Së shpejti, Chelsea do të ketë një stadium të ri. Projekti parashikon një rikonstruktim total të stadiumit aktual “Stamford Bridge”, i cili do të rrisë kapacitetin nga 41.000 në 60.000 vende.
Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, dha aprovimin e tij në lidhje me këtë projekt. Ky do të jetë një investim i rëndësishëm, që mund të arrijë vlerën e 500 milionë sterlinave, afërsisht 700 milionë euro.
“Stamford Bridge” është një ndër stadiumet më të vjetër në Angli, i ndërtuar në vitin 1905. Në vitin 1990 është ristrukturuar, por tani është i nevojshëm shtimi i numrit të spektatorëve, për t’u dhënë mundësinë tifozëve të Bluve londinezë të ndjekin nga afër skuadrën e zemrës. Në shumicën e rasteve, stadiumi aktual është tejet i mbushur (99%) dhe shumë prej tifozëve detyrohen t’i shohin ndeshjet nga televizori.
Projektin e ka marrë përsipër shoqëria zvicerane e arkitekturës “Herzog & De Meuron”, e cila njihet për ndërtimin e disa stadiumeve në botë si p.sh. “Foleja e Zogut” në Pekin apo “Allianz Arena”, shtëpia e Bajernit të Mynihut.
Brenda tre viteve mendohet se Stamford Bridge i ri do të jetë gati. Gjatë kësaj periudhe klubi i Chelsea-t do duhet të zgjedhë se ku t’i zhvillojë ndeshjet në shtëpi: në Stamford Bridge, në mënyrë të reduktuar duke qenë se do të vijojnë punimet ose në një tjetër stadium në kryeqytet, me shumë mundësi në “Wembley”, edhe pse nuk do të jetë e thjeshtë, duke parë se duke filluar nga sezoni i ardhshëm në impiantin mitik të kombëtares angleze do të luajë ndeshjet brenda fushe ekipi i Tottenham Hotspur, edhe “Gjelat” në pritje të ndërtimit të stadiumit të ri.
Stadiumi pritet të jetë një ndër më modernët në Europë, ku përveç fushës së lojës do të ndërtohet një dyqan zyrtar i klubit, një muze i ri dhe gjithashtu një sipërfaqe e veçantë kushtuar aktiviteteve komerciale si restorante, bare etj.