Më 8 nëntor, amerikanët do të përballen mbase me zgjedhjen më të vështirë të të gjitha kohërave. Dy kandidatët aspak popullorë janë vënë në garë se kush do të ulë më shumë figurën e tjetrit, duke sjellë dhe një ndryshim në mënyrën e zhvillimit të fushatave në Amerikë. Nën zhurmën e skandaleve dhe debateve të forta për çështjet tepër të nxehta si marrëdhëniet me jashtë, taksimi, mbrojtja e kufijve dhe emigracioni, amerikanët do të duhet të zgjedhin të keqen më të vogël nga të dy. Midis Trump-it të papërmbajtshëm dhe znj. Clinton më finoke, sondazhet tregojnë për një avantazh të dukshëm të kësaj të fundit.
Donald Trump dhe Hillary Clinton i kanë paraqitur tashmë vizionet e tyre ekonomike dhe nuk është e çuditshme që ato janë të ndryshme. Z. Trump fokusohet në uljen e taksave, eliminimin e rregulloreve dhe dhënien fund të marrëveshjeve tregtare. Znj Clinton, nga ana tjetër, do të rrisë taksat për të pasurit, do të rrisë shpenzimet për trajnime dhe do të ulë taksat për kompanitë që punësojnë më shumë amerikanë.
Cilido që do të fitojë, do të ketë një detyrë shumë të vështirë përpara, të çojë përpara një Amerikë të lodhur nga kriza financiare, dhe të merret me një mjedis ndërkombëtar, që sa vjen e po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm. Presidentit të ri do t’i duhet të udhëheqë një vend të ndarë thellësisht politikisht, gjeografikisht, si dhe nga ana sociale dhe strukturore. Madje dhe fitorja e Clinton nuk pritet të jetë një recetë për qetësinë.
Çfarë do të ndodhë nëse fiton Hillary
Hillary Clinton dhe Donald Trump kanë plane ekonomike shumë të ndryshme dhe është e sigurt mund të mos jemi dakord me asnjë prej tyre. Dilema e vërtetë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e këtyre planeve, por me realizimin e tyre pas zhvillimit të zgjedhjeve më 8 nëntor.
Kjo do të varet, sigurisht, në atë çfarë do të ndodhë në Kongres. Sondazhet dhe bastet tashmë parashikojnë se votuesit do të zgjedhin kandidaten demokrate, Hillary Clinton, si presidente në ditën e zgjedhjeve.
Shanset që demokratët të fitojnë Senatin nga republikanët janë 50 me 50 duke lëvizur me shumë pak në favorin e tyre, por shansi që demokratët të marrin Shtëpinë janë rreth 20%. Kështu që republikanët do të kenë gjasa që të kontrollojnë të paktën njërën nga dhomat e Kongresit për dy vitet e ardhshme, që do të thotë qeveri e ndarë sikurse kemi parë këto gjashtë vjet.
Clinton favorizon politika të cilat janë të ngjashme me ato të presidentit Obama, i cili ka luftuar për të marrë ndonjë gjë kuptimplotë nga Kongresi që nga 2011, vit në të cilën republikanët morën kontrollin e Shtëpisë. Kështu që Clinton mund të ndeshet me të njëjtin bllokim. Por, disa prej gjërave do të jenë ndryshe gjatë presidencës së saj. Së pari, Clinton konsiderohet një negociuese më e mirë se Obama, dhe më e hapur për të bashkëpunuar me republikanët. Së dyti, republikanët mund të braktisin strategjinë penguese të viteve të fundit dhe të vendosin se është koha për t’u treguar votuesve se mund të bëjnë diçka.
Nëse kjo do të jetë çështja, disa copëza të legjislacionit do të kalojnë në Kongres. Ja çfarë do të shikoni:
Reformën e taksimit të korporatave. Clinton ka qenë gojëkyçur në lidhje më këtë çështje, edhe pse demokratë dhe republikanë gjerësisht thonë se norma e taksimit të korporatave, në 35%, është shumë e lartë, por është 10 deri 20% më e ulët se në shumë vende të tjera të zhvilluara. Ky hendek është arsyeja kryesore pse shumëkombëshet amerikane mbajnë rreth 2 trilionë të ardhura jashtë, para të cilat do të ndihmonin ekonominë amerikane.
Një marrëveshje mbi reformën e taksimit të korporatave do të ulte normën e taksimit, do të mbyllte hapësirat që përdorin disa kompani për të shmangur pagesat e tyre, si dhe të ofrojë disa lloje taksash për të nxitur shumëkombëshet që të sjellin fitimet e tyre në vend, për t’u taksuar me një normë të ulët prej 15%. Provizionimi i interesave të mbartur lejon disa firma investimi që të deklarojnë fitimet si shtim në kapital dhe është subjekt i një norme më të ulët taksimi se sa të ardhurat e zakonshme, të cilin demokratët e urrejnë, ndërsa republikanët e gjejnë të vështirë për ta mbrojtur. Një marrëveshje mbi reformën e taksimit mund të përfshijë kufizime të reja në blerjet dhe shkrirjet e korporatave amerikane me kompani të huaja me qëllim uljen e taksave.
