Çmimi i energjisë për të “liberalizuarit” mes pikëpyetjesh

24/04/2018 9:30 AM 0 komente

Ndonëse bizneset që kanë dalë nga tregu i rregulluar dhe furnizohen nga OSHEE me çmime tregu duhet të blinin energjinë në mars me 7.74 lekë/kWh, Enti Rregullator i Energjisë nuk e ka miratuar këtë nivel çmimi, duke caktuar sërish një çmim të lartë prej 9.5 lekësh. Arsyet

Në janar 2018, pritej që rreth 80 biznese të lidhur në 35 kilovolt të dilnin në treg të lirë për të siguruar të vetëm energjinë. Praktikisht, vetëm 10% e tyre arritën të hidhnin këtë hap, pjesa tjetër u shpreh se e kishte të pamundur të gjente furnizues.

Në këtë situatë, qeveria vendosi që faza tranzitore e daljes në tregun e lirë të zgjatej me dy vjet dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, të garantonte sasinë e energjisë me çmimet e tregut.

Pra OSHEE prokuron energjinë sipas sasisë që kërkohet (me çmime tregu), dhe ua kalon këtë bizneseve, duke aplikuar mbi të kostot e saj, tarifën e shpërndarjes dhe një 10% ekstra si risk dhe fitim bashkë. Por që nga momenti që u mor vendimi për zgjatjen e fazës tranzitore, nga dy muaj në dy vjet, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i është dashur që të paraqesë në mënyrë periodike pranë ERE-s çmimin me të cilin është siguruar energjia për këtë kategori.

 

Çmimet që janë miratuar në tre muaj

Logjika e një çmimi tregu është që ai ndjek nivelin që fiksohet nga kërkesa dhe oferta. Fatmirësisht, këta muajt e fundit, oferta ka qenë e lartë, duke mundësuar çmime të lira. OSHEE bleu për llogari të konsumatorëve të lidhur në 35 kilovolt sasinë e kërkuar të energjisë në tregun e parregulluar me një çmim 64.00 euro/MWh dhe për muajin shkurt 2018 44.97 euro/MWh.

Pas aplikimit të kostove të tjera të shpërndarjes dhe të marzhit fiks 10% të riskut dhe fitimit, çmimi final i miratuar nga ERE për janarin ishte 11.6 lekë, kurse për shkurtin 9.5 lekë. Për marsin, energjia e siguruar nga OSHEE sipas analizës së bërë nga kjo e fundit për përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV të furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, rezulton është 7.74 lekë/kWh. Ky është një çmim relativisht i mirë për bizneset madje më i ulët sesa çmimi me të cilin furnizoheshin në tregun e rregulluar. Por Enti Rregullator i Energjisë nuk e ka miratuar këtë nivel çmimi, duke caktuar sërish një çmim të lartë prej 9.5 lekësh.

 

ERE: Arsyeja pse nuk pranojmë “çmimin e lirë” që sjell OSHEE

Nisur nga situata me çmimet që aplikohen nga OSHEE në funksionin e saj të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), “Monitor” u interesua pranë ERE-s për të kuptuar pse është fiksuar në dy muaj niveli 9.5 lekë. Burime zyrtare pranë këtij institucioni u shprehën se çmimet që janë paraqitur nga ana e OSHEE-së nuk e reflektojnë situatën reale pasi vetë kompania e shpërndarjes nuk ka detajuar në analizën që i është paraqitur ERE-s disa të dhëna të lidhura me disbalancat apo kostot e njësisë që është marrë me këtë blerje.

“Këta konsumatorë të lidhur në 35 kilovolt duhet të paguajnë çmimin për atë kategori shërbimi që marrin dhe ne këtë e kemi përcaktuar me metodologjinë e tarifave në përcaktimin e çmimit të klientëve që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit. E kemi bërë të qartë që kostoja kryesore në këtë shërbim është ajo e blerjes së energjisë nga tregu, sepse s’ka ku ta gjejë tjetër. Por kjo u mendua si një metodologji që do të përcaktonte çmimin për ata dy muaj që FMF do garantojë furnizimin. Ndaj është vendosur te metodologjia edhe një 10% mbi çmimin i konsideruar si risk. Sepse konsumatori mund të kërkojë furnizim nga OSHEE për dy muaj maksimumi, por ai mund të largohet për një javë apo dhjetë ditë dhe, pjesa e energjisë së prokuruar tepër, mbetet kosto e furnizuesit.

Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që kostot që ka ky proces të mos kalojnë dhe t’u ngarkohen të gjithë konsumatorëve shqiptarë. Detyra që ka ERE është që çdo klient i furnizuar në atë lloj tensioni të paguajë ato kosto që i shkakton sistemit. Kur themi kostot, kemi parasysh blerjen e energjisë, pagesën e tarifës së transmetimit, pagesën e tarifës së shpërndarjes në sistemin ku kalon energjia dhe ai marzhi 10% për furnizuesin që ky i fundit të paguajë shpenzimet. Ky nuk duhet konsideruar si fitim, pasi në të vërtetë, është risk”, thanë burimet e ERE.

 

Metodologjia e çmimit do të ndryshojë, meqë faza tranzitore u bë dy vjet

Enti Rregullator i Energjisë konfirmon se metodologjia që përdoret aktualisht për të nxjerrë çmimin për ata që furnizohen nga “Furnizuesi i Mundësisë së Fundit u mendua si një metodologji me efekt afatshkurtër. Llogaritja që OSHEE i ka bërë tarifës së muajit janar nuk ishte e plotë në të gjithë aspektet, por duke qenë se ishte muaji i parë që u bë, ne llogaritëm çmimin 11.6 lekë/kWh, por i lamë detyrë kompanisë që të na paraqiste kostot administrative. Pra duhet të kishim kostot analitike, në mënyrë që të korrigjojmë dhe llogarisim që ky konsumator në 35 kilovolt të paguajë sa duhet. OSHEE nuk e dha qartë se sa persona angazhoi për këtë punë, sa i kushton asaj ky shërbim.

Çdo furnizues tjetër do të kishte shpenzime që nisin nga qiraja e zyrave, do të paguante letër, punonjës, telefon dhe një seri zërash të tjera përfshi disbalanca dhe ndarjen pik apo kërkesa. OSHEE këtë pjesë nuk na e ka sqaruar. Ai thotë një shifër totale, por ne i duam të ndara dhe më të qarta. I kërkuam dhe disbalancat që i shkaktojnë këta konsumatorë, sesa janë, por nuk na janë dhënë. Atëherë në mungesë të kësaj, ne llogarisim që shpenzimet nuk mund të jenë kaq sa na janë raportuar, sepse ka edhe kosto shtesë administrative të përllogaritura dhe që amortizohen brenda kompanisë.

Ka disbalanca që i paguajnë konsumatorët e tjerë dhe për këtë arsye, deri në një interpretim dhe llogaritje të qartë për çdo konsumator që merr energji në këtë grup, çmimi referencë më i drejtë është ai që ERE ka miratuar për konsumatorët e lidhur në atë nivel tensioni që përfshin kostot operative dhe kapitale dhe që rezulton 9.5 lekë. Pra, në këtë moment, është e arsyeshme që ky konsumator të paguajë këtë çmim”, – thanë burimet e ERE-s.

Por duke qenë se faza tranzitore tashmë është shtrirë përtej afatit dymujor, duke shkuar në dy vjet, Enti nënvizon se do të rishikohet mënyra sesi llogaritet çmimi. “Ne do të shohim tani më në detaj pasi kjo metodologji ishte për dy muaj, por u zgjat në dy vjet. Na duhet një metodologji e re dhe duhet të mendojmë më thellë bazuar te kjo përvoja 3-4-mujore. Ne po nisim të rishqyrtojmë metodologjinë për ta detyruar tashmë furnizuesin të krijojë një njësi më vete me të gjitha shpenzimet dhe të mbajë llogari analitike për disbalancat.

Kjo do të kërkojë pak kohë, sepse me ndarjen e OSHEE-së, duhet të shohim se cila nga tre kompanitë e reja do të kryejë funksionin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, por jemi në kohë të shohim metodologjinë me operatorin që e ka në ngarkim këtë çështje.
Nëse duam ta hapim tregun, duhet të jemi të drejtë me çdo konsumator. Secili të mbajë peshën që i takon në sistem dhe të paguajë aq sa duhet”, konfirmon ERE.

Por, cilat janë në fakt kostot që paguhen sot te çmimi 9.5 lekë që llogarit ERE. Fillimisht, është çmimi i energjisë që blihet nga tregu, është tarifa e transmetimit prej 0.75 lekësh që i paguhet Operatorit të Sistemit të Transmetimit, është tarifa 1.5 lekë/kWh që i paguhet OSHEE-së për rrjetin e shpërndarjes, si dhe nga çmimi total, një 10% që llogaritet si risk.

 

Liberalizimi “dështoi” në fazën e parë, tani dy vite fazë tranzitore

Bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt u njoftuan nga OSHEE më 1 janar 2018, se duhet të siguronin të vetëm energjinë, pasi ky ishte një detyrim ligjor që e përcaktonte modeli i ri i tregut. Por dy muajt e parë, OSHEE mund të bënte furnizimin përmes opsionit të mundësisë së fundit, duke ju shitur atyre energjinë me çmimin e tregut plus marzhin e riskut. Në fakt, eksperimenti i liberalizimit dështoi, pasi bizneset që gjetën një furnizues, numërohen me gishtat e dorës. Duke parë këtë situatë, MIE vendosi që të shtynte afatin tranzitor ku OSHEE do të sigurojë energjinë për këto biznese.

Me afatin e ri, bizneset e lidhura në 35 kilovolt kanë tashmë kohë deri në 31 dhjetor 2019 për të dalë në treg të lirë. Kjo do të thotë që deri në këtë datë do të furnizohen me energji nga OSHEE, me çmime tregu plus një tarifë shtesë prej 10%. Cilido prej tyre që ndihet i gatshëm për të dalë në çdo moment gjatë kësaj periudhe mund ta bëjë pa problem, por ata nuk rrezikojnë me ndërprerjen e energjisë, nëse nuk gjejnë furnitor alternativ.

Për bizneset e lidhura në tension 20 kilovolt është duke u përpunuar pjesa e instalimeve teknike dhe investimeve që mundësojnë daljen në tregun e lirë. Këto investime pritet që të përfundojnë në fund të 2018-s, çka bën që më 1 janar 2019 me shumë gjasa ato të marrin njoftimin nga ana e OSHEE-së për shkëputje dhe për të siguruar vetë energjinë. Për këto biznese, OSHEE do të sigurojë furnizim me çmim tregu plus 10% deri më 31 dhjetor 2020. E njëjta situatë do të vlejë edhe për bizneset e lidhura në 10 dhe 6 kilovolt.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of