Bazuar në raportin vjetor të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2013, rreth 76.3% e të gjithë konsumatorëve familjarë i përkasin bllokut të konsumit deri 300 kVh/muaj. Një familje që konsumon 300 kilovat në muaj me çmimet aktuale paguan një faturë mujore prej 2310 lekësh në muaj. Me tarifën e re paguan 2350 ose 540 lekë më shumë. Një familje që aktualisht konsumon 600 kilovat në muaj, paguan 2350 lekë për konsumin deri në 300 kilovat dhe 4050 të tjera mbi këtë nivel, duke u faturuar gjithsej me 6360 lekë.
Me tarifat e reja, kjo familje do të paguajë 5700 lekë, ose 660 lekë më pak. Duke filluar që nga 1 janari, faturat e energjisë do të jenë më të lira për shtresat e mesme dhe ato me të ardhura më të larta dhe do të jenë më të shtrenjta për më të varfrit. Tarifa për një familje të varfër rritet me 23%, e ndërsa për familjet me të ardhura të mesme tarifa ulet me 10.3%.
Biznesi, rritja 16-33%, tarifa e re shkarkon te çmimet e konsumit
Përveç barrës fiskale në rritje biznesi do të ngarkohet vitin që vjen edhe me kosto të tjera shtesë që vijnë nga çmimi i rritur i energjisë. Tarifat e reja të shpallura nga ERE tregojnë për një rritje të çmimit të energjisë nga 16 deri në 33%, përveç furrave të bukës ndaj të cilave është aplikuar ulje e çmimit me 6.6%.
Për bizneset e industrisë, çmimi nga 10.5 lekë që është aktualisht shkon në 14 lekë. Po në këtë nivel, çmimi rritet edhe për bizneset e bujqësisë. Rritja më e madhe është aplikuar për industrinë dhe bujqësinë me 33%, ndërsa për tregtinë dhe shërbimet me 14%. ERE ka barazituar kështu tarifat ndaj biznesit për të gjithë sektorët. Por edhe kjo barrë do të transferohet te konsumatorët nëpërmjet çmimeve më të larta. Kostot në prodhim, shërbime dhe tregti shoqërohen automatikisht me çmime më të larta për konsumatorët fundorë.
Bizneset e mëdha do të paguajnë çmimin e energjisë me 14 lekë për kilovatorë nga një janari, nga 10.5 deri 12 lekë që është çmimi aktual në varësi të sektorëve. Për furrat e bukës, çmimi do të jetë 7.1 lekë për kW/orë, duke pësuar një ulje me 0.5 lekë për kilovat në raport me çmimin aktual. Por, më 2015, biznesi do të paguajë rreth 16 miliardë lekë më shumë, që vijnë si efekt i taksave më të larta, por e gjithë kjo barrë përkthehet në çmime më të larta për konsumatorët.
Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, ka llogaritur se nga këto, 15 miliardë lekë do të paguhen nga konsumatorët dhe vetëm 1 miliard lekë (10 milionë USD) do të paguhen nga biznesi, si rritje e tatimit mbi dividendin. Pra 94% e taksave shtesë do të paguhen nga mbi 90% e qytetarëve dhe vetëm 6% e kësaj rritjeje taksash do të paguhet nga biznesi. Çmimet e energjisë dhe naftës, sa herë që pësojnë rritje, krijojnë një efekt zinxhir në të gjithë linjat e tjera, me efektet deri te çmimet e konsumit.
ERE vendosi të mos rrisë çmimin e energjisë për Operatorin e Transmetimit të Energjisë (OST). Operatori i Transmetimit ka kërkuar një rritje të tarifave në 10%. Operatorët e ndryshëm energjetikë i paguajnë OST-së 0.65 lekë për kilovat/orë të transmetuar në linjë, ndërsa propozimi ishte rritja në vlerë totale prej 0.71 lekë.
ERE vendosi të rrisë çmimin e prodhimit ndaj KESH, duke e çuar në nivelin 1.45 lekë nga 1 lekë që është aktualisht. KESH ka kërkuar të mos ndryshohet tarifa për prodhimin e energjisë 1 lekë për kilovatorë, por rritje të tarifës së shitjes me shumicë, nga 2.2 në 3.48 lekë. Sektori i energjisë dominohet nga kompania e prodhimit të energjisë, (KESH), Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) dhe sektori i Shpërndarjes OSHEE. KESH është përgjegjës për furnizimin e përgjithshëm të energjisë në Shqipëri, duke vepruar si një kompani e prodhimit të energjisë, si dhe një Furnizues Publik me Shumicë, (FPSH). KESH blen energjinë elektrike të prodhuar me çmim të rregulluar, si dhe energjinë e prodhuar nga HEC-et private.
Nëse zhvillimet në sektorin e energjisë ecin me ritmet aktuale dhe nëse tarifa për konsumatorët do të jetë 9.5 lekë për kilovat/orë, deficiti në sistem do të jetë 22 miliardë lekë në vitin 2020, ndërsa kostot nga 12 lekë që janë aktualisht pritet të arrijnë në 11.4 lekë më 2020. Sipas një studimi që ka bërë Banka Botërore, ky skenar nuk e sheshon sërish situatën.
Sipas një skenari tjetër nëse ndërmerren masa në goditjen ndaj përdorimit të paligjshëm të energjisë elektrike, sidomos ndaj konsumatorëve të mëdhenj dhe nëse arkëtimet nga faturimet arrijnë 95%, pjesa tjetër mund të mbyllet duke rregulluar tarifat fundore me të paktën 10%. Në fund të vitit 2020, deficiti financiar në sektor, sipas këtij skenari, do të arrijë në 12 miliardë lekë dhe kosto 11.0 lekë për kilovat/orë.