Rritje e pagës minimale. Paga minimale, tani është 7.25$/orë, nuk është rritur që nga 2009. Clinton favorizon një pagë minimale prej 12$/orë, që duket se nuk ka gjasa. Një rritje deri në 9% mund të ndodhë, sidomos nëse ekonomia vazhdon të forcohet, duke kufizuar goditjen që mund të ndiejë biznesi nëse do të detyrohen që ta paguajnë. Në ndihmë të kësaj është fakti se disa shtete tashmë kanë një pagë minimum më të lartë se e niveli federal, që do të thotë se nuk do të preken nga kjo rritje.
Reforma e emigracionit. Kongresi pothuajse ka kaluar ligje gjithëpërfshirëse mbi emigracionin në 2014, por disa prej republikanëve i kanë bllokuar. Nëse republikanët bëjnë figurë edhe më të keqe tek hispanikët, do të jetë një alarm për të bërë diçka më produktive në emigracion. Fillimisht duhen mënyra të reja për të siguruar kufirin në jug, më pas duhet të vendoset një rrugë ligjore për të pajisur me dokumente rreth 11 milionë emigrantë dhe në fund të krijojnë shtigje të reja për të huajt që mund të japin një kontribut në ekonominë amerikane (si p.sh. emigrantët, sipërmarrësit apo emigrantët e arsimuar).
Emigracioni është një çështje e rëndësishme ekonomike sepse plakja e fuqisë punëtore amerikane do të thotë se rritja në ofertë në tregun e punës do të zvogëlohet. Kjo, gjithmonë shoqërohet me ngadalësim të ekonomisë. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për punëtorë të rinj për të ndihmuar në pagesën e kontributeve të siguracioneve shoqërore dhe shëndetësore.
Harrojeni Brexit – çfarë do t’i ndodhë ekonomisë botërore nëse Donald Trump-i fiton zgjedhjet
Ndonëse Hillary Clinton pritet që të fitojë zgjedhjet presidenciale, por siç e dimë dhe nga Brexit, më mirë të jemi të përgatitur për ndonjë surprizë, shkruan The Indipendent.
Tregu i vetëm që kënaqet prej mundësisë së fitores së Trump për shkak të nxitjes që do të pësonte pesosi është ai meksikan.
Nëse njerëzit nuk janë të përgatitur për një surprizë politike, ata do të jenë të detyruar që të reagojnë dhunshëm nëse do të ndodhë. Ne kemi parë diçka të ngjashme në katër muajt e fundit. Pra, çfarë mund të thuhet, nga një perspektivë ekonomike, nën udhëheqjen presidenciale amerikane të radhës?
Ja dhjetë mendime.
I pari, kjo është një ekonomi që është rritur në mënyrë solide që nga Recesioni i Madh. Në termat ciklikë, në horizont duhet të shfaqet një ngadalësim ekonomik, megjithëse ashpërsia e rënies së fundit ekonomike tregon se recesioni ka më pak gjasa të ndodhë se në ciklet e mëparshëm.
I dyti, pavarësisht se vendi është pranë kapacitetit të plotë, ShBA-ja ende ka një deficit fiskal prej 3.2% të PBB-së.
I treti, planet e të dy kandidatëve janë krejtësisht të ndryshme: shkurtime të mëdha në taksim nga Donald Trump dhe një rritje modeste në taksat e shtresës së lartë nën udhëheqjen e Clinton-it. Por, të gjithë e dimë se presidenti propozon dhe kongresi nuk miraton, politika fiskale do të vendoset gjerësisht nga legjislativi, dhe jo nga administrata.
I katërti, është e sigurt të mendoni se deficiti amerikan do të qëndrojë i lartë, mbase dhe do të rritet pak, gjatë katër viteve.
I pesti, tregjet financiare nuk duhet ta kenë problem këtë, ndoshta për shkak të ofrimit të normave të interesit më të larta si rezultat. Nëse kjo është e drejtë, epoka aktuale e parasë së lehtë po i afrohet fundit. Nëse normat në afatgjatë do të rriten, Rezerva Federale do të vendosë normat në afat të shkurtër. Tashmë tregu e pret këtë dhe debati është se kur dhe sa do të rriten normat, dhe jo nëse do të ndodhë. Kjo do të prekë pjesën tjetër të botës.
I gjashti, në terma afatshkurtër dollari do të forcohet. Nëse ke ndarë veç disa para, më mirë të fitosh ndonjë të ardhur nga interesat në dollarë, se sa të mos fitosh asgjë duke i mbajtur në euro apo në jen. Në afat të gjatë interesat në pjesën tjetër të botës do të ngrihen gjithashtu.
I shtati, ka një rrezik të shtuar më tepër nën udhëheqjen Trump-it se sa të Clinton, se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për tregtinë e lirë do të dobësohet. Globalizimi është parë kundër interesave të punëtorëve të thjeshtë amerikanë.
I teti, prishja e tregtisë së ShBA-së me Kinën është thuajse e mundur, mbase jo një luftë tregtare, por një marrëdhënie më e ftohtë që do të ngadalësojë rritjen ekonomike në të gjithë botën.
