UEFA bëri të ditur sistemin e shpërndarjes së të ardhurave për këtë sezon të UEFA Champions League.
Të ardhurat bruto komerciale të UEFA Champions League 2017-2018, UEFA Europa League 2017-2018 dhe Superkupës së Europës 2017 do të jenë rreth 2,35 miliardë euro.
Nga kjo shifër, shuma që do t’u shpërndahet klubeve pjesëmarrëse për 2017-2018 do të jetë 1.718,7 milionë euro, e njëjtë me sezonin 2016-2017, i cili u mbyll me fitoren e Real Madridit në Kardif, kundër Juventus.
Nga këto 1.718,7 milionë, një kuotë prej 1.318,9 milionë eurosh do t’u shkojë klubeve të UEFA Champions League e Superkupës së Europës, ndërsa pjesa e mbetur 399,8 milionë do t’u shkojë klubeve që marrin pjesë në UEFA Europa League.
Ndër të tjera, rreth 12 për qind e 2,35 miliardë euro (282 milionë euro) do të përdoret për shpenzime organizative apo administrative.
32 skuadrat që do të marrin pjesë në fazën e grupeve të UEFA Champions League 2017-2018 do të marrin një shpërblim të caktuar prej 12,7 milionë eurosh, i cili mund të rritet me një bonus 1,5 milionë euro në rast fitoreje dhe 500 mijë euro në rast barazimi. Të ardhurat e skuadrave që do të arrijnë në raundin e 1/8 (16 më të mirët) do të rriten me një kuotë suplementare prej 6 milionë eurosh.
Ndërsa klubet që do të arrijnë në çerekfinale do të përfitojnë 6,5 milionë euro, ndërsa gjysmëfinalistet do të fitojnë edhe 7,5 milionë euro të tjera.
Skuadra që fiton UEFA Champios League do të shpërblehet me 15,5 milionë euro ndërsa ekipi nënkampion do të përfitojë 11 milionë euro.
Pra skuadra që do të fitojë Champions League 2017-2018 do të përfitojë një total prej 57,2 milionë euro pa llogaritur të ardhurat që vijnë nga market pool.