Parlamenti Europian miratoi direktivën e re të BE-së për të drejtën e autorit në internet, përkundër lobimit të kompanive shumëkombëshe të teknologjisë dixhitale. Direktiva e re mori 348 vota pro, 274 kundër dhe 36 abstenime.
“Është një moment i rëndësishëm për kulturën europiane, për ekonominë dixhitale, për mbrojtjen e vlerave tona të BE” – u shpreh komisionerja europiane për ekonominë dhe shoqërinë dixhitale, Mariya Gabriel.
“Direktiva e re – theksoi ajo – do të lejojë përshtatjen e së drejtës së autorit në shekullin e 21-të, në të mirën e autorëve, gazetarëve, editorëve, regjisorëve të filmave, artistëve në fushën e muzikës”.
Kjo direktivë – shtoi Gabriel – do të mbështesë “shtypin dhe sektorin krijues”.
Autorët presin që “BE të mbajë premtimet e saj”. Përmbajtja e marrëveshjes politike mbi direktivën e copyright është e “ekuilibruar dhe ambicioze” dhe sipas Gabriel, “bashkon interesa të ndryshme në lojë. Krijuesit dhe zotëruesit e tjerë të të drejtave do të paguhen në mënyrë të drejtë, ndikimi te ofruesit e shërbimeve do të mbetet proporcional dhe përdoruesit dhe liria e tyre e shprehjes do të mbrohen” – shtoi komisionerja europiane.
Çfarë mund të ndodhë tani
Pas dritës së gjelbër nga Parlamenti Europian, mjafton veç miratimi nga Këshilli Europian. Në fakt, teksti i kësaj direktive është formuluar nga Këshilli Europian në vitin 2016, me ambicien për t’u bërë një nga shtyllat e të ashtuquajturit tregu i vetëm dixhital. Që prej atëherë kanë kaluar tre vjet dhe një numër i madh amendamentesh kanë shkaktuar një luftë të ashpër lobimi mes dy fraksioneve që u përballën në votimin e sotëm.
Direktiva synon të rrisë mundësitë e autorëve të të drejtave – në veçanti muzikantëve, artistëve, skenografëve dhe editorëve të lajmeve – të negociojnë marrëveshje më të mira mbi shpërblimet që rrjedhin nga përdorimi i veprave të tyre në platformat e ndryshme në internet.
Këto të fundit do të jenë drejtpërdrejt përgjegjëse për përmbajtjet e ngarkuara në faqen e tyre, duke u dhënë automatikisht editorëve të lajmeve të drejtën për të negociuar marrëveshje në emër të gazetarëve mbi informacionet e përdorura nga shpërndarësit e lajmeve.