershme (permanent establishment) për të lejuar shtetin të tatojë këtë kompani. Në rastin shqiptar, përgjithësisht, as domain-et nuk janë të regjistruara në territorin tonë.

Shembujt

Shembujt janë të shumtë, megjithatë dua të sjell në vëmendje këto dy raste:
Amazon është një grup multinacional që shërben si treg virtual (market place) me qendër në Uashington dhe që ka regjistruar mbi 4.000 miliardë dollarë në vitin 2016, nga këto 21,6 miliardë dollarë (sipas burimeve të “The Guardian”) i përkasin të ardhurave në Europë.
Megjithëse kjo firmë është e pranishme (virtualisht) në të gjithë Europën, çdo blerje e kryer nga ky rajon faturohet nga një firmë (Amazon EU Sarl), në Luksemburg. Vendndodhja nuk është çudi. Luksemburgu është një nga vendet europiane me barrën fiskale më të ulët. Për shkak të kësaj mënyrë të të bërit biznes në distancë, nëpërmjet internetit, kjo firmë arrin të tatohet shumë pak në vendet ku kryen biznes dhe pjesa dërrmuese e të ardhurave shkon në Luksemburg, ku nëpërmjet strukturave komplekse arrin një nivel tatimi prej vetëm 7%. Në Britani mendohet se firma paguan tatime deri në 11 herë më pak se sa libraritë londineze.

Në Shqipëri hyjnë e dalin nga tregu pa u tatuar

Në Shqipëri, kjo firmë dhe firma të tjera të ngjashme, e kanë tepër të thjeshtë të hyjnë e të dalin nga tregu lokal pa u tatuar. Sipas të dhënave që gjenden në faqen web, firma faturon klientët shqiptarë direkt nga SHBA.

Rasti i Airbnb

Airbnb është një nga kompanitë multinacionale me rritjen më të shpejtë, e cila është ndërmjetëse për dhënien e shtëpive me qira. Edhe kjo kompani, edhe pse amerikane, shërbimet në Europë i ofron nga faqja web dhe kompania e regjistruar në Irlandë, sepse ky shtet ofron një sërë avantazhesh fiskale. Një nga qytetet ku më shumë përdoret Airbnb është Barcelona (e gjashta në botë me mbi 5 milionë vizitorë). Megjithëse impakti ekonomik në këtë qytet llogaritet në 750 milionë euro në vitin 2015 (sipas burimeve të Abc.es), kompania paguan vetëm 81.285 euro tatime në Spanjë. Fitimi shkon në Irlandë, ku tatimi mbi fitimin është rreth 12,5%.

Edhe në Shqipëri, përdorimi i Airbnb është kthyer në modë, kryesisht gjatë sezonit turistik. Sipas mediave shqiptare, në vendin tonë janë të regjistruara rreth 2800 struktura akomoduese në Airbnb. Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, duke marrë si çmim mesatar 20 euro/nata, firma mund të gjenerojë 20.440.000 euro me një kapacitet 100%. Nga këto, rreth 12% (komisioni që merr Airbnb), pra 2.452.800 euro shkojnë në arkat e Airbnb në Irlandë.

Shteti shqiptar nuk fiton asnjë qindarkë!

Pra, nga e gjithë çfarë thamë, çfarë fitojnë arkat e shtetit shqiptar nga platformat e tregtisë online?
Asnjë qindarkë! Madje, jo vetëm që kompanitë si Airbnb nuk mund të tatohen në Shqipëri, pasi nuk konsiderohet rezident fiskal në territorin tonë dhe as nuk konsiderohen të kenë një seli të përhershme (permanent establishment), por në rastin e Airbnb, as 88 përqindëshi i mbetur nuk është tatuar deri më tani në Shqipëri, pasi të ardhurat që marrin individët si pritës (hosting) në Airbnb nuk deklarohen.

