Sot në mesditë, në Nion të Zvicrës, u hodh shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Shorti na dha mundësinë të shohim 4 çifte mjaft interesante.
Kampionët në fuqi të Europës dhe njëkohësisht rekordmenët e këtij trofeu, Real Madrid, do të ndeshen me Juventus, në një nga klasiket më të bukura të Europës.
Ndeshja e vajtjes do të luhet më 3 prill në Torino, ndërsa kthimi pas një jave në “Santiago Bernabeu”. Përballje e veçantë edhe për dy trajnerët, duke qenë se vitin e kaluar u përballën në finalen e Kardifit, aty ku triumfuan sërish madrilenët.
Një tjetër përballje e madhe do të jetë derbi anglez mes Liverpool dhe Manchester City. Ndeshja e parë do të luhet në “Anfield Road” më 4 prill, ndërsa ndeshja e kthimit në “Etihad Stadium”, më 10 prill.
Dy çiftet e tjerë do të jenë: Barcelona – Roma dhe Sevilla – Bayern München. Short i favorshëm deri diku për katalanasit dhe bavarezët, edhe pse spanjollët nuk duhen nënvlerësuar pasi nxorën jashtë kompeticionit Manchester United të Jose Mourinho-s, duke dominuar të dyja ndeshjet.
Short i pafat mund të themi për ekipet italiane, pasi Juventus dhe Roma do të përplasen me dy gjigantët e futbollit europian dhe atij botëror, të cilat kanë fituar 4 edicionet e fundit të këtij kompeticioni: 3 herë Real Madrid (2014, 2016, 2017) dhe 1 herë Barcelona (2015).
Programi i çerekfinaleve
E martë, 3 prill
Juventus – Real Madrid
Sevilla – Bayern München
E mërkurë, 4 prill
Barcelona – Roma
Liverpool – Manchester City
E martë, 10 prill
Roma – Barcelona
Manchester City – Liverpool
E mërkurë, 11 prill
Real Madrid – Juventus
Bayern München – Sevilla
Më 13 prill do të hidhet shorti i gjysmëfinaleve, të cilat do të zhvillohen më 24/25 prill dhe 1/2 maj, dhe nga ku do të dalin dy skuadrat që do të përballen në finalen e 26 majit në Kiev (Ukrainë).
Një orë më pas, u hodh edhe shorteu për fazën çerekfinale të UEFA Europa League:
1.RB Leipzig – Olympique Marseille
2.Arsenal – CSKA Moskva
3.Atletico Madrid – Sporting CP
4.Lazio – Salzburg
UEFA Champions League 2017-18 / Shpërndarja e të ardhurave deri në finalen e Kievit
Raundi | Shuma totale e përcaktuar: 761.9 milionë euro |
Bonusi i raundit Playoff | 50 milionë euro shpërndahen mes 20 skuadrave pjesëmarrëse në raundin Playoff. Fituesit e këtij raundi përfitojnë 3 milionë euro, ndërsa 2 milionë euro shkojnë për skuadrat e eliminuara. |
Bonusi i pjesëmarrjes në fazën e grupeve | 12.7 milionë euro të garantuara për të 32 skuadrat pjesëmarrëse në fazën e grupeve |
Bonusi i performancës në fazën e grupeve | 1.5 milionë euro për çdo fitore dhe 500,000 mijë euro për çdo barazim në fazën e grupeve |
Raundi i 1/8 | 6 milionë euro për secilën nga 16 skuadrat pjesëmarrëse në raundin e 1/8 |
Çerekfinalet | 6.5 milionë euro për secilën nga 8 skuadrat çerekfinaliste |
Gjysmëfinalet | 7.5 milionë euro për secilën nga 4 skuadrat gjysmëfinaliste |
Skuadra finaliste | 11 milionë euro për skuadrën finaliste (vendi i dytë) |
Fituesi i kompeticionit | 15.5 milionë euro për skuadrën fituese të kompeticionit |
Totali i fitimit të mundshëm | Fituesi i UEFA Champions League 2017/18 mund të fitojë një shifër që varion nga 54 milionë deri në 57.2 milionë euro nga shuma e përcaktuar. Nëse fituesi përfaqëson një nga 4 kampionatet elitare në Europë (Angli, Spanjë, Gjermani dhe Itali) totali i fitimit mund të arrijë rreth 100 milionë euro (shuma e përcaktuar + market pool). |