Çmimet e ulëta po dëmtojnë të gjithë segmentet prodhuese të ekonomisë, ndërsa paradoksalisht nuk po vlejnë aty ku pritej, te lehtësimi i familjeve më të varfra.
Çmimet e ushqimeve dhe pijeve alkoolike, produktet me peshë më të madhe në buxhetin e familjeve të varfra, vazhdojnë të rriten
Nga Albana Muçaj
Kur inflacioni është në nivelet afër zeros prej të paktën tre muajsh, deflacioni, e mbi të gjitha depresioni i çmimeve, janë tek dera. Prej tre muajsh, inflacioni ishte vetën 0.2-0.3%, çka nënkupton një presion të madh mes prodhuesish. Ato nuk arrijnë të shesin e në këtë pikë, as nuk mund të mendojnë të rrisin çmimet, edhe nëse mund të kenë taksa më të larta.
Inflacioni i ulët shqetëson prodhuesit, por është pasqyrë e faktit që konsumatorët po blejnë me çmime të ulëta. Dhe konsumatorët janë më shumë se prodhuesit. Por, në fakt, ky nuk është një përfundim i saktë, të paktën në realitetin tonë. Në një vend, ku 45% e popullsisë jeton me më pak se 5 euro në ditë, produktet e ushqyerjes zënë peshën më të madhe të shportës familjare. Nga anketa e fundit e shportës, Instituti i Statistikave, vëren se pesha ka rënë lehtësisht, por pesha e grupit të mallrave të konsumit “ushqim dhe pije joalkoolike” ka zbritur nga 40% në 36% në 7 vitet e fundit, duke mbetur dukshëm grupi me peshë më të rëndësishme. Është ky grupmallrash në fakt që vijon të shënojë rritje çmimesh.
Zarzavatet e perimet, të cilat zënë më shumë se 10% të shpenzimeve në një familje të varfër, kanë rritjen më të madhe të çmimeve në vlera vjetore 17-20%.
Studimet tregojnë se në familjet e varfra, pesha e ushqimeve të përditshme mund të arrijë të marrë deri në 80% të buxhetit mujor, pra pikërisht ato produkte që po shënojnë rritjen më të madhe të çmimeve.
Ekonomistët e shohin me shqetësim këtë fakt, i cili nuk po dëmton prodhuesit e bizneset e shërbimit, por edhe ato që në fakt duhej të ishin përfituesit e një inflacioni të ulët: konsumatorët e varfër.
Duhet studim tregu, pse rriten vazhdimisht disa çmime
Flet Ilir Ciko, ekonomist
Është e vërtetë që po të shikohet indeksi i çmimeve, vihet re që ka një lloj paradoksi të lehtë, pasi ndërsa i gjithë inflacioni mbetet në nivele të ulëta, më të ulëta se sa ato që do të duhej të ishin një zhvillim normal të ekonomisë, disa prej produkteve kanë shënuar rritje të çmimeve. Kjo nuk është se ka ndodhur vetëm gjatë muajve të fundit, por vitet e fundit kanë shënuar një rritje të konsiderueshme. Kjo rritje vërtitet në rreth 20% në vit. Fruta-perimet në strukturën e konsumit të një familje tipike zënë rreth 9%. Kjo shifër i përket një familjeje mesatare shqiptare, ndërsa ata që preken më shumë nga një rritje e tillë e çmimit janë familjet me të ardhura nën mesatare.
Ndërkohë, të gjitha kategoritë e produkteve kanë shënuar një rritje të lehtë, krahas fruta-perimeve, janë rritur shërbimet në arsim, të cilat veçanërisht gjatë tremujorit të dytë e të tretë kanë shënuar një rritje të konsiderueshme. Përpos këtyre, të gjitha çmimet e produkteve kanë qenë në rënie ose në një rritje të lehtë.
Një rritje e vazhdueshme e çmimeve të produkteve të caktuara kërkon një analizë të plotë dhe është e nevojshme të kryhet një gjë e tillë, pasi prek shtresat e varfra të popullsisë.
Paraprakisht vlerësohet të ketë një mori faktorësh. Nga ana e ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë flitet që ka probleme me ofertën në treg, me dëmet që fermerët mund të kenë pësuar. Mendoj se në çmimet e rritura ka ndikuar edhe shtimi i investimeve të kryera në bujqësi. Ato kanë synuar në rritjen e harkut kohor të futjes së produkteve në treg dhe po të vini re në treg, shumë produkte janë futur më herët se në vitet e mëparshme. Natyrisht, që të arrihet kjo kërkohet që të kryhen investime, të cilat rrisin koston e prodhimit e kjo pasqyrohet dhe në çmimin përkatës.
Fenomene të tilla kanë ndodhur edhe në vendet përreth. Ndonëse ka pasur një inflacion relativisht të ulët, produktet bujqësore kanë shënuar rritje të konsiderueshme në çmimet e tyre. Një element që mbetet i rëndësishëm dhe që duhet trajtuar ka të bëjë me faktin që përderisa kemi rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve të njëjta, është me vend që autoritetet të bëjnë studime tregu nëse eventualisht kemi pozicione monopoli. Hapja e tregut do të ishte në dobi të konsumatorit shqiptar.
Depresion mbi çmimet
Inflacioni në fakt po shkon drejt zeros duke paralajmëruar një depresion çmimesh në vend. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në muajin shkurt, niveli i inflacionit zbriti në 0.2%, duke shënuar nivelin më të ulët në tregun e çmimeve në vend prej 13 vitesh. Disa ekonomistë e shohin këtë si një pasqyrë të qartë të kërkesës së ulët për konsum. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, ulja ka ardhur si për shkak të uljes së prodhimit, edhe të kërkesës. Shumica e grupit të mallrave kanë çmime të ulura muajt e fundit. Në çmimet e transportit ka ndikuar ulja e çmimit të naftës. Por ulja e çmimeve për disa ushqime flet për krizë të konsumit në vend.
Nëse inflacioni ishte i ulët që në muajt e parë të vitit, pak më vonë, INSTAT konfirmon arsyen e kësaj ulje. Të dhënat e vitit të kaluar, treguan se për herë të parë pas gjashtë vitesh, shqiptarët konsumuan më pak se një vit më parë. Të dhënat e plota të Institutit të Statistikave flasin për një tkurrje reale prej 0.2%. Ekonomistët fajësojnë për këtë politikat e gabuara në ekonomi, në një kohë të vështirë. Selami Xhepa thotë se ulja e konsumit vërehet edhe tek “emetimi më i ulët i kuponëve tatimorë”.
Por cilat ishin politikat e gabuara dhe zhvillimet negative që rritën pasigurinë. Sipas Xhepës, “pakësimi i të ardhurave reale të qytetarëve vjen për dy arsye. Së pari, mosindeksimi për një kohë të gjatë të pagave dhe një pjesë e madhe kanë humbur vendet e tyre të punës”. Kriza e konsumit shihet edhe tek rritja e huave në formën e overdrafteve. Rritja e tyre, tregon se blerësit po marrin hua për shpenzimet e tyre të përditshme.
Ende nuk është ngritur asnjë shqetësim, për të parë gjendjen e familjeve të varfra (dhe vështirë të ngrihet si problem për t’u trajtuar, për aq kohë sa ministri i Financave raporton se ekonomia po ecën mirë).
Por ekonomistët thonë se, ulja e konsumit te familjet e varfra është më shqetësuese pasi nënkupton kequshqyerjen e tyre e rrjedhimisht, edhe përballjen me shumë sëmundje.
Shporta, ushqimet ranë 4 pikë përqindje në 7 vjet. Rritet arsimi
Sipas shportës së re, që mat strukturën e shpenzimeve familjare mujore, është ulur pesha e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike nga 39.3% në 36.1%. Sjellja e familjes ka ndryshuar e ndihmuar edhe nga politika e taksave. Nga të dhënat e anketës së zhvilluar vitin e kaluar, shpenzohet më pak për ushqime, më shumë për arsim, shëndet, transport, qira, energji. Është rritur pesha e pijeve alkoolike dhe duhanit nga 3.6% në 5%.
Shpenzimet për kafe e restorante janë në ulje nga 4.2% në 2.6%, ndërsa shpenzohet më pak edhe për mobilim e pajisje shtëpie, veshje e këpucë. Një rritje të theksuar kanë shënuar shpenzimet për shërbimin arsimor nga 1.4% në 3.9%.
Në përllogaritje nuk ka ndryshim të metodologjisë, por vetëm të peshave të shportës së mallrave mbi të cilat llogaritet inflacioni, prandaj treguesi është njësoj si të ishte matur me metodologjinë e vjetër.
Sipas INSTAT, artikujt e shportës së re u përzgjodhën në bazë të rezultateve të Anketës së Buxhetit të Familjes, 2014. Bazuar në disa kritere u përzgjodhën gjithsej 333 artikuj nga 271 artikuj që kishte shporta ekzistuese, të klasifikuara sipas klasifikimit evropian, ECOICOP në nivel 7-shifror. Në shportën e re janë përfshirë 66 artikuj të rinj, ndërsa nga shporta ekzistuese janë hequr 6 artikuj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.