Copëzimi, vështirësi në planet investuese

27/03/2012 4:05 PM 0 komente

Çfarë efektesh do të ketë në ekonominë e vendit (zhvillimin e turizmit) copëzimi i tokës në bregdet pas hyrjes në fuqi të ligjit të pronave?Ligji i ri i pronave (projekt-ligj, derisa të dekretohet nga Presidenti i Republikës) vjen si një domosdoshmëri kushtetuese për të zgjidhur problemet e pronësisë në Shqipëri. Ai është një ligj që shpreh një vullnet të caktuar politik të forcave kryesore politike në Kuvend, që gjithsesi kërkon të konsolidojë reformën agrare të bërë në vitin 1991 me ligjin 7501. Duke u nisur nga ky parakusht, merr përsipër të zgjidhë problemet për të gjithë pronarët që deri tani nuk kanë marrë prona, duke bërë kthime fizike aty ku ekzistojnë toka të lira dhe duke kompensuar gjithashtu fizikisht me tokë, aty ku ka mbetur pa u ndarë, dhe veçanërisht si varianti më tërheqës me toka në bregdet. Në momentin aktual, kur nuk njohim rrugën praktike që do të ndiqet për të realizuar një gjë të tillë, është e vështirë të bëhen analiza konkrete, por pyetja që ju shtroni është shumë e drejtë për t u analizuar. Duhet të vlerësojmë dy aspekte të ligjit, që janë të dallueshëm qartë nga njeri-tjetri: Për rastin kur pronarët do të marrin tokën e tyre të pazënë, është e pritshme për një ndikim të shpejtë ekonomik pozitiv, pasi do të nxiten interesat për investim. Por nuk mund të jetë i njëjti përfitim për atë qëndrim të ligjit, që merr përsipër kompensim fizik me toka të lira. Në parim të ligjit të ri të pronave mbetet përsëri si zgjidhje më e rëndësishme copëtimi i mëtejshëm i asaj toke të mbetur të pandarë në bregdet në parcela të vogla, me shumë koeficientë llogaritës, që do të sjellë një vështirësi shumë të madhe për të menduar për projekte serioze investimi.Për analogji na vjen në ndihmë një analizë lidhur me ndikimin e ligjit 7501, i cili krijoi copëtimin e tokës bujqësore në 3-4 parcela për fermë. Ndikimi ekonomik është krejt i qartë, 13 vjet pas kësaj reforme, vazhdojmë të kemi bujqësi shumë pak konkurruese, pasojë e strukturës së fermave krejt të vogla. Pra, një reformë bujqësore me karakter të thellë social në fshat që ka një efekt të ulët ekonomik. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për të minimizuar precedentin e një reforme tjetër krahas me atë të vitit 1991, lidhur me zhvillimin e turizmit, pasi edhe toka e lirë në bregdet iu referohet zonave me potencialet më të larta turistike në Shqipëri.Si paraqitet aktualisht situata e pronave në bregdet (nëse keni ndonjë të dhënë)?Zona e bregdetit (jo vetëm vija bregdetare, por edhe tokat që në kadastrat e viteve 1990 kanë qenë tokë bujqësore) i ka të qarta problemet, që lidhen me pronësinë. Në bregdet, kryesisht bregdetin Jon, është hasur në kundërshtimet që kanë pasur banorët e këtyre zonave për të zbatuar ligjin 7501, për tokën bujqësore kadastrale, e cila me siguri është tokë me përparësi zhvillimin e turizmit. Në fakt, të gjitha kundërshtimet e deritanishme për pronat janë të përqendruara në bregdet. Aty edhe çmimi i tokës është i lartë. Shoqatat e ish-pronarëve, si dhe shoqata e bregdetit kanë kërkuar gjithashtu të shkojnë në vend të drejtat e pronësisë së tokës në bregdet.Si do ndikojë copëzimi i tokës në zbatimin e strategjisë së turizmit?Bëhet fjalë për një ligj që është produkt i politikës dhe jo i mbështetur mbi bazë të studimeve të zhvillimit të turizmit. Gjithsesi është pozitive që ka një strategji të zhvillimit të turizmit dhe kjo i krijon mundësinë Qeverisë Shqiptare dhe Pushtetit vendor të mendojnë seriozisht për të shfrytëzuar sa më shumë shanset që të mbështesin investimet e infrastrukturës turistike dhe planeve të zhvillimit të turizmit me përparësi në ato zona, ku ka potencial të lartë dhe ku edhe problemet e pronësisë janë më të qarta. Ajo që mund të jetë e qartë, është fakti që nuk mund të ndërtohet më pa leje dhe nuk do të ketë më zaptime të paligjshme të pronës së tjetrit. Fakti që kohët e fundit kemi parë edhe investitorë të huaj të duken në ekranet e televizioneve me ide dhe projekte, është një shenjë e mirë. Por mënyra, që ata kërkojnë me çdo kusht t i miratojnë projektet e tyre vetëm me qeverinë qendrore dhe pa u bërë efektiv ligji i ri për pronat, dëshmon se secili kërkon të ketë ombrellë shtetin edhe për rastet kur nuk do të investojë në tokën pronë shtetërore.Precedentë kanë filluar të shfaqen. Javën e fundit u njoftua në televizion për miratimin nga KRRTSH i një projekti të rëndësishëm për një fshat turistik në jug të vendit, ku i kërkohet investitorit të negociojë me pronarët ose pretenduesit e tokës ku parashikohet të ndërtohet ky projekt. Në raste të tilla, investitori privat në radhë të parë ka shansin e diktimit tek pronarët, jo me të drejtën që i jep ligji, por me autoritetin që i jep shteti. Marrëdhëniet e shtetit me pronarët do të përbëjnë një rëndësi të veçantë. Bashkëpunim ose diktim me projekte të miratuara nga lart. Edhe shteti është pronar. Ai duhet të sillet me pronën e tij shumë me kujdes dhe vetëm për atë duhet të marrë vendime për investim.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of