Skenari agresiv parashikon reduktim po agresiv të humbjeve, i cili kërkon punë të gjerë me klientët e mëdhenj dhe të mesëm. Sipas Bankës Botërore, ky skenar merr në konsideratë arkëtimin e 100% të faturimit dhe eliminimin e vjedhjes së energjisë elektrike. Humbjet e energjisë, sipas këtij skenari, mund të reduktohen me 10% në vit për tre vitet e para. Më tej, zvogëlimi i humbjeve do të kërkonte investime shtesë, të tilla si modernizimi i rrjetit, përmirësimi i mirëmbajtjes dhe përmirësimi i menaxhimit. Sipas këtij skenari, deficiti financiar arrin në 6 miliardë lekë dhe kosto 10 lekë për kilovat/orë.
Kërkesa e konsumatorëve për energji elektrike pritet të arrijë 10,000 gigavatorë në vitin 2020, ndërsa hendeku i furnizimit me energji elektrike do të arrijë 5,000 gigavatorë ose 50% të kërkesës totale deri në këtë vit, sipas një bilanci që Banka Botërore i ka bërë tregut të energjisë në dy dekada. Ky hendek do të krijojë presion për një shtesë financiare ndaj KESH si furnizuesi i burimit të fundit dhe ndaj operatorit të shpërndarjes OSHE. Importet nga KESH pritet të rriten nga pak më shumë se 200 gigavatorë në vitin 2014 në rreth 2,000 gigavatorë në vitin 2020. Kështu, importet për mbulimin e humbjeve pritet të qëndrojnë në mes të 2400 dhe 2900 gigavatorë në vit.
Me një çmim të projektuar 8.4 lekë për kilovatorë të importeve të pritshme për të mbuluar këtë hendek, kostot e KESH do të rriten nga 2 miliardë lekë (0.15% e PBB-së) në 2014 në 16 miliardë lekë (1.2% e PBB-së) në vitin 2020. Ndërsa kostot e operatorit të shpërndarjes për të mbuluar humbjet do të jenë rreth 25 miliardë lekë ose 236 mln USD në vit.
Sipas skenarit të Bankës Botërore, nëse çmimi i KESH ndaj CEZ do të rritet, qeveria nuk do të ketë nevojë për të mbështetur direkt KESH-in ose të garantojë kredi afatshkurtër komerciale për të blerë energji elektrike. Vlerësimet e Bankës Botërore parashikojnë se deri më 2020, mbështetja financiare e qeverisë ndaj KESH mund të arrijë në 4 miliardë lekë (0.3% e PBB-së) në 2020 nga zero aktualisht.
Perspektiva për kompaninë e shpërndarjes është e zymtë. Nga shumica e masave të arsyeshme, të dy, KESH dhe OSHE sh.a., do ta kenë të pamundur të përballojnë kostot pa mbështetjen e qeverisë. Për të dalë nga ky rreth vicioz borxhesh, Banka Botërore rekomandon një rritje fillestare në tarifat e përdoruesve fundorë nga 10-30%, në varësi të programit të implementuar nga OSHE. Por Banka Botërore sugjeron se, një rritje e tillë duhet të shoqërohet nga reforma e ndihmës sociale për të përmirësuar targetimin e saj, për të siguruar se, shtresat më të rrezikuara janë të mbrojtura nga pasojat negative të reformës. Reforma në tarifa gjithashtu duhet të shoqërohet nga një fushatë ndërgjegjësimi publik, për t’i shpjeguar popullsisë arsyet e reformës tarifore dhe masat e planifikuara lehtësuese për të zbutur ndikimin e saj.
Në mënyrë që rreziqet të ndahen drejt midis qeverisë, investitorëve dhe konsumatorëve, tregu ka nevojë të nxjerrë në furnizim të pavarur konsumatorët e mëdhenj, – sugjeron BB në kërkesën e saj për rritjen e çmimit. Përgjegjësia për të furnizuar konsumatorët tariforë i duhet dhënë plotësisht OSSH. Kjo strukturë tregu është në përputhje me direktivat e BE-së dhe që kërkohen të zbatohen edhe për Shqipërinë. Ndërsa zbatimi i rregullave ekzistuese të tregut duhet bërë në mënyrë rigoroze. Në tregun aktual të energjisë elektrike në Shqipëri, rregullat ekzistuese janë implementuar dobët dhe ka disiplinë të mangët të pagesës.
Me gjithë rritjen e fundit, tarifat e reja të energjisë për konsumatorët familjarë janë ende poshtë mesatares rajonale. Shumica e vendeve të Ballkanit ofrojnë çmim më të lartë se 9 cent. Ndërsa në Shqipëri, edhe pas rritjes së 1 janarit, çmimet për konsumatorët familjarë nuk do të jenë më shumë se 6.7 cent. Sipas Shoqatës Rajonale të Rregullatorëve të Energjisë (ERRA) çmimi mesatar i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë për vendet e rajonit është 8.8 Eurocent/KWh. Aktualisht, çmimet më të larta për energjinë i ofron Kroacia me 11.1 cent, Turqia me 10.5 cent. Maqedonia ofron çmime 7 cent dhe Bosnja ofron çmim për konsumatorët familjarë me 6.5 cent. Këto të dhëna i përkasin vitit 2013, ndërkohë që vendet po shqyrtojnë ndryshime të tarifave në varësi të kostove.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.