Gjatë vitit të fundit fiskal, Roman Abramovich e ka financuar Chelsea me 33,8 milionë sterlina. Shifra është përfshirë në llogaritë e klubit anglez deri më 30 qershor 2017 dhe është regjistruar në Regjistrin Britanik të Bizneseve.
Siç bën të ditur “Inside World Football”, fondet e marra nga “Blues” janë siguruar nga shtëpia mëmë e Chelsea, Fordstam Limited, në pronësi të Abramovich. Edhe pse Fordstam e parashikon fundin e vitit fiskal më 30 qershor, llogaritë e tij përgjithësisht nuk bëhen të ditura para fundit të prillit.
Një shënim i llogarive të Fordstam në sezonin 2015-2016 raporton shumat për palët e ndërlidhura me afat maturimi pas më shumë se një viti prej 1,05 miliardë sterlina. Ky është bilanci i një kredie që duhet t’i paguhet një shoqërie të quajtur Lindeza Worldwide Limited
Financimet tek Chelsea, pagat në rënie pavarësisht numrit të madh të të punësuarve
Sezoni i suksesshëm tek Chelsea i ka sjellë shoqërisë më shumë se 15 milionë sterlina të ardhura, një pjesë e mirë falë edhe transferimit të brazilianit Oscar në Kinë. Falë marrëveshjes së re për të drejtat televizive nga Premier League, të ardhurat e klubit janë rritur nga 142,9 milionë në 162,4 milionë sterlina.
Megjithatë, mospjesëmarrja në Champions League gjatë sezonit 2016-17 ka bërë që norma e rritjes të jetë shumë më e ngadaltë se sa do të duhej të ishte. Në kuadrin e përgjithshëm, ka pasur një reduktim të shumës së pagave. Totali ka zbritur në 219,7 milionë sterlina nga 222,4 milionë sterlina pavarësisht se numri i të punësuarve është rritur më shumë se 800 persona, ndërsa numri i stafit dhe lojtarëve është rritur me 15 persona. Ndërsa shpërblimi i administratorëve është dyfishuar: nga 154.000 në 308.000 sterlina.
Sezoni 2017-18 mendohet se do të jetë një tjetër vit i jashtëzakonshëm sa u përket të ardhurave që vijnë nga transferimet, me 11 lojtarë të shitur dhe një fitim relativ që shkon 63 milionë sterlina.
Këto përfshijnë shitjen verën e kaluar të dy të rinjve të talentuar anglezë Nathaniel Chalobah tek Watford dhe Dominic Solanke tek Liverpool. Në të njëjtën kohë, Chelsea ka blerë 6 lojtarë nga fundi i vitit fiskal për një total prej 212,5 milionë sterlinash. Mesfushori anglez Ross Barkley, i blerë para pak ditësh nga Everton për 15 milionë sterlina mund t’i shtohet kësaj shifre.