Cristiano Ronaldo dhe Jose Mourinho janë më të paguarit në botën e futbollit. Sipas një klasifikimi të France Football, ylli i Realit të Madridit, gjatë këtij sezoni, ka fituar 87,5 milionë euro (ku përfshihen paga vjetore, bonuset dhe të ardhurat nga sponsorët dhe reklamat).
Në vend të dytë është rivali i tij i përjetshëm, Lionel Messi me 76,5 milionë euro, kurse në vend të tretë, braziliani Neymar, me 55,5 milionë euro.
Për sa u përket trajnerëve, i ashtuquajturi Special One, është në vend të parë me 28 milionë euro. I ndjekur nga trajneri i Kinës, Marcello Lippi, me 23,5 milionë euro. E mbyll podiumin ish-trajneri i Paris SG, Laurent Blanc me 20 milionë euro.
Në pesë të parët gjejmë edhe Gareth Bale (41 milionë euro) dhe ish-sulmuesin e Napolit dhe Paris SG, Ezequiel Lavezzi, i cili përfiton 28,5 milionë euro nga ekipi kinez Hebei Fortune.
Trajneri i Bajernit të Mynihut, Carlo Ancelotti renditet në vend të katërt, me 15,8 mln euro. Vetëm vendi i pestë për trajnerin e Manchester City, Pep Guardiola, i cili duhet të kënaqet me 14,5 milionë euro.
Revista e njohur franceze ka renditur edhe futbollistët më të paguar të kampionatit francez. Më i paguari është kapiteni i Paris SG, Thiago Silva me 14,4 milionë euro, i ndjekur nga kolumbiani i Monakos, Radamel Falcao (13,6 milionë euro), argjentinasi Angel Di Maria (12,6 milionë euro) dhe italiani Marco Verratti (11,8 milionë euro). Pesëshen e mbyll sulmuesi uruguajan, Edinson Cavani (10,2 milionë euro).