Commerzbank dhe Deutsche Bank fillojnë diskutimet për një bashkim të mundshëm. Fuqia e negociatave të bankës më të vogël është rritur
Më 17 mars, pas muajsh të tërë nxitjeje nga qeveria dhe nga shtypi financiar gjerman, Commerzbank dhe banka Deutsche Bank, dy huadhënësit më të mëdhenj në Gjermani, deklaruan se do të marrin në konsideratë një bashkim midis të dyjave dhe do të nisin diskutimet në këtë drejtim, shkruan The Economist.
Publikimi i një lajmi me rëndësi kaq të madhe, prishi qetësinë e një të diele tipike gjermane. Nënshkrimi i një marrëveshjeje për të cilën të dyja këto banka po përpiqen, për momentin është larg realizimit. Nëse kjo gjë do të realizohej, së bashku me të do të krijohej edhe banka e tretë më e madhe e Europës nga asetet, pas asaj të HSBC-së të
Britanisë dhe BNP Paribas të Francës. Realizimi i marrëveshjes do të bashkonte edhe dy banka, të cilat prej vitesh nuk kanë shënuar rezultate fort pozitive. Vitin e kaluar, kthimi nga kapitali i bankës Deutsche ishte në një nivel prej 0.4%, që sado i ulët ishte, njëkohësisht edhe shifra e parë pozitive në katër vitet e fundit. Ndërsa kthimi nga kapitali i Commerzbank ishte më i lartë, në 3%, nivel i arritur për herë të parë që prej vitit 2011.
Bashkimi i dy bankave në vështirësi duket si një metodë jo fort efikase për të krijuar një “kampion kombëtar” të fuqishëm, për të cilin ministrat e Gjermanisë ëndërrojnë prej kohësh. Vite të tëra me norma shumë të ulëta interesi dhe një treg bankar i mbipopulluar, shumica e të cilit mbulohet nga huadhënës të sektorit publik dhe të kooperativave, kanë ulur rentabilitetin, edhe pse Commerzbank dhe banka Deutsche janë të mirëkapitalizuara. Bashkimi i mundshëm i këtyre të dyjave nuk ka gjasa ta ndryshojë situatën. Nxitja nga Berlini nuk duhet të jetë arsyeja e vetme se përse këto banka duhet të bashkohen, edhe pse qeveria gjermane është aksioneri më i madh i Commerzbank, me 15%.
Aksionerët e të dyja bankave duhet të bien dakord dhe të vendosin se çfarë do të bëjnë, duke marrë përsipër edhe rreziqet e një ecurie negative. Shumë mund të mendojnë se Deutsche Bank e dëshiron më shumë se kushdo një fillim të ri, duke qenë së rënia e çmimit të aksioneve të saj që prej periudhës së krizës financiare, ka qenë e lartë, 90% që nga 2007. Për të dyja bankat, bashkimi i mundshëm sjell premtimin e shkallës, veçanërisht në sektorin bankar me pakicë. Sipas qendrës kërkimore Autonomous Research, pjesa e bankës Deutsche në tregun gjerman është rreth 11% ndërsa ajo e Commerzbank, 8%. Dhe duke pasur një të pestën e tregut, një bashkimi do të rezultonte të ishte edhe më i madhi në Gjermani.
Reduktimet e kostove, për shembull, duke mbyllur degët, mund të kërkojnë 30% të kostos bazë të Commerzbank, sipas Magdalena Stoklosa nga Morgan Stanley. Nëse palët do të hyjnë në bisedime për të nënshkruar marrëveshjen e bashkimit, pozicioni negociues i Commerzbank duket shumë më i fortë se ai që mund të kishte imagjinuar disa vite më parë. Asnjë prej të dyja bankave nuk mund të cilësohet si e suksesshme, sepse çmimi i tregut të aksioneve të bankës Deutsche është vetëm 24%, ndërsa i Commerzbank në 31%.
Por deri më tani, norma e kapitalizimit të bankës Deutsche ka rënë, duke qenë vetëm dy herë më e madhe se ajo e Commerzbank, në krahasim me gjashtë herë më shumë që ishte në 2013. Edhe duke marrë parasysh faktin që banka Deutsche është e prirë për të tërhequr probleme, norma e Commerzbank nuk mund të përmirësohet më shumë se kaq.
Përveç faktit që Commerzbank fokusohet më shumë në shërbimin Mittelstand, ajo mbështet më tepër se banka Deutsche në depozita, të cilat janë më të lira në krahasim me fondet e tregjeve financiare. 311 miliardë euro (363 miliardë dollarë amerikanë) të depozitave të Commerzbank deri në fund të shtatorit vlenin sa 63% e aseteve të saj të rregulluara. Ndërsa 553 miliardë euro të depozitave të bankës Deutsche vlenin rreth 52% e aseteve të rregulluara.
Problemet e bankës Deutsche kanë qenë të shumta në vitet e fundit. Kujtojmë këtu që vetëm gjatë shkurtit, ajo shiti obligacione me kthime të larta. Por duhet pranuar se banka Deutsche nuk ka qenë e vetmja që ka pasur probleme sepse, sipas një raporti të ri të Morgan Stanley, edhe bankat e tjera europiane të investimeve kanë shënuar rënie. Ato kanë humbur nëntë pikë përqindjeje të pjesës së tregut në Amerikë, ndërsa firmat e Wall Street kanë fituar të njëjtën sasi në Europë. Edhe pse banka Deutsche është një prej huadhënësve më të mëdhenj në Gjermani, asaj do t’i duhet më shumë sesa një bashkim me Commerzbank për të forcuar pozitat e saj.