Një çiklist britanik ka thyer Rekordin Botëror Guinness për udhëtimin më të shpejtë rreth e qark botës mbi një biçikletë, duke përshkuar 18.000 milje (29 mijë kilometra) në më pak se 80 ditë.
Mark Beaumont ka pedaluar për 18 orë në ditë, duke djegur më shumë se 9 mijë kalori çdo 24 orë, duke përshkuar Poloninë, Rusinë, Mongolinë, Kinën, Australinë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Fjalë për fjalë, do të thotë të shkosh drejt horizontit tjetër”, tha Mark Beaumont të hënën, pasi përfundoi maratonën e tij poshtë Harkut të Triumfit në Paris. “Kam udhëtuar rreth dy muaj e gjysmë” – tha ai.
Një aksident në Rusi, në ditën e nëntë, ku theu një dhëmb dhe dëmtoi bërrylin e tij – për pak sa nuk e detyruan të ndërpresë këtë udhëtim, gjatë të cilit ka përjetuar një “thellësi mendore” të paprovuar kurrë më parë.
Ai e përfundoi xhiron në 78 ditë, 14 orë e 40 minuta. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Andrew Nicholson, nga Zelanda e Re, që në vitin 2015 e përshkoi planetin në 123 ditë.
Një gjykatës i Guinness World Record i dorëzoi çiklistit dy certifikata: një për udhëtimin më të shpejtë rreth e qark botës, dhe tjetra për distancën më të largët të përshkuar në një muaj.
Burimi: Reuters