Çmimet e karburanteve u rriten mbi 5% në 6 –mujor, BSH po rrisin inflacionin

09/08/2018 1:00 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë raportoi se, inflacioni vjetor për karburantet erdhi në rritje nga 2.5% në tremujorin e parë në 3.3% në të dytin, duke arritur vlerën e tij më të lartë në harkun kohor të një viti, në muajin qershor (5.6%), duike u bërë shkak për rritjen e inflacionit.

Kanali i drejtpërdrejtë nënkupton përcjelljen e rritjes së çmimeve të karburanteve në inflacionin total nëpërmjet efektit që ka nëngrupi përkatës në shportën e iÇK-së. Ekspertët e Bankës llogarisin se pesha e tij në shportën e konsumit ka ardhur në rritje dhe aktualisht vlerësohet nga iNSTAT-i në rreth 3.14% dhe lidhet me përdorimin e karburanteve nga ana e konsumatorit për shërbim të mjeteve personale të transportit.

Ndërkohë, ndikimi i çmimeve të karburanteve në inflacionin total materializohet edhe përmes kanaleve të tërthorta që lidhen me kostot e prodhimit dhe të shërbimeve. Karburantet përbëjnë një pjesë të rëndësishme të blerjeve të inputeve për kategori të caktuara dhe rritja e kostove si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve, mund të reflektohet në çmimet përfundimtare të mallrave dhe shërbimeve në treg.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë përllogarisin se, kontributi i inflacionit të importuar në atë total arriti në rreth 1.28 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë, nga 0.97 një tremujor më parë. Presionet e shtuara nga rritja e çmimeve të lëndëve të para në tregjet e huaja, do të kishin qenë më të larta, në mungesë të efektit të mbiçmimit të kursit të këmbimit në tregun e brendshëm valuator

Vlerësohet që përçimi i plotë i çmimeve të karburanteve nuk ndodh për të gjithë sektorët. Për shembull, meqenëse “Energjia elektrike” është një sektor me çmime të rregulluara në shportën e iÇK-së është supozuar që presionet e kostove nga luhatjet e çmimeve të karburanteve nuk do të reflektoheshin në çmimet përfundimtare.

Ndërkohë, përçimi i çmimeve të karburanteve supozohet simetrik dhe i plotë sipas peshave përkatëse, në rastet kur sektorët dhe artikujt e ngjashëm të shportës së iÇK-së janë të ndikuar nga konsumi i karburantit.

Për rrjedhim, edhe çmimet finale janë ndikuar nga kostot e këtij të fundit. Rezultatet e vlerësimeve.

Sipas këtyre vlerësimeve, Banka e Shqipërisë konkludon se, çmimet dhe konsumi i karburanteve kanë luajtur rol të rëndësishëm në formimin e inflacionit.

Kontributi i çmimeve të karburanteve është rritur dukshëm në muajin qershor të këtij viti. Ai është trefishuar krahasuar me mesataren e periudhës shkurt-maj (0.2 pikë përqindje).

Ndërkohë, kontributet nga burimet e tjera të formimit të inflacionit total për periudhën shkurt-qershor kanë mbetur relativisht konstante (mesatarisht rreth 1.8 pikë përqindje).

Mbiçmimi i monedhës vendase kundrejt dollarit amerikan (mesatarisht 14% në terma vjetorë, gjatë periudhës janar-qershor 2018), ka zbutur intensitetin e përçimit të rritjes së çmimeve ndërkombëtare të karburanteve në inflacionin total nga dy kanalet bashkërisht.

Duke pasur parasysh rëndësinë që karburantet kanë në zhvillimet inflacioniste, lëvizjet dhe ndikimet e çmimeve përkatëse duhet të mbahen në monitorim të vazhduar, në interes të saktësisë së analizave, parashikimeve dhe të vendimmarrjes së politikës monetare.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz