Çmimet e drithërave mund të ulen

04/10/2012 4:52 PM 0 komente

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar se konsumatorët e drithërave po reagojnë ndaj rritjes së çmimeve, duke sugjeruar se rritja e pandalshme e produkteve ushqimore mund të ndalet.

Fermerët e bagëtisë dhe pulave kanë ulur konsumin e misrit për ushqim me 8% në 4.4 miliardë shinik në vitin e të korrave që përfundoi në 31 gusht, vlerësoi Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara (USDA). Kjo sasi ishte 150 milionë shinik më pak në krahasim me një vlerësim të mëparshëm.

Çmimet e misrit dhe të sojës, produktet kryesore për ushqimin e kafshëve, arritën në nivele rekord këtë verë për shkak të thatësirës më të keqe në SHBA në 50 vitet e fundit. Kjo rritje u përhap në produktet e tjera bujqësore, duke ngjallur shqetësimet rreth një krize të ushqimeve në vendet e varfra.

USDA vazhdon të jetë pesimiste për të korrat, duke vlerësuar se prodhimi i misrit do të bjerë me 13% në raport me një vit më parë, në 10.73 miliardë shinik, ndërsa të korrat e sojës do të ulen në 2.63 miliardë shinik, një rënie prej 14% me bazë vjetore.

Por çmimet e larta kanë një tendencë rënëse. Departamenti tha se kërkesa e brendshme për misër mund të bjerë me 790 milionë shinik, në krahasim me vitin e kaluar, si rrjedhojë e tkurrjes së kërkesës nga industritë e metanolit dhe të bagëtive, ndërsa eksportet mund të binin me 290 milionë shinik.

“Ulja e kërkesës është një element që ka ndikim të madh,” thotë Chris Narayanan, kreu i departamentit të kërkimeve për produktet bujqësore në Société Générale.

Treguesi CBOT i misrit për dorëzimet e shtatorit ra me 1.4% në 7.71 dollarë për shinik, ndërsa treguesi CBOT i grurit për dorëzimet e shtatorit u rrit me 0.8% në 8.67 dollarë për shinik.

Ndërkohë, agjencia ka ulur gjithashtu parashikimin për prodhimin global të grurit me 4.1 milionë ton në 658.73 milionë, teksa thatësira ka dëmtuar të mbjellat në Rusi dhe Kazakistan.

“Oferta për eksport e vendeve të Detit të Zi është shtrënguar në mënyrë dramatike, si rrjedhojë e problemeve me prodhimin dhe kufizimet e eksportit në Ukrainë,” tha departamenti i shërbimeve të bujqësisë jashtë vendit në një raport të tij.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of