Megjithëse në Shqipëri flitet shumë për decentralizimin, derregullimin dhe lirinë ekonomike, fatkeqësisht ekzistojnë dhe shumë segmente në sens të kundërt, pra, drejt mbirregullimit dhe centralizimit
Këtë vit, qeveria e ka zhveshur projektbuxhetin e vitit 2018 nga dozat e optimizmit, një sëmundje e vjetër e projektbuxheteve në Shqipëri. Nga ana tjetër, projekti nuk ka ndonjë tipar të veçantë dallues apo elemente të dukshme të ndonjë prioritizimi shumë specifik, analizon profesor Adrian Civici, profesor dhe President i UET-së.
Civici sheh si zhvillime pozitive politikat fiskale që synojnë të rrisin standardin në turizëm, por gjithashtu ka rezerva në lidhje me mungesën e analizave dhe transparencën për ndikimin e koncesioneve PPP në stabilitetin fiskal dhe në borxhin publik
A ka hartuar qeveria një projektbuxhet realist dhe të prioritizuar për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik?
Mendoj se në rastin e hartimit të buxheteve vjetore duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me të ashtuquajturat “politika koniunkturore”, të cilat ndryshe nga politikat me natyrë strukturore, janë tipe politikash me natyrë “përmirësuese” apo “korrigjuese”, me efekte njëvjeçare. Nga kjo pikëpamje, besoj se duhen lexuar mesazhet e projektbuxhetit për vitin 2018. Sëmundja e vjetër e projektbuxheteve në Shqipëri, d.m.th, optimizmi shpeshherë i tepruar i tyre në emër të afishimit të sukseseve të qeverisjes, duket se nuk mungon dhe këtë herë, sidomos në tre tregues kryesorë, rritja ekonomike, realizimi i të ardhurave dhe ulja e borxhit publik.
Angazhimet në këto drejtime janë mjaft pozitive dhe të domosdoshme për ekonominë dhe financat tona, por besimi dhe garancia se ato do të realizohen 100%, kërkon më tepër analiza e studime që argumentojnë efektshmërinë e politikave specifike që do të ndërmerren për realizimin e tyre. E thënë në një mënyrë më përgjithësuese, ky projektbuxhet nuk ka ndonjë tipar të veçantë dallues apo elemente të dukshme të ndonjë prioritizimi shumë specifik, për të mos thënë se në disa sektorë të rëndësishëm, financimet dhe mbështetja buxhetore është më e ulët. Për t’u vlerësuar janë disa elemente të politikës fiskale, nëpërmjet të cilave synohet përmirësimi i klimës së biznesit dhe lehtësimi i barrës fiskale për disa sektorë të ekonomisë, kryesisht turizmi.
Nëpërmjet projektbuxhetit 2018 autorizohen mbi 9 miliardë financime për koncesionet PPP. A po rrezikon qeveria ta rrisë borxhin real publik përtej raportimit ligjor?
Në thelbin e tyre, koncesionet e realizuara si PPP janë investime të domosdoshme për ekonominë shqiptare, sidomos në këtë fazë të zhvillimit ekonomik që ndodhemi. Në këtë këndvështrim, mendoj se janë oksigjen i domosdoshëm për të mbështetur rritjen ekonomike, punësimin dhe zhvillimin ekonomiko-social të vendit. Problemi apo diskutimet kanë të bëjnë me modalitetet dhe procedurat e aplikimit praktik të tyre, me transparencën dhe mekanizmat e institucionet kontrolluese e verifikuese të tyre, për të shmangur kostot e larta me natyrë klienteliste të këtyre lloj investimeve. Njihen disa forma të realizimit të PPP.
