CR7, i 13-i në botë. Ja futbollistët me vlerën më të lartë

06/09/2018 10:30 AM 0 komente

Futbollisti i cili këtë verë tërhoqi vëmendjen e së gjithë botës për transferimin nga Real Madrid te Juventus, Cristiano Ronaldo, është “vetëm” i 13-i në botë për vlerën e tij në treg.

Vlerësimi është i barabartë me 111 milionë euro, më pak se gjysma e numrit një, brazilianit Neymar (233,6 milionë euro) dhe pak më shumë se gjysma e të futbollistit në vend të dytë dhe të tretë në këtë renditje për vlerën më të lartë Lionel Messi (210 milionë) dhe Kylian Mbappé (190 milionë), i cili do të mbushë 20 vjeç më 20 dhjetor. CR7 vlerësohet më pak edhe se Salah, Kane, Hazard, De Bruyne, Pogba, Griezmann e Coutinho.

Algoritmi i KPMG Football Benchmark

Këta janë dhjetë emrat e parë të një klasifikimi që me shumë gjasa do të ngjallë diskutime, por që do të shihet me vëmendje jo vetëm nga tifozët por edhe nga profesionistët e futbollit, duke përfshirë presidentët e klubeve dhe agjentët, të cilët në merkato godasin me shifra stratosferike.

Klasifikimi është përpiluar duke u mbështetur në një model origjinal vlerësimi të pavarur, një platformë dixhitale nga KPMG Football Benchmark.

Kriteret e vlerësimit

Ekipi sportiv i KPMG, i drejtuar nga Andrea Sartori, ka zhvilluar një algoritëm që u jep vlerë lojtarëve duke u mbështetur në një sërë faktorësh. Pikënisja është analiza e transaksioneve në merkato në gjashtë vitet e mëparshme, pra merren në konsideratë mosha dhe roli (portier, mbrojtës, mesfushor, sulmues), vitet e mbetura në kontratë, klubi të cilit i përket, “varësia” nga skuadra dhe rezultatet, kombëtarja, sanksionet disiplinore.

Këtyre të dhënave u shtohet edhe performanca në fushë (golat, gjuajtjet, asistet), të përfituara në bashkëpunim me OPTA, kompani statistikash sportive, nën pronësi të grupit Perform, i njëjti që ka në zotërim edhe platformën dixhitale DANZ.

Modric vlerësohet 28 milionë euro

Luka Modric, i cili luan për klubin e Real Madridit, vlerësohet nga KPMG vetëm 28 milionë. Dhe të mendosh që presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, më 3 gusht u pati thënë zikaltërve: “Nëse e doni Modric duhet të paguani klauzolën 750 milionë euro”.

Është edhe Buffon

Në këtë klasifikim është edhe Gigi Buffon, portieri që Juventus e la të largohej me parametër zero në fund të kontratës. Buffon ka firmosur një kontratë të re në Paris, me PSG, duke iu bashkuar Neymar dhe Mbappé. Në algoritmin e KPGM, Buffon vlen 3 milionë euro.

Bumi i Salah

Ndër kuriozitetet që ngjallin diskutime është vlerësimi i futbollistit egjiptian, Mohamed Salah, për 156,8 milionë euro. Kushedi se çfarë mendojnë drejtuesit e Romës, që për të mbuluar borxhet, më 22 qershor 2017 e shitën atë tek Liverpool, për 42 milionë, plus një bonus 8 milionë euro. Në 15 muaj, vlera e tij është trefishuar.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz