Duke forcuar infrastrukturën e cilësisë për rritje të përshpejtuar ekonomike, sigurohet furnizimi i mallrave me cilësi të lartë dhe të sigurt, po ashtu ndikon edhe në përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe standardin e jetës së qytetarëve të Kosovës.
Kështu u bë e ditur në konferencën e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me temë “Roli dhe funksioni i infrastrukturës cilësore në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se funksionimi i sistemit të infrastrukturës së cilësisë ndihmon në rritjen e produktivitetit në prodhim të produkteve dhe ofrim të shërbimeve. Ajo tha se po bëjnë përpjekje shumë përfshirëse për ngritjen e kualitetit të shërbimeve.
Ministrja tha se nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit kanë dalë obligime edhe për mbrojtjen e konsumatorit që është prioritet, gjithashtu edhe kontrolli dhe konformiteti i produkteve për t’i bërë produktet tona edhe më konkurruese në tregje vendore dhe të huaja. MTI po ashtu ka paraqitur një kërkesë pranë zyrës së BE-së për fondet e IPA 2 për certifikim të produkteve.
Kurse, udhëheqësi i sektorit për bashkëpunim nga Zyra e Bashkimit Evropian, Libor Chlad tha se cilësi duhet të ketë në të gjithë sektorët, duke filluar nga shëndetësia, ushqimi, kualiteti i ujit, siguria e transportit. Ai tha se sektori publik ka një kornizë që të ketë shërbime të mira në të gjitha fushat. Qëllimi është që produktet që vendosen në markete të jenë të sigurta për konsumatorët.
Në emër të Divizionit për Infrastrukturë të Cilësisë në kuadër të MTI-së, Doruntina Shala, tha se si divizion janë të fokusuar edhe në hartimin e legjislaturës së lëvizjes së lirë të mallrave në harmonizim me Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër cilësia e infrastrukturës është parakusht për konkurrueshmërinë si në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Arritja dhe dëshmimi i cilësisë është esenciale për të arritur dhe mbrojtur konsumatorët./KosovaPress
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.