Më e rrezikshme në lidhje me pasojat në rritjen e borxhit publik do të ishte forma e investimeve në dukje private, por në thelb publike, si një detyrim i qeverisë për t’ua shlyer investitorëve privatë të gjithë shumën e investuar brenda një periudhe të ardhshme 5 ose 10-vjeçare. Në këtë rast, ashtu siç e ka nënvizuar dhe FMN, do të kishim të bënin me krijimin e një borxhi të ri, në dukje të fshehur, por real si pjesë e borxhit publik. Por, nëse PPP do të konceptohej si investim privat që fitimet do t’i marrë nga shfrytëzimi i objekteve ku financohet dhe roli i qeverisë është vetëm krijimi i lehtësive institucionale për realizimin e investimit, atëherë do të kishim të bënim me një PPP mjaft pozitiv dhe të efektshëm për ekonominë. Problemi qëndron, se deri në këto momente, mjaft nga modalitetet e realizimit të këtyre PPP nuk janë prezente dhe transparente.
Paketa Fiskale 2018 ka stimuluar ndërtimin e hoteleve me 5 yje, duke i përjashtuar ato nga taksat, ndërkohë që kërkesa për turizëm në Shqipëri nuk i përket kësaj kategorie. A keni një vlerësim për efektet e kësaj pakete?
E parë thjesht si favorizim fiskal apo incentiva për stimulimin e investimeve për ndërtimin e resorteve turistike moderne apo hotele me 5 yje, përjashtimi nga disa taksa apo përqindja më e ulët fiskale për disa taksa të tjera, më duket pozitive. Shqipëria ka nevoja urgjente ta modernizojë sektorin dhe ofertën e saj turistike edhe me këtë segment që konsiderohet si “ofertë turistike luksi”. Nuk është e vërtetë që kërkesa turistike në Shqipëri nuk i përket kësaj kategorie.
Eksperienca në 2 – 3 vitet e fundit ka treguar se hotelet me 4 apo 5 yje që ekzistojnë kryesisht në bregdet kanë qenë 100% të frekuentuar për periudha 3 – 4-mujore. Në thelb, përmirësimi i cilësisë së ofertës do sjellë shpejt dhe afrimin e një kërkese më cilësore. Nuk besoj se strategjitë tona të zhvillimit të turizmit na kufizojnë vetëm në këtë lloj turizmi aktual, kryesisht “popullor e me kosto të ulët”. Plus kësaj, afrimi i operatorëve turistikë cilësorë me reputacion ndërkombëtar do ndikojë pozitivisht edhe në përmirësimin e standardeve dhe cilësisë së shërbimit në gjithë sektorin e turizmit shqiptar. Nuk shoh ndonjë element negativ në këto incentiva fiskale që po i bëhen një prej segmenteve të ofertës turistike në Shqipëri.
FMN dhe Dhoma Amerikane e Biznesit janë të shqetësuara se, Këshilli i Ministrave i ka përqendruar kompetencat për të përcaktuar disa modalitete të TVSH-së me VKM duke shkelur parimin kushtetues. A është i drejtë ky shqetësim sipas jush?
E vërtetë. Megjithëse në Shqipëri flitet shumë për decentralizimin, derregullimin dhe lirinë ekonomike, fatkeqësisht ekzistojnë dhe shumë segmente në sens të kundërt, pra, drejt mbirregullimit dhe centralizimit. Nuk jam i sigurt nëse kjo është pasojë e frikës nga cilësia dhe standardet e dobëta që ofrojnë mjaft nga agjencitë apo institucionet tona dhe qeveria i përqendron kompetencat për të qenë më e sigurt në vendimmarrjen e saj; apo kjo buron nga tendenca kontrolluese e centralizuese e qeverisjes.
Megjithatë, cilido qoftë problemi, shqetësimet e FMN dhe Dhomës Amerikane të Biznesit në këtë drejtim, më duken të drejta. Ky shqetësim nuk ekziston vetëm për këto elemente që lidhen direkt me klimën dhe lehtësinë e të bërit biznes, por janë të pranishme edhe në mjaft sektorë të tjerë të ekonomisë apo shërbimeve. Derregullimi dhe decentralizimi kanë nevojë të kuptohen më qartë dhe të zbatohen konkretisht në çdo qelizë të ekonomisë dhe vendimmarrjes në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.