I nënti, kushdo që do të fitojë, do t’i duhet të udhëheqë një vend të përçarë, jo vetëm nga ana sociale, politike dhe gjeografike, të gjithë jemi në dijeni të kësaj, por edhe strukturore. Ajo çfarë po ndodh me industritë e teknologjisë së lartë të Bregut Perëndimor është plotësisht e ndryshme nga çdo gjë tjetër. Këto të çara strukturore ka gjasa që do të zgjerohen përgjatë katër viteve.
I dhjeti, vende të tjera, sidomos Kina dhe Rusia, do të duan të testojnë presidentin e ri. Cilido që do të fitojë, do të shikohet si një mundësi për të avancuar interesat e tyre kundrejt atyre të ShBA-së. 2017 do të jetë një vit me pengesa.
Këto pengesa do të jenë shumë më të mëdha nën presidencën e Trump-it se sa të Clinton-it. Por, edhe fitorja e Clinton-it nuk do të jetë domosdoshëmrisht e qetë. Ekonomia amerikane do të ketë tensione.
Krahasimi i planeve ekonomike
Taksat, shkurtimet dhe shpenzimet
Trump-i është në favor të uljes së taksave për të gjithë dhe reduktimin e niveleve të taksimit nga shtatë në tre. Ai do të ulë normën e lartë të taksimit në 33% nga 39.6%.
Clinton do të mbajë të njëjtat taksa për pjesën më të madhe të amerikanëve, por do të shtojë një nivel të ri për ata me të ardhura më të larta. Të ardhurat prej saj do të shkojnë për të financuar programet e edukimit falas për studentë që vijnë nga familje të shtresës së mesme dhe të varfër.
Fushata e saj po bën thirrje për taksa më të larta mbi të pasurit, për njerëzit që fitojnë më shumë së 5 milionë dollarë.
Të dy kandidatët kanë propozuar që të mbyllen shtigjet tatimore që favorizojnë kryesisht të pasurit.
Trump-i propozon përjashtim të ndihmës ndaj përkujdesjes së fëmijëve që mbulon kostot mesatare, ndërsa Clinton propozon kufizimin e numrit të taksapaguesve që pretendojnë përjashtim deri në 28%.
Përjashtimi nga taksat lejon që njerëzit të zbresin disa nga të ardhurat e tatueshme, duke ulur nivelin (fashën) në të cilën bëjnë pjesë. Në mënyrë tipike favorizojnë të pasurit që marrin më shumë, ndërkohë që 43% e amerikanëve, të cilët aktualisht nuk paguajnë mbi të ardhurat, nuk do të preken nga ndryshimi.
Trump gjithashtu propozoi eliminimin e taksës mbi pronën apo “taksën e vdekjes” plotësisht. Taksa aplikohet kur një pjesëtar i familjes e kalon vlerën prej 5.45 milionë dollarësh si individ ose 10.9 milionë dollarë si një çift i martuar.
Kandidati republikan tha se ai do të reduktojë normën e taksës mbi korporatat në 15% nga norma aktuale prej 35%, një nga më të lartat në botë.
Fushata e Trump-it tha se plani do të pakësojë sasinë e të ardhurave që qeveria mbledh me 4.4 trilionë dollarë në një dekadë. Ndërsa programi i zonjës Clinton do t’i shtonte të ardhurat me 1.1 trilion dollarë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm.
Asnjë prej kandidatëve nuk ka propozuar ulje të rëndësishme për shpenzimet në programet e pensionit dhe kujdesit shëndetësor. Ky financim i nevojshëm është i pritshëm në dekadën që do të vijë, por mbetet ende e paqartë se nga do të vijnë paratë pa u rritur taksat.
Marrëveshje të reja tregtare
Trump-i ka bërë më të mirën për të theksuar pakënaqësitë rreth marrëveshjeve tregtare.
Propozimet e tij ekonomike sugjerojnë rinegocimin, duke përdorur negociatorë që do të kenë për qëllim “të fitojë për Amerikën”. Ai nuk është shprehur se çfarë nënkupton “me fitore”, por ka premtuar se do të qëndrojë larg marrëveshjeve, siç është marrëveshja e tregtisë së lirë të vendeve të Amerikës së Veriut (NAFTA), nëse nuk arrihet një marrëveshje e mirë.
Ai gjithashtu ka premtuar se do të jetë i ashpër me vendet që dhunojnë marrëveshjet e tregtisë, duke aplikuar tarifa të reja dhe se do t’i ndjekë këto çështje në OBT. Veçanërisht ka thënë se do të etiketojë Kinën si “një manipulator të monedhës”.
Tarifat
Trump-i ka kërkuar tarifim 35% për të mirat nga Meksika dhe 45% për ato që vijnë nga Kina.
Kjo do të thotë se një televizor 100 dollarë nga Meksika do të kushtojë 135 dollarë.
Kjo do t’i nxisë konsumatorët amerikanë që të blejnë më shumë produkte të prodhuara në Amerikë, por do të nxisë edhe Meksikën që të vendosë një taksë importi te të mirat amerikane, duke e bërë të vështirë për kompanitë amerikane që t’i shesin mallrat e tyre jashtë. Meksika blen 267.2 miliardë dollarë në të mirat e prodhuara në Amerikë, duke qenë vendi i dytë më i madh i eksporteve për Shtetet e Bashkuara.
