Debati për dritat, si “loja” me armët kimike. Qeveria thotë se s’do të rritet çmimi, por tre kompanitë që kontrollohen 100% prej saj aplikojnë për rritje? KESH dhe OST duan të rritet tarifa që të mbulojnë kosto ndërkohë që janë me fitime rekord?!
Qeveria, nëpërmjet lançimit të rritjes së çmimit të energjisë,testoi opinionin nën presionin e pakonfirmuar asnjëherë nga FMN dhe të kundërshtuar qartë nga përfaqësuesi i Bankës Botërore, i cili, në seancën dëgjimore të 5 dhjetorit, konfirmoi se kredia e BB nuk përmban asnjë kusht për rritjen e çmimit të energjisë.
Reagimi i publikut kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale ishte më i ashpër se parashikimi dhe shumë më herët sesa organizimet e sindikatave dhe opozitës për protestën e 22 nëntorit. Që në muajin shtator, rrjetet sociale zienin nga pakënaqësia se si mund të rritet çmimi energjisë, kur vjedhjet dhe humbjet teknike janëgati 40% dhe operatori i shpërndarjes nuk mbledh as faturat që lëshon?
Pakënaqësia e ngjashme me atë të marrjes për shkatërrim të armëve kimike filloi të konkretizohej me deklarime konkrete se, në rast të rritjes së çmimit, nuk do të paguanin as ata konsumatorë që e paguajnë aktualisht, duke rrezikuar në këtë mënyrë kolapsin financiar dhe real të të gjithë sistemit energjetik. Pas këtij, reagimi i qeverisë ishte racional, ndoshta mbështetur edhe në sondazhet e brendshme të testimit të opinionit publik se, një rritje e tarifave, do të kthente shumicën e popullsisë në mospagues. Filluan deklarimet se çmimi nuk do të rritet dhe një fushatë kombëtare për arrestimin e vjedhësve të energjisë dhe punonjësve të kompanisë që kishin abuzuar me detyrën.
Rezultatet financiare janë të kënaqshme, radhë deri në orët e vona për të paguar energjinë, rritje e fortë e arkëtimeve dhe ulje e humbjeve, duke konfirmuar se problemi nuk është çmimi, por administrimi. Të tria kompanitë, por sidomos Shpërndarja, kanë ende shumë për të bërë për të përmirësuar administrimin dhe performancën përpara se të mendojnë rrugën më të thjeshtë dhe më të gabuar, rritjen e tarifave të energjisë për vitin 2015.
Në këto kushte, duket se protestat kanë efekt, por si duhet të sillet biznesi me rritjen e çmimit? Deri më tani, gjithë debatiështë te konsumatorët familjarë dhe partitë janë shkrirë në sensin që PD sillet si e majtë dhe mbron shtresat në nevojë, duke harruar biznesin dhe kostot që do të sillte rritja e tarifave të energjisë. Po t’u referohemi tabelave, industria, shërbimet, bujqësia dhe tregtia do të kenë tarifa sipas kërkesave të OSHEE nga 13.5-15.3 për tensionin 0.4 kV, 11.26-12.3 për tensionin 20/10/6 kV dhe 10.91-11.95 për tensionin 35 kV. Në seancën e ERE-s mungonin përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë së Tiranës, dhomat e tregtisë amerikane, gjermane etj., shoqatat e biznesit dhe vetëm Konfindustria dhe Kurum-i kishin përfaqësuesit e tyre. Por biznesi nuk mund të protestojësi partitë, por duhet të reagojë nëpërmjet instrumenteve që zotëron Këshilli Ekonomik Kombëtar dhe tryezave që mund të organizojë me qeverinë dhe ERE-n.
Paradokset e rritjes së çmimit të energjisë
KESH dhe OST, me fitime rekord, kërkojnë rritjen e tarifave të energjisë?! Aplikimi i tarifave, sipas modelit të tregut dhe deklaratës rregullatore që skadojnë më 31 dhjetor 2014? 2015 nis me vakuum rregullativ
Paradoksi mëi madh me kërkesën për rritjen e tarifave i takon KESH,që, për vitin 2015, ka kërkuar që tarifa e furnizimit me shumicë të energjisë elektrike të rritet 2.2 në 3.34 lekë/kWh ndërkohë që ka rezultatin financiar me fitim dhe sipas një studimi të“Monitor”ështëndër kompanitë me fitime më të larta në Shqipëri për vitin 2013. KESH justifikoi kërkesën për rritje nën arsyetimin e mbulimit të shpenzimeve dhe kryerjen e investimeve.
Gjithashtu me fitim është edhe OST, në nivelin e rreth 2.3-2.4 miliardë lekëve ose rreth 23 milionë dollarë, ndërkohë që duhet që tarifat të jenë të orientuar drejt kostos. Nëse OST ka realizuar fitime të kënaqshme vitet e fundit, përse nuk ka realizuar investime që parashikon për vitin e ardhshëm dhe këtë e justifikon me rritjen e tarifës së transmetimit nga 0.65 në 0.75 lekë/kW orë?
Paradoksi i dytë qëndron me humbjet neto që ka Shqipëria me eksport-importin e energjisë. KESH-it iu drejtua pyetja se sa kushton importi dhe eksporti në emër të saj i energjisë, dhe përfaqësuesi i saj u përgjigj se, në vitin 2013, ka eksportuar me çmim mesatar 30-35 euro, ndërsa në 2014, me çmim mesatar 41 euro. Ndërkaq, për importin, gjatë vitit 2014, çmimi mesatar ishte45 euro. Ekspertët e KESH, me të drejtë, thanë se bëhet fjalë për periudha të ndryshme kohore mes eksportit dhe importit. Por, në fakt, në çfarëdo muaji të vitit të eksportojë KESH, përsëri Shqipëria humbet nga tregtimi i energjisë sepse, sipas modelit aktual, Operatori i Shpërndarjes duhet ta importojë energjisë për humbjet(10-20 milionë euro çdo muaj) dhe KESH-i dhe prodhuesit e energjisë në vend janë të përjashtuar nga ankandet?! E, për pasojë, KESH eksporton me 30-35 euro në dimër, ndërsa OSHEE blen me 55-60 euro ose dyfishin e çmimit, duke i shkaktuar vendit dëme në miliona euro.
Paradoksi i tretë lidhet me vakuumin rregullator për tregun e energjisë, pasi në fund të këtij muaji, përfundon periudha e parë rregullatore, shfuqizohet modeli i tregut dhe deklarata rregullatore, ndërkohë që qeveria ende s’ka miratuar as ligjin e ri “Për energjinë”. E pakuptimtë që tarifat aplikohen me modelin e vjetër të tregut, duke mos qartësuar e si do të jenë marrëdhëniet mes kompanive, do ndahet apo jo prodhimi nga furnizimi publik me shumicë(nga tabela duket se KESH bën dy aplikime), do të ndahet shpërndarja(shumica) nga furnizimi (pakica) siç parashikon projektligji “Për energjinë”?
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.