Rritja e përgjithshme e çmimeve edhe në muajin nëntor u udhëhoq nga rritja e çmimeve të ushqimeve. Sipas të dhënave të INSTAT inflacioni në muajin nëntor arriti në 1.7% teksa çmimet e grupit “Ushqime dhe pije alkoolike”, u rriten me 3.7 për qind.
INSTAT shpjegon se, rritja vjetore e çmimeve në muajin nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,39 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Transporti” kanë kontribuar me +0,12 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupeve “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje shtëpie” dhe “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar respektivisht me -0,03 dhe -0,02 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin nëntor 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,7 %, pasuar nga grupet “Transporti” me 1,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,9 %, “Argëtim dhe kulturë” me 0,8 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,6 %, “Shërbimi arsimor” me 0,5 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 20,8 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet“ me 11,0 %, “peshk” me 4,4 %, “mish” me 1,9 %, etj.
Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 3,3 %, pasuar nga “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 3,1 %, etj.
Ndryshimi mujor i indeksit është -0,1 %. Krahasuar me muajin Tetor 2017 ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Argëtim dhe kulturë” me 1,5 %, pasuar nga “Ushqime dhe pije joalkoolike me 0,8 %. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Transporti” me 1,3 %, pasuar nga “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shëndeti” me 0,4 % secili.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.