Clinton tha se këto tarifa do të çojnë në një luftë tregtare duke e bërë të vështirë për Shtetet e Bashkuara që të konkurrojnë në rang global. Ajo ka qenë e luhatur në deklaratat e saj. Fillimisht ajo e mbështeti Partneritetin Trans-Paqësor, por më vonë tha gjatë fushatës së saj se nuk mendonte se ishte marrëveshja e duhur për Amerikën.
Plani i saj fokusohet më shumë në rritjen e prodhimit në SHBA duke ofruar stimuj fiskalë për kompanitë që ndërtojnë në vend. Ndërsa ka kritikuar disa nga marrëveshjet tregtare, ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja nëse do të zgjidhet.
Trump mbi tregtinë
• Do të rinegociojë marrëveshjet në favor të SHBA-së
• Do t’i zgjidhë ato në rast se nuk arrihet një marrëveshje e mirë
• Do të shtojë tarifa mbi disa prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, përfshirë Meksikën dhe Kinën
Clinton mbi tregtinë
• Ndryshoi mendim mbi TPP, për të cilën ka ndihmuar në negocim.
• Në 2007, kritikoi marrëveshjet e tregtisë me Korenë e Jugut, më pas e mbështeti si sekretare e Shtetit
• Ka mbështetur NAFTA-n, por herë pas here ka qenë kritike ndaj saj
Të dy kandidatët kanë premtuar se mundësojnë hapjen e më shumë vendeve të punës, edhe pse papunësia është në shifra shumë të ulëta prej 4.9% që nga fillimi i vitit.
Plani i punësimit i Trump fokusohet tek inkurajimi i hapjes së bizneseve në SHBA. Ai sugjeron se investimet në infrastrukturë, zvogëlimi i deficitit tregtar, ulja e taksave dhe heqja e rregullave (ligjeve) do ta bëjnë më të lehtë për kompanitë që të punësojnë.
Trump është fokusuar më shumë në rritjen e vendeve të punës në industrinë përpunuese, numri i së cilës ka rënë me 5 milionë që nga viti 2000. Një pjesë e kësaj rënieje ka ndodhur për shkak të përmirësimeve në teknologji dhe jo prej nënkontraktimeve.
Ai ka premtuar se do të krijojë 25 milionë vende pune në 10 vjet dhe se do të arrijë një rritje ekonomike me 3.5%. Rritja e PBB-së ishte 2.4% në 2015.
Politika e Clinton në lidhje me rritjen e numrit të vendeve të punës është pak më shumë specifike. Ajo ka bërë fushatë për të shtuar trajnimet, që pjesërisht janë të paguara nga të ardhurat nga taksat e amerikanëve të pasur. Ajo ka deklaruar rritje të shpenzimeve në infrastrukturë dhe investime në energjetikë për të rritur numrin e të punësuarve në këtë sektor.
ÇFARË NDODH NËSE FITON:
Hillary Clinton
– Znj. Clinton, nga ana tjetër, do të rrisë taksat për të pasurit, do të rrisë shpenzimet për trajnime dhe do të ulë taksat për kompanitë që punësojnë më shumë amerikanë
-Një marrëveshje mbi reformën e taksimit të korporatave do të ulte normën e taksimit, do të mbyllte hapësirat që përdorin disa kompani për të shmangur pagesat e tyre, si dhe do të ofrojë disa lloje të taksash për të nxitur shumëkombëshet që të sjellin fitimet e tyre në vend, për t’u taksuar me një normë të ulët prej 15%.
-Rritje e pagës minimale. Një rritje deri në 9% mund të ndodhë
-Reforma emigracionit. Kongresi pothuajse ka kaluar ligje gjithëpërfshirëse mbi emigracionin në vitin 2014, por disa prej republikanëve i kanë bllokuar. Nëse republikanët bëjnë figurë edhe më të keqe te hispanikët, do të jetë një alarm për të bërë diçka më produktive në emigracion.
Donald Trump
-Shkurtime të mëdha në taksim
-Deficiti amerikan do të qëndrojë i lartë, mbase dhe do të rritet pak, gjatë katër viteve.
-Në terma afatshkurtër, dollari do të forcohet. Nëse ke ndarë veç disa para, më mirë të fitosh ndonjë të ardhur nga interesat në dollarë, se sa të mos fitosh asgjë duke i mbajtur në euro apo në jen. Në afat të gjatë, interesat në pjesën tjetër të botës do të ngrihen gjithashtu.
– Ka një rrezik të shtuar më tepër nën udhëheqjen Trump-it se sa të Clinton, se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për tregtinë e lirë do të dobësohet.
Donald Trump bën me dije se zgjedhjet do të manipulohen
Në përfundim të debatit të tretë dhe të fundit presidencial, në Las Vegas më 19 tetor, Donald Trump duhet të ketë menduar se çfarë mund të bënte më shumë për të dëmtuar demokracinë amerikane. Çfarë po mendonte kur u pyet për të konfirmuar nëse do ta njihte vendimin që do të merrnin amerikanët më 8 nëntor dhe iu përgjigj duke i mbajtur pezull se do të përgjigjej kur të vijë koha.
