Champions League, përballje gjigantësh në çerekfinale

17/03/2017 5:55 PM 0 komente

Sot në mesditë, në Nion të Zvicrës, u hodh shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Ky short rezultoi i pamëshirshëm për të mëdhenjtë, duke na dhënë mundësinë të shohim dy finale të parakohshme.

Kampionët në fuqi të Europës dhe njëkohësisht rekordmenët e këtij trofeu, Real Madrid, do të ndeshen me Bajernin e Mynihut në një nga klasiket më të bukura të Europës. Ndeshja e vajtjes do të luhet më 12 prill në Mynih, ndërsa kthimi pas një jave në “Santiago Bernabeu”. Përballje e veçantë edhe për dy trajnerët, duke qenë se jo më larg se dy vite më parë, gjendeshin të dy në pankinën e Realit, Ancelotti si trajner dhe Zidane si ndihmësi i tij.
Një tjetër përballje e madhe do të jetë ajo mes Juventusit dhe Barcelonës. Edhe kjo një finale e parakohshme, duke qenë se herën e fundit u përballën mes tyre pikërisht në një finale, para dy viteve në Berlin, e fituar nga katalanasit me rezultatin 3-1. Ndeshja e parë do të luhet në Torino më 11 prill kurse ndeshja e kthimit në “Camp Nou”, më 19 prill.
Një short mbresëlënës, nga ku me shumë mundësi dy skuadrat që do të kualifikohen nga këto dy sfida do të jenë pretendentet kryesore për fitimin e trofeut në Kardif.

Dy çiftet e tjerë do të jenë: Atletiko Madrid – Leicester City dhe Borusia Dortmund – Monako.
Nënkampionët në fuqi të Europës do të përballen me surprizën më të madhe të kompeticionit deri më tani, anglezët e Leicester City-t, ndërsa përballja e fundit, ajo mes Borusia Dortmund dhe Monakos pritet të jetë spektakolare duke qenë se janë dy skuadra me mentalitet sulmues dhe me moshë mesatare shumë të re.

Champions 2

Menjëherë pas hedhjes së shortit, reagimet e protagonistëve:

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Carlo Ancelotti, i cili fitoi “La Decima-n” në krye të “Los Blancos” u shfaq i emocionuar duke thënë: “Do të jetë e veçantë për mua të kthehem në Madrid. Në këtë fazë të gjithë ekipet janë të vështira. Reali i Madridit ka një ekip fantastik, lojtarë të shkëlqyer dhe një trajner shumë të mirë. Do të jetë e vështirë, por ne kemi besim. Detajet do të vendosin se cila skuadër do të kualifikohet”.

Legjenda e Realit, Emilio Butragueno tha: “Bajerni, kundërshtari më i vështirë i mundshëm, do të jetë një përballje shumë emocionuese. Ne nuk e mohojmë se kemi peshkuar rivalin më të fortë të mundshëm, por ne jemi kampionët në fuqi dhe të tilla sfida dimë t’i përgatisim ashtu siç duhet”.
Të emocionuar nga fakti se do të kemi përballë Ancelotti-n? Ka pak sekrete mes nesh dhe Carlo-s. Me Zidane kanë një raport të shkëlqyer dhe do të jetë shumë bukur ta takojmë sërish duke qenë se në Madrid ka shumë kujtime të mira për të”.

“Kjo është një klasike” – tha CEO i Bajernit të Mynihut, Karl-Heinz Rummenigge. “Probabiliteti është 50:50. “Do të jetë e vështirë. Mendoj se është avantazh për ne fakti që ndeshjen e parë do ta luajmë në shtëpi. Duhet të përpiqemi të marrim një rezultat pozitiv”.

Portieri i Bajernit, Manuel Neuer, u shpreh: “Çdo lojtar është i kënaqur dhe është mjaft i përqendruar. Kemi një trajner që e njeh mirë Realin. Bëhet fjalë për një kundërshtar të rëndësishëm dhe interesant. Mendoj se Reali nuk është i kënaqur me këtë short”.

Xabi Alonso (ish-lojtar i Realit) komentoi: “Për mua kjo është një ndeshje vërtet e rëndësishme. Por ne jemi gati. Këto janë skuadrat më të forta në Europë. Duam që të marrim një rezultat të mirë në Mynih, sepse “Bernabeu” është gjithnjë i vështirë”.

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri tha: “Kjo është Champions, jemi gati”.
“Stadiumet më të bukura, futbollistë të mëdhenj, mbajtja e frymës për gjatë gjithë 180 minutave. Këto janë karakteristikat e Champions League. Madhështia e këtij kompeticioni shkon përtej çdo frike: do të jemi gati”, shkroi në një status në Twitter, Allegri.

“Kundër Barcelonës për t’u hakmarrë ndaj finales së vitit 2015? Nuk e di nëse do të jetë një hakmarrje. Sigurisht që është një ndeshje mjaft tërheqëse – komentoi zv.presidenti i Juves, Pavel Nedved për Premium Sport nga Nioni. – skuadra është rritur. Duhet të jemi të kënaqur dhe krenarë që jemi e vetmja skuadër italiane ende në Champions. Ne jemi gati, por duhet të jemi në formën më të mirë”.

Pas hedhjes së shortit për çerekfinalet e Champions League, që do të shohë të përballen Juventus me Barcelonën, kapiteni i Juventus, Gianluigi Buffon u shpreh me këto fjalë në Instagram. “Nuk ka rëndësi kundërshtari, rëndësi ka të gjendesh këtu në këtë fazë. Por ajo çfarë ka më shumë rëndësi është rruga, ajo që kemi përshkuar për të arritur këtë objektiv, dhe ajo që mbetet ende për t’u bërë. Sepse është rruga që përshkon, ajo që tregon se cilët jemi me të vërtetë. Jo qëllimi, por udhëtimi. Ashtu si te vargjet e këngës ‘Khorakhane’ të Fabrizio De Andrè: ‘Rëndësi ka udhëtimi në vetvete’”.

Programi i çerekfinaleve

E martë, 11 prill
Juventus – Barcelona
Borusia Dortmund – Monako

E mërkurë, 12 prill
Bajern Mynih – Real Madrid
Atletiko Madrid – Leicester City

E martë, 18 prill
Real Madrid – Bajern Mynih
Leicester City – Atletiko Madrid

E mërkurë, 19 prill
Barcelona – Juventus
Monako – Borusia Dortmund

Më 21 prill do të hidhet shorti i gjysmëfinaleve të cilat do të zhvillohen më 2/3 dhe 9/10 maj, dhe nga ku do të dalin dy skuadrat që do të përballen në finalen e 3 qershorit në Kardif (Uells).

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz