(UPDATE) Në Kuvendin e Kosovës dështoi për herë të dytë votimi për shfuqizimin e vendimit të ministres Mimoza Kusari Lila për tarifën prej 35% për importin e çimentos nga Shqipëria.
Shkak për këtë u bë mungesa e kuorumit të nevojshëm për rrëzimin e vendimit që ka shkaktuar shumë debate. Pas pushimeve të verës, në shtator Kuvendi do të thërrasë edhe nj herë në interpelancë ministren.
Në Kuvend opozita fajësuar partitë në pushtet për mungesë të qëllimshme të deputetëve.
Debatet për heqjen e tarifës prej 35% për importin e çimentos nga Shqipëria nisën ditën e enjte, ku u duk se ministrja Kusari Lila u ‘dorëzua”. Gjatë përgjigjes së pyetjeve të deputetëve ajo tha se vendimi do të ndryshonte nëse Shqipëria vendos masë mbrojtëse me Italinë.
Ministrja mbrojti vendimin gjatë interpelancës së thirrur për këtë çështje, që sipas saj është në pajtueshmëri me ligjet në Kosovë dhe marrëveshjen e CEFTA-s.
Në lidhje me dështimin e votimit reagoi edhe Lëvizja Vetëvendosja. “Kryetari i Kuvendit i pranishëm në sallë asnjëherë nuk u bëri thirrje deputetëve që të vazhdojnë seancën. Këtë e bëri Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosja. Kur s’ka kuorum bie zilja disa herë” thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.
Sipas kësaj lëvizjeje, qeveria dhe deputetët e koalicionit përmes një akti të papërgjegjshëm mbrojtën monopolin e Titan Grup, në tregun e çimentos në Kosovë, duke ia bërë të pamundur hyrjen prodhuesve nga Shqipëria.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.