Trump, në fakt, e ka përsëritur këtë fjali vazhdimisht në javën e fundit. Duke u zvarritur pas kundërshtares së tij të Partisë Demokratike, Hillary Clinton, me 7 pikë përqindje, ai bën me dije se zgjedhjet do të manipulohen. Një pjesë relativisht e madhe e mbështetësve të tij duket se janë dakord, pasi në një sondazh të fundit, 73% e republikanëve thonë se zgjedhjet mund të “manipulohen”. Por, ishte e mahnitshme që të dëgjoje Trump-in duke ushqyer frikë të pabazë, për rrezikun që sado i vogël është i mundshëm, për dhunë paszgjedhore, në finalen e kësaj fushate të mjerueshme.
Ai mbase as nuk e kishte planifikuar lëshimin e një teorie të tillë konspirative, të cilën partneri i tij në këto zgjedhje, guvernatori Mike Pence i Indianës, e mohoi me shpejtësi. Në pjesën më të madhe të debatit, Trump ishte i përmbajtur. Ai nuk e përsëriti premtimin e tij të lëshuar gjatë debatit të dytë, për të burgosur Clinton-in, si dhe nuk u mburr se nuk ka paguar asnjë taksë federale, sikurse bëri në debatin e parë. Ai foli më butësisht, përveçse për disa çështje, duke artikuluar pozicionin e tij për paprekshmërinë e amendamentit të dytë, katastrofën e politikës amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe dëmin e shkaktuar në disa komunitete për shkak të globalizmit.
Moderuar nga Chris Wallace, një prej moderatorëve më të rëndësishëm i FOX NEWs, debati ishte shqyrtimi më serioz i zgjedhjes së vështirë që kandidatët po iu ofrojnë amerikanëve.
Vota për Clinton-in më 8 nëntor do të thotë se ata do të vazhdojnë presidencën e Obama-s, edhe pse ajo vetë, ka theksuar disa dallime. Ajo nuk do ta rimendojë refuzimin e marrëveshjes së Partneritetit Trans-Paqësor (TPP) dhe do të përpiqet që të kalojë reformën e emigracionit, ku përfshihet një rrugë për të marrë shtetësinë për ata të cilët janë pa dokumente, në 100 ditët e para të qeverisjes. Ose të votojnë për Trump-in dhe të kenë një Gjykatë Supreme, më shumë siguri në kufi, si dhe një tregti dhe politikë të jashtme agresive, për të transformuar fuqitë e Amerikës.
Këshilltarët republikanë, gjithmonë kanë dashur që ai të debatojë në këtë mënyrë, për të bindur konservatorët për seriozitetin e tij. Nëse do ta kishte bërë më parë këtë, do të kishte qenë më mirë. Por, ky debat nxori në pah se sa e vështirë është për Trump-in që të përmbahet.
Sa më gjatë i zgjat diskutimet mbi çështje të caktuara me zonjën Clinton, aq më turpëruese bëhet situata për të, pasi duket qartë se ndryshe nga ajo, Trumpi nuk e ka idenë se për çfarë po flitet. Ai nuk di të maskojë mungesën e përvojës, sikurse George W. Bush bëri në vitet 2000 me profesorin Al Gore.
Clinton, e cila pati një performancë të lartë gjatë debatit, është eksperte për ta provokuar atë.
Në fund, sigurisht që ai u mund. I sulmuar nga Clinton, në përgjigje të dyshimeve të tij mbi legjitimitetin e zgjedhjeve dhe vesit të tij të vjetër për të mos pranuar humbjen, e bëri veten që të dukej akoma më qesharak. Ajo dha si shembull momentin ku Trump thonte se çmimet EMMY ishin të manipuluara vetëm sepse një prej televioneve të tij nuk kishte fituar. Më pas kur ajo po shpaloste planet e saj për mirëqenien, Trump shfryhu,- “Sa grua e keqe”, duke tingëlluar absurd më shumë se sa kërcënues.
————-
Vota ungjillore:Hakmarrja e Absalomit
Donald Trump, koklavitje dhe dhimbje koke me kopenë e Perëndisë
Ndoshta, predikuesi në fjalën e tij se sprovat e Zotit kanë ndonjëherë lot dhe probleme, nuk e kishte për hyrjen plot ngatërresa të Donald Trump në kishën e stërmadhe të Gainesville, Georgia, në shërbesën e së dielës të pak javëve më parë. Broshura në shitje e kishës nga pastori i saj i nderuar, Jentezen Franklin, e bën qëndrimin e kishës të qartë. Ai rekomandon tri ditë kreshmë para 8 nëntorit, duke këshilluar se meqë vendi është në krizë, nuk ka më kohë për t’u treguar të dobët. Zoti Franklin është pjesë e bordit këshillues ungjillor të zotit Trump.
Asnjë prej lavazheve të trurit të nevojshëm për Trump-ët, nuk janë më torturues se arsyetimet e ofruara nga mbështetësit e tij ungjillorë. Në të kaluarën Jerry Falwell, president i Universitetit Liberty, përdori Atin e shquar dhe Jezusin për t’i thurur lavde Trump-it, një biznesmen peshkaqen dhe i paskrupullt, i cili mburrej në televizion për përmasat e penisit, bënte gafa të turpshme në lidhje më katolicizmin dhe gruaja e të cilit ka pozuar për faqe pornografike.
Pas situatës emergjente të skandaleve të vjetra mbi ngacmimet seksuale, zoti Falwell insistoi se “të gjithë jemi mëkatarë”, duke lënë që të kuptohej se skandalet u thurën nga antirepublikanët.
Dy janë çështjet që përsëriten në argumentet e moralistëve ndaj pronarit të kazinosë. E para, është se asnjë prej kandidatëve nuk është perfekt, deri sa ‘Jezu Krishti’ të kandidojë për atë post. Zoti Franklin vajton faktin se gjithmonë për amerikanët do të jetë një zgjedhje e atij që është më pak i ligë.
Argumenti i dytë është se posti në garë është për Komandantin e Përgjithshëm, dhe jo për predikuesin e shërbesës së të dielës. Fuqia e presidentit për të emëruar gjykatësit e Gjykatës Supreme, dhe kështu të ndikojë mbi ligjin e martesave, abortin dhe lirinë fetare. Ky rast realist u mëshirua nga Tony Perkins i Këshillit Kërkimor të Familjes, i cili shpjegoi se mbështetja për Trump-in nuk ishte e bazuar mbi vlerat që ata ndanin. Në fund të fundit, mbështetja biblike, tregon se Perëndia shpesh vendos si bastunin e tij njerëz me të meta të mëdha. Epshi i Mbretit David është precedenti më i cituar.
Gjithsesi, disa kanë dëgjuar më shumë se ç’duhet. Më 9 nëntor Wayne Grudem, një teolog me shumë ndikim, tha se po shpresonte që zoti Trump të hiqte dorë. Russell Moore, nga Komisioni i Etikës dhe Lirisë Fetare, thotë se çdo pastor nën 40 vjeç është revoltuar nga fushata. Ndarja e gjeneratave, tha ai, sjell shqetësime në garë. Shumë ungjillorë të rinj duan njëkohësisht që të shlyejnë gabimet raciste dhe të zgjerojnë bazën e besimit; mbështetja ndaj thirrjeve raciste të Trump-it është moralisht problematike dhe vetëshkatërruese, pasi të moshuarit e bardhë dhe të inatosur nuk janë e ardhmja e kishës.
Në një analizë, e gjitha kjo është kulmi i një tendence paraprake. Që nga presidenca e Donald Regan, i divorcuar, të bardhët ungjillorë protestantë janë më të lidhur me Partinë Republikane.
Por, Wayne Flynt, autor i librit më të ri mbi fetë e jugut, thotë se në politikë, liderët ungjillorë, e përcaktojnë moralitetin në termat e politikës dhe jo të karakterit.
Fatmirësisht për Partinë Republikane, ungjillorët e bardhë votojnë, zakonisht më shumë se të tretat e totalit, duket se nuk ka gjasa të braktisin në masë. Partiakët janë shumë të ashpër, ndërsa demokratët shumë të pakëndshëm. Gjithsesi, për këto zgjedhje ka shenja ogurzeza. Shumë ungjillorë, sipas sondazheve, tregojnë se janë më tepër të motivuar nga neveria që ndiejnë për zonjën Clinton, se sa entuziazmi që ndiejnë për Trumpin.
Një sondazh nga Lifeway Research gjeti se, në mes të pastorëve protestantë, udhëheqja e Trump-it ishte më e pakët se sa e kandidatëve të mëparshëm, shumica ishte e pavendosur. Mbështetja tek ungjillorët, ndërkohë që ende është e fortë, është më e pakët se e paraardhësve të tij. Më shumë mund të zgjedhin që të qëndrojnë në shtëpi ditën e votimit, gjë që e cila dëmton republikanët.
Kjo do të bëjë diferencën në vende ku rezultati mund të kthehet, si në Florida dhe në Karolinën e Veriut. Udhëheqësit ungjillorë duhet t’i kushtojnë më tepër vëmendje shëmbëlltyrës së tyre. Epshet e Mbretit David po rikthehen që t’i përndjekin: dashuria ndaj birit të vdekur dhe revolta e Absalomit ndaj tij.
————-
E urryera Hillary
Presidentja e mundshme e Amerikës është shumë e kritikuar. Pse?
Për të kuptuar më mirë konsideratën për Hillary Clinton si Senatore dhe si Sekretare Shteti, hiqni dorë nga ata që janë pranë saj. Bashkëpunëtorët e saj më të afërt thonë se ka një tipar mbrojtës dhe se nuk pranon asnjëherë fajin, kokëfortë, shkruan The Economist.
Por, gjithashtu mos merrni parasysh as ata të cilët e fitojnë bukën e tyre duke kritikuar kandidaturën demokratike siç është Dick Morris, shpikës i frazës së “trekëndëshit” për të përshkruar metodën politike të Bill Clinton.
