Chelsea Football Club parashikon të rrisë kërkesën për sponsorizime, në një përpjekje që synon dyfishimin e të ardhurave më shumë se 650 milionë euro, në mënyrë që të jetë në të njëjtin hap me klubet e mëdha europiane për të blerë futbollistët më të mirë në botë.
Chris Townsend, drejtues komercial në klubin e Chelsea – u shpreh për Financial Times se “në shtatë-tetë vjet” klubi synon të “jetë ndër katër–pesë klubet më të mirë në Europë”. Aktualisht është i teti.
Sipas analistëve të Deloitte, Chelsea ka fituar 334,6 milionë sterlina në sezonin 2015-16. Nga të cilat 163,1 milionë euro janë gjeneruar nga ofertat komerciale.
Manchester United është klubi më fitimprurës në botë, me 515 milionë sterlina, nga këto 272,1 milionë sterlina janë rezultat i ofertave komerciale.
Kur u emërua në postin e drejtuesit në sektorin komercial në fillim të vitit në klubin e Chelsea, në intervistën e tij të parë, Townsend deklaroi se klubi i Londrës parashikon të rrisë numrin e sponsorëve nga 12 në 30 – 35.
“Manchester United, Manchester City dhe të tjerë kanë rreth 50 – 70 [sponsorë] – tha Townsend.
Nigel Currie, themelues i shoqërisë për konsulencë sportive në NC Partnership, i cilësoi objektivat e Chelsea “mjaft ambiciozë”, duke shtuar se sukseset në fushën sportive do të jenë të rëndësishme për të arritur rezultatet e shpresuara”.
Vitin e kaluar, Chelsea nënshkroi një marrëveshje 15-vjeçare me Nike me një vlerë 900 milionë sterlina.
Shoqëria japoneze për prodhimin e gomave të automjeteve, Yokohama, për shembull, paguan 50 milionë sterlina në vit si sponsor kryesor i fanellës, ndërsa prodhuesi tajlandez i pijeve energjike Carabao paguan 10 milionë sterlina në vit për të sponsorizuar impiantet e klubit.
Pasi u ble nga Roman Abramovich në vitin 2003, Chelsea ka përfituar nga investimet e tij, që e kanë shndërruar klubin në një nga skuadrat angleze më të mira në dhjetë vitet e fundit.
Që nga viti 2011, pas fair play financiar, Chelsea ka vijuar të konkurrojë kundër klubeve si Manchester United, FC Barcelona dhe Real Madrid.
Townsend shtoi se “të ardhura më të mëdha do t’i japin mundësi klubit të investojë në lojtarë më të mirë”.