Çfarë pritet të sjellë edicioni i dytë i Agrotech Expo & Forum 2019
Të gjithë aktorët e sektorit të bujqësisë nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit do të kenë mundësi reale të promovojnë gamën e gjerë të produkteve të tyre, si dhe të vendosin ura të reja e më solide bashkëpunimi. Kjo mundësi do të ofrohet nga Panairi dhe Konferenca Ndërkombëtare e Agrobiznesit dhe Agroteknikës “Agrotech Expo & Forum 2019”.
Edicioni i dytë i organizuar nga Expocity Albania, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, do të mbahet në datat 15-16 mars 2019. Në vijim të përvojës së edicionit të parë, Agrotech Expo & Forum 2019 do të krijojë të gjitha kushtet optimale për kryerjen me sukses të komunikimit si nëpërmjet ekspozimeve, ashtu edhe të takimeve të biznesit, me qëllim prezantimin e kompanisë, produkteve dhe shërbimeve, krijimin e partneriteteve, si dhe të marrjes së informacionit të përditësuar, me të rejat më të fundit nga teknologjia apo dhe zhvillimet e politikave.
Në ditën e dytë të panairit, në datë 16 mars, do të zhvillohet konferenca “Global G.A.P Stop Tour”, e cila sjell për herë të parë në Shqipëri, liderin e certifikimeve botërore. Ekspertë të Global G.A.P do të ndajnë për përfaqësuesit e agrobiznesit diskutime mbi rëndësinë e inovacionit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të të gjitha hallkave të sektorit, përshtatjen dhe standardizimin, për një zgjidhje të përshtatshme për sigurinë e fermave apo prodhimeve bujqësore.
Çfarë u ofron Agrotech 2019 bizneseve shqiptare?
Agrotech Expo & Forum 2019, falë vëmendjes ndërkombëtare, nëpërmjet aktiviteteve të organizuara, forumit dhe workshop-eve do t’u ofrojë sipërmarrësve shqiptarë dhe të rajonit të Ballkanit mundësi njohjeje dhe arritjeje të tregjeve të reja, shkëmbime dhe ndarje të përvojave, kontakte të vlefshme, informacione dhe pse jo, edhe momente reflektimi për ridimensionimin e biznesit në nivele më të larta.
Bujqësia mbetet një nga sektorët me potencialin më të madh të zhvillimit në Shqipëri. Bujqësia është burimi kryesor i punësimit dhe të të ardhurave, veçanërisht në zonat rurale të vendit. Ky sektor siguron rreth 20% të PBB-së dhe 38,2% të punësimit total. Gjatë viteve të fundit, sektori i bujqësisë ka pasur rritje të qëndrueshme dhe ka dhënë një kontribut në rritje në PBB. Kërkesa në rritje për ushqim të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të prodhuar në mënyrë organike rrit nevojën për përshtatje me teknologjitë më të fundit, zgjidhje më eficiente për transformimin e biznesit bujqësor, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe përmbushjen e të gjitha nevojave të tregut.
Çfarë do të ndodhë gjatë Panairit?
Të gjithë ekspozuesit pjesëmarrës në këtë panair do të gjejnë një mjedis optimal dhe tërheqës për të promovuar produktet dhe shoqëritë e tyre. Të gjitha shoqëritë e agrobiznesit dhe agroteknikës do të kenë mundësi të krijojnë partneritete dhe njëkohësisht të marrin informacionet më të fundit mbi teknologjinë agrare. Gjatë panairit, do të organizohen workshop-e nga aktorët kryesorë të sektorit bujqësor. Gjithashtu, për herë të parë në Shqipëri do të organizohet “Global G.A.P Stop Tour”.
Ekspozuesit do të kenë mundësinë jo vetëm në lidhjet e reja me partnerë të huaj, por edhe në forcimin e lidhjeve ekzistuese me biznese dhe institucione.
Ky panair do të ofrojë edhe forcimin e pozicionimit të agrobizneseve në treg, si dhe do të nxisë shitjet e produkteve të tyre për vizitorët e shumtë.
Pjesëmarrja e mediave të ndryshme në Agro Tech and Expo 2019 do të mundësojë promovimin e brand-eve gjatë gjithë ditëve të Panairit.
Informimi mbi zgjidhjet më të fundit dhe më të efektshme të teknologjisë, programet e reja financiare për sektorin e bujqësisë, tendencat në tregjet vendase dhe ndërkombëtare, si dhe mundësitë e investimit janë tjetër pjesë e rëndësishme e asaj çka do të ofrojë ky panair.
Pjesëmarrësit
Në këtë panair do të marrin pjesë të gjitha kompanitë bujqësore që merren me: prodhimin/tregtimin e farave, inputeve bujqësore, plehrave, fertilizantëve, pesticideve; makineri bujqësore; pajisje dhe vegla bujqësore, hortikulturë, agrobioteknologji, lule, bimë mjekësore dhe dekorative, pajisje dhe teknologji për përpunimin e ushqimit, paketimin, etiketimin etj.
Pjesëmarrës të tjerë do të jenë shoqatat bujqësore, institucionet financiare, institucionet qeveritare.
Duke marrë shkas nga edicioni i parë i zhvilluar vitin e kaluar, edhe këtë vit, Panairi do të ketë ndikim të rëndësishëm, duke tërhequr vizitorë të shumtë, konkretisht fermerët, prodhuesit e serave, prodhuesit bujqësorë, blerës potencialë të bujqësisë, agjentët, etj., autoritetet e zhvillimit të kooperativave bujqësore, kompanitë eksportuese të makinerive bujqësore, distributorët rajonalë të kompanive importuese, shoqatat tregtare të bujqësisë, investitorët e huaj etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.