Për një kritikë më të paanshme të znj. Clinton dëgjoni disa operativë më pak të pjesshëm dhe më pak politikanë, të cilët kanë punuar me të gjatë 25 viteve të fundit.
Clinton është e varur nga puna, ajo është e pamëshirshme për të kërkuar prej punonjësve kohë dhe besnikëri dhe ndonjëherë mund të jetë një kritike e ftohtë, ndonjëherë dhe pa të drejtë, tha një prej ndihmëseve e saj, e cila ka luajtur një rol më të vogël në fushatën e znj. Clinton se sa ajo do të donte.
Ish-kolegët e kongresit të znj. Clinton, duke përshirë dhe disa republikanë, të cilët kanë pritur që ajo të shkatërrojë mandatin presidencial të bashkëshortit të saj në 1990-n, flasin me më tepër admirim për të. Don Nickles, një ish-senator republikan, thotë se ajo do të jetë një përmirësim i madh i Barack Obama-s.
“Dhe jo vetëm në Senat. Ajo ka qenë kështu gjatë gjithë jetës së saj”.
Këto janë për ta marrë znj. Clinton me të mira, por vlerësimet nuk thonë të njëjtën gjë. Rreth 55% e amerikanëve nuk e pëlqejnë atë, e njëjta shifër është dhe për ata që nuk kanë besim tek ajo. Megjithatë, mes atyre që e mbështesin atë, edhe më kritikët lavdërojnë integritetin e saj. Ajo është një politikane, prandaj interesi vetjak dhe cinizmi herë pas here, është i nxitur nga dëshira e saj për të përmirësuar Amerikën. Më befasues është fakti se pavarësisht shumë skandaleve që ajo është përfshirë, duke përmendur këtu edhe zhurmën e vazhdueshme mbi përdorimin e një serveri privat për email-et, jo të gjithë mendojnë se ajo është dredharake.
Atëherë çfarë e shpjegon jopopullaritetin e zonjës Clinton, që më 8 nëntor do të nxisë miliona amerikanë që të justifikojnë votën ndaj një burri që sulmon gratë? Duke pasur një avantazh me 6 pikë përqindje, ka shumë të ngjarë që do të triumfojë. Megjithatë, ajo do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë si banorja më e kritikuar e kohëve moderne. Zoti Trump ka hamendësuar se asaj edhe mund t’i bëhet ndonjë atentat dhe përvoja në mitingjet e tij tregon se ai ka të drejtë.
Megjithatë, antipatia për zonjën Clinton nuk është një fantazi e krahut të djathtë, ajo ka gjithashtu pak besim në partinë e saj. Thuajse një e treta e demokratëve thonë se nuk bien dakord me vendimin e prokurorisë për të mos hetuar kandidaten e tyre presidenciale, mbi email-et. Është e vështirë që të mendosh për një tjetër politikan, figura e të cilit është aq e kundërshtuar nga kolegët e saj.
Gjatë zgjedhjeve paraprake, vlerësimet e favorshme të saj ishin ngushtuar sidomos te të rinjtë, 60% votuan për Obama-n në 2012, por vetëm 31% kanë një mendim pozitiv për znj. Clinton. Kjo nuk është e vërtetë vetëm te të rinjtë meshkuj, por edhe te femrat, të cilat kanë rezultuar të pandjeshme ndaj perspektivës së presidencës së parë grua në Amerikë. Gratë më në moshë, të cilat e kanë mbështetur në zgjedhjet paraprake atë, shpeshherë janë inatosur nga kjo e fundit. Madeleine Albright, sekretare e mëparshme e Shtetit, tha se ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk mbështesin gratë. Megjithatë, të rejat nuk shikojnë logjikë, ndoshta sepse ato nuk kanë provuar lejen e lindjes dhe pabarazitë në pagë, dy fusha ku gratë raportojnë më së shumti seksizëm. Më pak fjalë, është e vështirë të mendosh për një politikan tjetër më të përshtatshëm se znj. Clinton për të luftuar racizmin në Amerikë. Por, shpjegimi i antipatisë së fortë të amerikanëve ndaj saj është i pamjaftueshëm, për shkak se deri dje ajo ishte një prej figurave më popullore në Amerikë. Kur ajo u largua nga Departamenti i Shtetit në vitin 2013, 65% e amerikanëve shprehnin një pëlqim ndaj saj. Pse shumica tani ndiejnë të kundërtën?
Elegji për Hillary dhe Bill
Dy vështrime të kontekstit janë të rëndësishme. I pari, Clinton ka qenë aty më parë. Thuajse deri në momentin që u bë pjesë e vëmendjes kombëtare, në 1991 gjatë fushatës presidenciale të burrit të saj, njerëzit u vunë kundër saj. I dyti është se asnjë nuk e dinte pse zonja Clinton vazhdoi të zhytej nëpër skandale, përfshirë dhe atë të vitit 1996 për një konflikt interesi për një investim në pronën që Clinton-ët kishin bërë në Arkansas, nuk e ndihmuan aspak. Ajo u shfaq gojëkyçur dhe aspak e përpiktë me respektimin e ligjit. Akuzat më të rënda, duke përfshirë dhe ato më të ndjekurat nga Kenneth Starr, avokati i pavarur që zbuloi flirtimin e zotit Clinton me Monika Lewinsky, janë hedhur poshtë si të paprovuara apo si të pabaza.
