Rritet me 1,1 miliardë euro në raport me formatin e vjetër. Si ndryshon ndarja e shpërblimeve…
Ndarja e shpërblimeve në Champions League 2018 – 2021 / Champions League 2018 – 2021 është edhe më e pasur
Siç bëhet e ditur në Gazzetta dello Sport, duke nisur nga cikli trevjeçar 2018-2021, falë mbi të gjitha formatit të ri të votuar vitin e kaluar, UEFA duhet të fitojë nga komercializimi i Champions League dhe Europa League rreth 3,4 miliardë euro në sezon, 1,1 miliardë euro më shumë krahasuar me 2,3 miliardë në vit gjatë ciklit 2015-2018.
Kjo falë reformës së Champions, që do të lejojë Spanjën, Anglinë, Italinë dhe Gjermaninë të kenë katër skuadra që hyjnë direkt në fazën e grupeve, duke e bërë kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube edhe më tërheqës për sponsorët dhe televizionet.
Për pasojë do të rriten edhe shpërblimet për klubet, ato do të shpërndahen sipas rregullave të reja krahasuar me mekanizmin e shpërndarjes së çmimeve që është aktualisht në fuqi.
Ndarja e shpërblimeve në Champions League 2018 – 2021: 1,9 miliardë klubeve pjesëmarrëse
Nga 3,4 miliardë euro që UEFA do të përfitojë nga televizionet dhe sponsorët, rreth 1,9 miliardë do të shkojnë si shpërblime për klubet pjesëmarrëse në Champions League. Bëhet fjalë për rreth gjysmë miliard euro më shumë krahasuar me 1,4 miliardë të dhëna deri në fund të sezonit 2017-2018. Ndërsa klubet që do të marrin pjesë në Europa League do të përfitojnë rreth 500 milionë euro në total.
Shpërndarja e shpërblimeve në Champions League 2018-2021 – do të ndikojnë edhe trofetë përgjatë historisë
Shpërblimet e reja klasifikohen në katër kategori:
-Shpërblime për pjesëmarrjen (25%)
-Market Pool (15%)
-Shpërblime nga rezultatet sezonale (30%)
-Shpërblime nga rezultatet historike (30%).
Shpërndarja e shpërblimeve Champions League 2018-2021: Market Pool
Market Pool (proporcional me vlerën nga të drejtat televizive kombëtare) do të vijojë të ekzistojë, por do të ketë një peshë më të vogël se sa në të kaluarën; nga 580 milionë euro në total gjatë ciklit 2015-2018 në rreth 300 milionë gjatë ciklit 2018 – 2021.
Shpërndarja e shpërblimeve Champions League 2018-2021: shpërblimet nga pjesëmarrja
Shuma me të cilën do të shpërblehen klubet gjatë pjesëmarrjes mbetet pak e shumë e njëjta, nga 406 milionë gjatë ciklit të kaluar në rreth 480 milionë gjatë ciklit 2018 – 2021. Klubet do të përfitojnë nga kualifikimi në fazën e grupeve të Champions League 2018 – 2021, 15 milionë euro (nga 12,7 milionë).
Shpërndarja e shpërblimeve Champions League 2018 – 2021: rezultatet sezonale
Rriten edhe shpërblimet nga rezultatet sezonale, nga 380 milionë në 600 milionë euro, duke i dhënë kështu më shumë vlerë “rezultateve në fushën e lojës”.
Po ashtu do të rriten edhe shpërblimet për çdo rezultat; nga barazimi në fazën e grupeve (900 mijë euro nga 500 mijë euro) te fitorja e trofeut (nga 15,5 në 19 milionë euro). Më në detaj, fitorja në fazën e grupeve vlen 2,7 milionë euro; kualifikimi në fazën e 1/8, 9,5 milionë euro; kualifikimi në çerekfinale 10,5 milionë; kualifikimi në gjysmëfinale 12 milionë, ndërsa arritja në finale 15 milionë euro. Fituesi i Champions League do të shpërblehet me 19 milionë euro.
Nëse një skuadër fiton të gjitha ndeshjet, do të shpërblehet me 82 milionë euro.
2015-2018 | 2018-2021 | |
Barazimi në fazën e grupeve | 0,5 | 0,9 |
Fitorja në fazën e grupeve | 1,5 | 2,7 |
Kualifikimi në fazën e 1/8 | 6 | 9,5 |
Kualifikimi në çerekfinale | 6,5 | 10,5 |
Gjysmëfinale | 7,5 | 12 |
Finalisti (i mundur) | 11 | 15 |
Kampioni i Europës | 15,5 | 19 |
Të dhëna në mln euro |
Shpërndarja e shpërblimeve nmilionë Champions League 2018-2021: renditja në bazë të historisë
Risia e vërtetë, e kërkuar nga klubet e mëdha, janë shpërblimet për renditjen historike. Në praktikë, rezultatet e të gjithë trofeve, që nga edicioni i parë, janë llogaritur dhe ‘peshuar’ sipas kohës. Trofetë e fundit, siç është logjike, vlejnë më shumë.
Kështu është bërë një klasifikim i të gjitha kohërave, ku Real Madrid, Milan, Bayern München, Liverpool, Barcelona, janë klubet që kanë fituar më shumë trofe të Champions League. Vlera në bazë të këtij klasifikimi është 528 milionë euro.
Bëhet fjalë për një shpërblim për klubet e mëdha që kanë bërë historinë në Champions League, pjesëmarrja e të cilave, duke marrë parasysh edhe tifozët, do ta bëjë këtë kompeticion edhe më prestigjioz.