Çfarë pritet të sjellë Edicioni i 3-të i “Panairit të Turizmit Ndërkombëtar Tirana 2019”?
Expocity Albania sjell Edicionin e 3-të të “Panairit të Turizmit Ndërkombëtar Tirana 2019”, që do të organizohet në datat 5-6 Prill 2019, në ambientet e Expocity Albania. Këtë vit, ky organizim do të ketë edhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, si dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Në dy edicionet e mëparshme, Panairi i Turizmit vendosi themelet e organizimit më të rëndësishëm rajonal për sektorin, si dhe funksionoi si një ekosistem për bashkëpunim të aktorëve kryesorë të tregut, vendas dhe jo vetëm. Këtë vit, panairi do të shndërrohet në një hapësirë ndërkombëtare.
Ky panair do të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të turizmit rajonal, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe promovimit të destinacioneve turistike shqiptare dhe rajonale.
Pjesëmarrësit nga vende të ndryshme si: Shqipëria, Greqia, Turqia, Italia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kroacia, Franca, Gjermania, Zvicra, por edhe përfaqësues nga vende aziatike si India, Kina, Pakistani, Filipinet etj., do të shfaqin potencialin dhe resurset e tyre turistike në kategori të ndryshme të kësaj industrie si: Destinacionet, Akomodimi (hotele/ vila/ resorte), Agjencitë, Turizmi Detar, Turizmi Malor, Gastronomia etj.
Ky edicion, duke u mbështetur nga përvoja e dy viteve të mëparshme, do të fokusohet tek inkurajimi i bashkëpunimit dhe promovimit të destinacioneve turistike nëpërmjet tregtisë, konferencave dhe takimeve B2B. Turizmi shqiptar, me gjithë destinacionet që ofron, qëndron si kryefjalë e rëndësishme e këtij organizimi, promovimi i të cilit do të vijë nga stenda të shumta të pjesëmarrësve në edicionin e tretë.
Diskutimi rreth problematikave që ka aktualisht vendi, por edhe potencialit të patjetërsueshëm në një vend ku shtrirja gjeografike i ka dhënë përparësi ndaj shumë shteteve të tjera, por edhe shndërrimit të turizmit 365 ditë, do të vijojnë të jenë temat kryesore të trajtuara. Bashkëpunimi rajonal në shndërrimin e një produkti të vetëm në sytë e të huajve është një ndër pikat kyç, që do ta shndërrojë këtë vit Panairin, në një pikë ndërlidhjeje ndërkombëtare.
Risia e edicionit të tretë është se gjatë panairit do të zhvillohet një event B2B, ku mund të takoheni me më shumë se 100 turoperatorë ndërkombëtarë. Kjo do të jetë një mundësi e madhe për pjesëmarrësit, të cilët duan të zgjerojnë biznesin e tyre. Vendet e Ballkanit po shndërrohen në destinacione tërheqëse në sektorin e turizmit dhe kjo mund të jetë një mundësi e madhe për të promovuar dhe për të shitur destinacionet dhe shërbimet tona. Si “Hosted Buyers” (operatorët e huaj) edhe shitësit bashkë me ekspozuesit mund të prenotojnë takime në platformën B2B në internet. Do të keni mundësinë që të zgjidhni njëri-tjetrin para se të fillojë eventi. Në këtë mënyrë, operatorët e huaj dhe shitësit me ekspozuesit do të kenë mundësinë që të zgjedhin kompanitë që përshtaten më mirë.
Çfarë tematikash do të përcillen si pjesë e konferencave dhe workshop-eve?
Temat dhe workshop-et që do të mbahen në këtë panair janë të shumëllojshme, ndër to vlen të theksohen:
- Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në zonat e mbrojtura, nga promovimi i sistemit të ZM deri në krijimin e destinacionit turistik
- Pikëpamje të përgjithshme mbi natyrën e turizmit në Zonat e Mbrojtura si; turizmi i peizazhit, birdwatching, hiking, walking dhe traditat, trashëgimet kulturore, ushqime bio etj.
- “Media e udhëtimit, përditësimet e sfondit. Ndërthurja e së Vërtetës, Besimit dhe Teknologjisë” – prezantuar nga disa eksponentë të njohur të shtypit të Finlandës mbi Turizmin dhe destinacionet e reja.
- Cilësia e shërbimit të Turizmit në Shqipëri dhe sfidat drejt së ardhmes.
Pse duhet vizituar Panairi i Turizmit Ndërkombëtar Tirana 2019?
- Gjeni dhe takohuni me produkte të reja turistike, me destinacion Shqipërinë dhe destinacionet më të preferuara të shqiptarëve.
- Zbuloni tendencat e turizmit dhe inovacionet teknologjike për një shërbim turistik sa më të kualifikuar.
- Më shumë se 7000 vizitorë të kualifikuar nga Shqipëria dhe vendet kufitare.
- Do të gjeni të pranishëm të gjitha segmentet e industrisë së turizmit shqiptar në një hapësirë të vetme dhe të dedikuar.
- Përvetësohen dhe krijohen ide inovatore për zhvillimin e sektorit të turizmit.
- Gjatë ditëve të panairit do të ketë aktivitete formuese, Forume & Workshope, Ekspozita të dedikuara, Aktivitete interaktive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.