Edhe ngurrimi i saj për të marrë mbiemrin e burrit ishte i diskutueshëm.
Burimi i këtij shqetësimi ishte martesa e Clinton-ëve. Për gjithë kritikët e tyre është parë si një marrëveshje e ftohtë zemre, kryesisht në favor të zonjës Clinton. Gjithsesi, ata të cilët e panë si një parazite cinike në suksesin e të shoqit kanë nënvlerësuar arritjet e saj; në mesin e të njëzetave ajo ishte e suksesshme në fushën ligjore dhe një aktiviste me reputacion kombëtar; fjalimi i saj në kolegjin “Wellesley” u pasqyrua gjerësisht në shtyp. Për më tepër, Clinton-ët ishin gjithmonë përpara me bashkëpunimet e tyre, zonja Clinton premtoi një presidencë 2 në 1. Kjo shpjegon se pse zonja Clinton nuk e braktisi kurrë bashkëshortin kurorëshkelës, një çështje që kritikët i janë drejtuar shpesh.
Edhe tani, megjithëse është raportuar se tradhtitë e zotit Clinton kurrë nuk kanë marrë fund, miq pranë çiftit përshkruajnë dashurinë e të dyve. Shpesh ata kapin duart e njërit-tjetrit, thotë njëra prej ndihmëseve të zonjës Klinton. Megjithatë nëse marrëdhënia e tyre është e rrënjosur thellë, kjo nuk do të thotë që amerikanët duhet ta pëlqejnë. Në fakt, nuk ka asnjë arsye pse të mos e bëjnë.
Gjatë presidencës së parë të bashkëshortit, zonja Clinton dyshohet se ka qenë përfshirë në prishjen e reputacionit të grave që kanë pretenduar se kanë pasur marrëdhënie jashtëmartesore me të. Ky veprim mund të falet nga një bashkëshorte xheloze, por te një grua që pretendon se beson te pafajësia e bashkëshortit dhe një feministe e hapur, duket e neveritshme.
Si Zonja e Parë më e fuqishme e të gjitha kohërave, me një zyrë në Shtëpinë e Bardhë dhe përgjegjëse për reformën në sistemin shëndetësor që përfaqëson 15% të ekonomisë, ajo u përball me sulme të ashpra. Ndonjëherë, përgjigjet ishin të ekzagjeruara ndaj gabimeve për të cilat ajo ishte përgjegjëse pjesërisht. “Hillarycare” ishte shumë e koklavitur. Në fjalimin që ajo dha në Seattle për reformën, protestuesit ishin kundër saj.
Të dy Clinton-ët kishin të meta. Megjithatë, mizoria e protestave të tilla reflektoi diçka më shumë: ndjesinë e fajit që kishte pushtuar çiftin.
Çështja e email-eve
Fakti që ajo është fajtore në lidhje me çështjen e email-eve, e ndërlikon edhe më shumë këtë rast. Megjithatë, bindja në lidhje me skandalin e publikuar nga mediat dhe Trump, se shkeljet e saj ishin tepër të rënda dhe se do të nevojitej një aktakuzë nga FBI, është një idiotësi. Një raport me 250 faqe i Byrosë Federale Investigative në lidhje me çështjen përshkruan trashëgimin e një institucioni nga ana e zonjës Clinton me probleme në procedurat kaotike të komunikimit. Marrëveshjet e email-eve të saj ishin të motivuara kryesisht nga përdorimi personal, pasi ajo kishte dëshirë të dërgonte email-e personale dhe private nga një pajisje e vetme, telefoni i saj Blackberry. Kjo pjesërisht pasi ajo ka kaq shumë fobi ndaj teknologjisë sa nuk di të përdorë një kompjuter desktop. Gjithashtu është e arsyeshme të supozohet se marrëveshja kishte për qëllim që t’i jepte asaj maksimumin e privatësisë. Sido që të jetë, ajo është lejuar që të veprojë kështu.
Problemi ishte se 193 email-e, të cilët përmbanin informacion të klasifikuar u ekspozuan nga serveri privat i zonjës Clinton, gjë që nuk ishte e lejuar. Megjithatë FBI doli në përfundim se kjo vepër e zonjës Clinton nuk ishte e paramenduar, një kusht ky për ndjekje penale në të tilla raste. Në bëmat e gabimeve politike, historianët e ardhshëm me siguri që nuk do të ndalen gjatë në çështjen e email-eve të zonës Clinton. Por, është e sigurt se ata do të habiten prej faktit se si besimi i ekzagjeruar në shpërdorimin e detyrës thuajse krijoi kushtet për Trump-in që të kapë Shtëpinë e Bardhë.
Në fund të fundit, çfarë po e nxit këtë besim? Dështimet politike dhe natyra kokëfortë e zonjës Clinton po kontribuojnë qartë. Megjithatë, edhe nëse ju jeni duke e gjykuar zonjën Clinton ashpër, është e vështirë të mos dalësh në përfundim se seksizmi i fshehtë është një arsye e fortë e luftërave të saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.