Prej vitit 2014 deri më sot kemi të bëjmë me 78 vendime të formës së prerë nga Gjykata për të kthyer nëpunësit e administratës në punë apo për të dëmshpërblyer ata për largim të padrejtë. Gjykata e Apelit llogarit një detyrim të shtetit ndaj administratës së larguar prej 40 mln eurosh. Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu, në një intervistë të dhënë për Ora News, thotë se zbatimi i vendimeve është prioritet, por edhe kompleks për shkak të ndryshimit të strukturave dhe kritereve për vendet e punës. Ndërsa në prag zgjedhjesh, drejtorja Koçiu paralajmëron monitorim të administratës për të frenuar shkrehjen institucionale dhe mosofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Rreth 40 mln euro llogaritet nga Gjykata e Apelit, detyrimi i shtetit për dëmshpërblimin e nëpunësve të administratës të larguar nga puna.
Vetëm gjatë vitit 2016, janë zbatuar 32 vendime të formës së prerë të gjykatave në institucionet e administratës shtetërore.
Drejtorja e Administratës Publike, Albana Koçiu, në një intervistë për Ora News thotë se prej 2014-s e deri më sot numërohen 78 vendime të rikthimit në punë apo dëmshpërlimit të nëpunësve të larguar.
Sipas saj, zbatimi i vendimeve të gjykatave është një proces kompleks.
Albana Koçiu: Aktualisht që flasim jemi në shqyrtim të vendimeve që kemi të depozituara pranë Departamentit dhe së bashku me institucionet të cilat i kanë prodhuar këto vendime kemi ngritur strukturat e posaçme të cilat do të duhet të shqyrtojnë kërkesat, kriteret që kanë këta gjyqfitues dhe vendet vakante që janë në dispozicion nga këto institucione me qëllim që të gjejnë zbatim. Zbatimi i një vendimi gjyqësor është kompleks, nuk është kaq i thjeshtë. Kjo për shkak të faktit që struktura në institucion ka pësuar ndryshime, kriteret e vendeve të punës janë të ndryshme nga kriteret që kanë gjyqfituesit, për këtë arsye dhe procedura që do të duhet të ndiqet nga Departamenti së bashku me institucionin kërkon kohën e saj për të gjetur sistemimin më të mirë të mundshëm.
Çfarë masash janë marrë për ta parandaluar këtë fenomen?
Albana Koçiu: Kemi nën monitorim të gjithë institucionet e administratës publike sa i përket respektimit të legjislacionit, procedurave dhe mënyrës sesi vlerësohet një nëpunës civil, mënyrës sesi trajtohet një shkelje disiplinore në Komisionet Disiplinore bazuar në legjislacion dhe të mos kemi në përfundim një rrëzim të vendimit të administratës dhe Komisioneve Disiplinore nga gjykatat.
Shkrehja institucionale që ndodh në prag zgjedhjesh kërkon një monitorim më të rreptë të punës dhe sipas drejtores Koçiu, e gjithë administrata publike është nën monitorim.
Ndërsa drejtuesve të nivelit të lartë nuk u lejohet anëtarësimi në parti politike.
Albana Koçiu: Do ta monitorojmë të gjithë punën në administratën publike dhe çdo kërkesë apo pretendim që do të na vijë nga qytetarë apo institucione të caktuara në lidhje me shkeljet që mund të bëjnë nëpunësit civilë. Ata kanë të drejtën që të jenë pjesë e partive politike dhe të jenë anëtarë të partive politike por u ndalohet shprehja e bindjeve apo preferencave partiake në publik. Kanë të drejtë të marrin pjesë në organizime politike jashtë orarit të punës dhe sigurisht për një kategori nëpunësish që është kategoria e trupës së nivelit të lartë drejtues, nuk lejohet anëtarësimi në parti politike.
Departamenti i Administratës Publike menaxhon 10 mijë pozicione pune të shërbimit civil.
6 mijë pozicione të tjera janë të institucioneve të pavarura dhe qeverisjes vendore, të cilat i administrojnë ata vetë.
Në të gjithë administratën publike shqiptare janë rreth 16 mijë pozicione pune pjesë e shërbimit civil, ndërsa pjesa tjetër menaxhohet nga Kodi i Punës.
/Oranews.tv/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.