DASH nis fazën e dytë të asistencës me AKBN, në fokus kontratat me ndarje prodhimi

15/04/2019 11:00 AM 0 komente

Në kohën kur po diskutohet një projektligj i ri që synon të ndryshojë përfitimin që merr shteti nga koncesionet e naftës, Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës po asistohet nga Departameti Amerikan i Shtetit me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shqipëri për të rritur ekspertizën e këtij institucioni. Vetë AKBN bëri me dije se tashmë ka nisur faza e dytë e trajnimit të specialistëve dhe që kishte në fokus disa çështje të rëndësishme.

Referuar AKBN trajnimi u fokusua tek kontratat me ndarje prodhimi. “Qëllimi i trajnimit është rritja e kapaciteteve teknike në lidhje me kontratat me ndarje prodhimi dhe llojet e tjera të marrëveshjeve në sektorin hidrokarbur. Më tej në trajnim u vijua me hollësitë për analizimin e termave fiskal, ekonomik dhe auditues, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, procesin e tenderimit në kontratat me ndarje prodhimi, zbatimin e këtyre kontratave dhe marrëveshjet shtesë, si dhe strategjinë e negociimit të tyre” vlerëson AKBN.

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, z. Adrian Bylyku, vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë trajnim “si një mundësi e jashtëzakonshme që u jepet specialistëve të AKBN për të patur më shumë njohuri në sektorin hidrokarbur.” Kreu i AKBN falenderoi posaçërisht përfaqësuesin e Zyrës së Programeve të Energjisë të Departamentit Amerikan të Shtetit, për kontributin e drejtëpërdrejtë dhe ekspertizën e ofruar në zbatimin konkret të projektit.

Programi i asistencës teknike financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja e Burimeve të Energjisë (ENR) dhe do të mbështesë AKBN-në nëpërmjet tre aktiviteteve kryesore: (i) organizimin e raundeve të licensimit për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit; (ii) Mbikqyrjen teknike të sektorit hidrokarbur; dhe (iii) trajnimet teknike.

Zbatimi i këtij projekti pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore do të zgjasë për një periudhë 18-mujore.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of