Kjo situatë, që nuk është specifike vetëm për Shqipërinë, ka vënë në lëvizje administratat tatimore, kryesisht të vendeve perëndimore, të cilat kanë marrë masa të ndryshme për t’ju përshtatur formave të reja të të bërit biznes dhe për të arritur të vjelin nga taksapaguesit atë që do t’u takonte.

Zgjidhjet

Administratat tatimore kanë vepruar në dy drejtime: 1) gjetjen e mënyrave për të tatuar të ardhurat e firmave që veprojnë online dhe 2) obligimin e personave që përdorin këto platforma për të deklaruar të ardhurat.
Një nga mënyrat e propozuara për të tatuar të ardhurat e firmave që veprojnë online është krijimi i një figure fiskale të quajtur e-permanent establishment. Kjo qasje e propozuar nga OECD ende nuk është mbështetur nga shumë juridiksione, megjithatë janë marrë hapa konkretë nëpërmjet aksioneve të ashtuquajtura “Aksione BEPS” (për të shmangur evazionin fiskal dhe zhvendosjen e fitimit). Tashmë flitet gjerësisht në qarqet profesionale se këto struktura nuk do ta kenë më aq të lehtë të operojnë në territore të caktuara, pa paguar asnjë qindarkë, madje në shtete të caktuara si Italia (rasti Amazon), Spanja (rasti Dell), etj., kjo mënyrë e të bërit biznes u kundërshtua nga autoritetet tatimore.

Nga ana tjetër, edhe personat që përfitojnë nga këto platforma të reja, duke ofruar produktet dhe shërbimet nëpërmjet tyre dhe duke mos paguar tatimet, duhet të shqetësohen. Së fundmi, autoritetet tatimore të vendeve europiane po detyrojnë platformat si Airbnb të deklarojnë çdo tregtar/person që i përdor ato. Si rrjedhojë, Airbnb ka ndryshuar politikën e saj (shih terms and conditions) dhe i bën me dije çdo përdoruesi se të dhënat e tij do t’i kalojnë çdo autoriteti fiskal të vendit ku ata janë, në mënyrë që autoriteti t’i tatojë këta të fundit.

Edhe Drejtoria e Tatimeve Shqiptare ka deklaruar në nëntor të 2017 se do të kontrollojë këto platforma, në mënyrë që të tatojë personat që japin me qira shtëpitë. Megjithatë nuk ka asnjë deklaratë nëse u ka kërkuar këtyre platformave që të deklarojë përdoruesit e tyre në Shqipëri.
Si përfundim, mund të themi që edhe pse e-commerce mund të jetë e ardhmja e tregtisë, nëse legjislacioni aktual lokal dhe ndërkombëtar nuk ndryshon, ky lloj biznesi do të vazhdojë t’u sjellë fitime maksimale kompanive dhe shteteve ku ndodhen këto kompani, ndërkohë që shtetet e tjera si Shqipëria do të vazhdojnë të shohin paratë që dalin nga territori i tyre të “pastra nga tatimet”.

*International Tax/Transfer Pricing Consultant

Tatimet

Administratat tatimore kanë vepruar në dy drejtime: 1) gjetjen e mënyrave për të tatuar të ardhurat e firmave që veprojnë online dhe 2) obligimin e personave që përdorin këto platforma për të deklaruar të ardhurat.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

3 Komente në "Çfarë (nuk) fitojnë arkat shqiptare nga e-commerce ndërkombëtar…"

Notify of
avatar
Sort by:   newest | oldest | most voted
Anonymous
Guest

Artikull intetesant.

Anonymous
Guest

Nuk eshte e vertet qe nuk paguhet asgje pasi per cdo blerje qe vjen nga kashte me vlere mbi 20€ paguhet afersisht 23.5% e vleres ne forme cdoganimi per pakon e sjelle nderkohe brenda BE kjo tarife eshte 0!
Me teper se kaq cf duhet te paguhet ne nje vemd si ky i yni!?

Anonim 2
Guest

Nuk flitet per ate qe paguan konsumatori por per ate qe paguan tregtari…

wpDiscuz