Importet e disa mallrave kryesore të akcizësnkanë shënuar një rritje të fortë në muajin tetor, kohë kur filloi të diskutohej për rritjen e taksave të tyre. Tetori është muaji i fundit kur të dhënat nga Doganat janë të disponueshme.
Kështu, importet e karburanteve ishin 45 mijë ton në tetor, sipas Doganave, me një rritje prej 25% në raport me një muaj më parë dhe duke shënuar nivelin më të lartë mujor përgjatë gjithë 2013-s (rreth 24% më e lartë se mesatarja mujore për periudhën janar-shtator).
Në 1 janar hyri në fuqi taksa e re e qarkullimit, që u rrit me 10 lekë për litër nga 7 në 17 lekë për litër si për benzinën ashtu dhe për naftën. Kjo taksë u reflektua në çmim që në javën e parë të janarit , ndonëse operatorët e naftës po shesin kryesisht rezervat e tyre.
E ndjeshme është dhe rritja e importeve të cigareve, që arritën në 410 ton në tetor, duke qenë gati dyfish më të larta se mesatarja mujore e 9 mujorit.
Nga 1 janari, akciza e cigareve u rrit nga 70 në 90 lekë për paketë, që u shoqërua menjeherë me shtrenjtimin e çmimeve, me 20-50 lekë për litër.
Pritet që nëntori dhe dhjetori të shoqërohen me një rritje të lartë të importeve, siç është konstatuar gjithnjë në prag të hyrjes në fuqi të taksave të reja më të larta.
Burimi: Doganat
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.