Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka dalë nga lista, pas uljes së fitimeve nga 1.8 miliardë lekë në 2016-n në 506 milionë lekë, si rezultat i thatësirës që solli rënie të ndjeshme të të ardhurave.
Një tjetër arsye, sipas deklarimeve të mëparshme të drejtorit të KESH, Agron Hetoja, lidhet me disa rregullime ligjore, që nuk i lanë KESH-it fleksibilitetin e duhur për të optimizuar burimet dhe portofolin e vet dhe kanë shkaktuar kosto shtesë, që nuk mbulohen nga çmimet e lëna në fuqi nga Enti Rregullator i Energjisë.
RFZ Building, me aktivitete në ndërtim, që ishte pjesë e grupit Balfin, nuk është më në renditje (ishte e shtata vitin e kaluar, me fitime 1.4 miliardë lekë), pasi është përthithur në dhjetor 2016 nga zinxhiri i supermarketeve Spar Albania, po pjesë e Balfin, si një mënyrë për t’i dhënë sinergji dhe për optimizim fiskal të sipërmarrjeve të grupit, teksa RFZ Building rezultonte me fitime të larta. Sipas burimeve zyrtare nga grupi Balfin, fitimi i Spar Albania në 2017-n, para taksave ishte 535 milionë lekë.
Operatori më i madh i tregtimit të karburanteve me shumicë, Kastrati SHA (e teta në 2016-n) është një tjetër dalje, pas rënies me 8.3% të fitimeve, në 1.2 miliardë lekë. Mane TCI, me aktivitet në fushën e ndërtimit, pjesë e grupit Balfin, është një tjetër dalje, teksa aktiviteti i kompanisë është në varësi të ecurisë së projekteve të ndërtimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.