Në këtë kontinent, aktualisht Japonia kryeson, duke marrë gati 40% të tregtisë së çokollatës. Në tregun amerikan, konsumatori më i madh aktualisht, Shtetet e Bashkuara zënë 86% të tregut, ndërsa në Europë, Britania e Madhe ka kërkesën më të lartë për çokollatë, duke zënë 16.5% të tregut, e ndjekur nga Gjermania me gati 16%.
Industria e përpunimit të çokollatës ofron një varietet të gjerë mundësish për sipërmarrjet e vogla, pavarësisht se është thelluar recesioni ekonomik dhe është forcuar ndërgjegjësimi i konsumatorëve për t’i bërë llogaritë me kaloritë.
Rritja do të ndikohet nga rritja e popullsisë, ashtu si dhe zgjerimi në tregjet e reja. Edhe risitë në prodhim dhe rritja e nivelit të të ardhurave në tregjet në zhvillim kanë sjellë rritje të shitjeve, veçanërisht për çokollatat premium.
Çokollata është produkt gjerësisht i përdorur për konsum vetjak, për dhuratë apo për gatim.
Për shkak të dominimit të dinastive të mëdha prodhuese, në këtë treg, bizneset e vogla kanë tendencë të përqendrohen në artikuj të veçantë ose specialitete në shërbime. Një çokollatë që mund të dallojë në treg mund të jetë nga një rajon i famshëm për një teknikë të veçantë të pjekjes, ndërsa shërbimet e specializuara kanë tendencë të përqendrohen në paketimin për dhuratë apo shpërndarje.
Orientimin kryesor për kërkesën për çokollatë e jep shija e konsumatorit. Gama e blerësve është shumë e gjerë dhe një studim i kohëve të fundit në Britaninë e Madhe tregoi se 91% e femrave dhe 87% e meshkujve konsumojnë produkte me çokollatë. Por shijimi i çokollatës po zgjerohet së fundi në tregjet e populluara me një klasë të mesme në rritje, të tilla si Kina dhe India. Rritja e të ardhurave të disponueshme po ndryshon shijet dhe kjo pritet të ndikojë në rritjen e industrisë.
Ka disa trende të industrisë së çokollatës që po shkojnë drejt rritjes. Të ndikuara edhe nga inovacionet në këtë sektor, vitin e kaluar, pati rritje prej 16% të produkteve të reja të hedhura në tregun botëror krahasuar me vetëm një vit më parë. Si çokollatat premium (me një raport të mirë cilësi-çmim) edhe ato të një kategorie më lart kanë treguar rritje të fortë të shitjeve në periudhën afatgjatë.
Paketimet e kombinuara mes llojeve të ndryshme të çokollatave kanë njohur rritjen më të madhe. Sipas studimit të fundit, të bërë nga Shoqata e Prodhuesve të Çokollatës, shitjet e këtij segmenti të tregut pritet të rriten 13% deri në vitin 2015. Pushime, ditëlindje, madje edhe për rastet e daljes në pension, çokollata është një dhuratë e këndshme për shumë raste.
Vitet e fundit, falë edhe studimeve, është kuptuar më mirë se çfarë përbën një dietë të shëndetshme dhe ka pasur rritje drastike të shitjeve të produkteve pa sheqer, pa yndyrë dhe me pak kalori. Çokollata e errët njihet për efektin e uljes së presionit të gjakut dhe kolesterolit dhe ka gati 8 herë numrin e antioksidantëve që gjenden te luleshtrydhja. Një vëzhgim i fundit ka nxjerrë në pah se 35% e të anketuarve besojnë se çokollata e errët është e shëndetshme dhe kjo shpjegohet me faktin se shitjet u rritën gati 19% gjatë vitit të kaluar, kundrejt rritjes prej 3.6% që shënoi industria e çokollatës në tërësi.
Shitjet e çokollatës në formën “fair-trade” janë një tjetër segment i tregut që po rritet me shpejtësi. Në këtë lloj tregtie, blerësit vlerësojnë faktin që janë më të sigurt se çokollata është prodhuar me ndershmëri. “Fair-trade” është një lëvizje sociale që synon të promovojë mbështetjen për vendet në zhvillim, dhe zakonisht kërkon një çmim më të lartë, por që shkon përkrah disa standardeve më të larta sociale e mjedisore.
Çokollata në shifra
20% e tregut, Azia në 2016
35% e të anketuarve e konsiderojnë të shëndetshme çokollatën e zezë
13% – rritja e pritshme e shitjeve të çokollatës-dhuratë deri më 2015
Burimi: Shoqata e Përpunuesve Ndërkombëtarë të Çokollatës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.