Unë nuk besoj te fati. Unë e vlerësoj fatin e mirë, por nuk është i besueshëm mjaftueshëm sa ta konsiderosh një mik. Fati nuk ka vend në biznes, pasi është një forcë e paparashikueshme. Edhe nëse kryqëzoni gishtat dhe shpresoni për më të mirën, kjo gjë nuk do ta përfundojë punën tuaj.
Pra, çfarë është e parashikueshme? Të punuarit shumë, këmbëngulja dhe një karakteristikë tjetër që mund t’ju befasojë.
Ajo është dashuria. Dhe, kohët e fundit, është bërë e qartë tek unë se dashuria është parashikuesi më i madh i suksesit në biznes.
Unë besoj fort se dashuria është e rëndësishme në krijimin e një biznesi të suksesshëm. Kam kuptuar se kur fokusoheni në krijimin e një produkti, të cilin njerëzit e duan dhe të një kompanie ku punonjësit japin më të mirën e vetes, suksesi vjen. Kjo qasje krijon një cikël të qëndrueshëm të rritjes, besnikërisë, ruajtjes dhe përfitueshmërisë.
Ndoshta ju po mendoni se dashuria nuk ka asnjë vend në punën tuaj. Në varësi të kulturës së kompanisë suaj, mund të duket madje se është e pamundur që dashuria mund të rritet. Por duhet të merrni në konsideratë këtë – dashuria është në qendër të të gjithë ndërveprimeve njerëzore. Biznesi është thjesht një seri e ndërveprimeve njerëzore. Në këtë pikë ju do të bini dakord se dashuria është në qendër të punës që ne bëjmë.
Le të kthehemi tek ideja e suksesit të parashikueshëm. Ju nuk bëheni të suksesshëm rastësisht ose se keni fat. Ju shkoni drejt suksesit me prodhimin e një produkti të cilin klientët e duan dhe duke ndërtuar një biznes për të cilin punonjësit janë të lumtur që punojnë për të.
Kur ju përqendroheni në krijimin e një vlere të qëndrueshme – mund të ndërtoni diçka që mund të zgjasë në kohë, për të cilën do të ishit krenar. Ju duhet të keni vizion dhe të arrini aty me integritet dhe me shumë mund.
Dhe ja si funksionon dhe pse funksionon:
Dashuria për klientët tuaj
Si funksionon: Ju krijoni një produkt që klientët e duan, një produkt që zgjidh problemet e tyre dhe e bën jetën e tyre më të mirë. Ju vazhdoni t’u tregoni klientëve tuaj dashuri, duke përmirësuar produktin – duke i dëgjuar dhe duke iu përgjigjur nevojave të tyre. Dhe nëse lindin probleme, përgjigjuni me përgjegjësi dhe efektivitet.
Pse funksionon kjo gjë? Sepse ju fokusoheni në zgjidhjen e nevojave reale, produkti juaj ndihmon klientët të arrijnë diçka të rëndësishme. Ndërveprimet e vazhdueshme me kompaninë tuaj do t’u japin klientëve sigurinë që ju do të vazhdoni t’i bëni ata të lumtur në të ardhmen. Në këtë mënyrë, ata do t’ju duan dhe do t’ju besojmë, madje do t’ua rekomandojnë produktin tuaj edhe të tjerëve. Kjo krijon një marrëdhënie reciproke të dobishme dhe të qëndrueshme.
Dashuria për punonjësit tuaj
Si funksionon: Ju themeloni një kompani ku punonjësit pëlqejnë të punojnë. Ju e bëni këtë duke pasur një vizion të qartë dhe duke u treguar punonjësve tuaj se ata janë të rëndësishëm në realizimin e këtij vizioni. Kjo do të thotë t’u jepni secilit prej tyre një sens qëllimi, duke ua bërë të qartë se si ata po kontribuojnë në “fotografinë e madhe”. Ju duhet t’i nxisni dhe t’i mbështesni ata ndërsa përpiqen të arrijnë qëllimet e reja (gjithnjë e më sfiduese). Si një drejtues ju duhet të ushqeni ciklin e dashurisë duke vepruar me transparencë, mirësi dhe mirënjohje.
Pse funksionon kjo gjë: Ky cikël krijon një rritje të qëndrueshme dhe lumturi. Punonjësit mendojnë se puna e tyre është sfiduese, ata rriten dhe në të njëjtën kohë ndihen të vlerësuar dhe të respektuar. Po, vërtet, jo çdo ditë do të jetë e përkryer dhe problemet do të dalin pashmangshmërisht. Por kur punonjësit janë të prirë të mësojnë dhe të përballen me sfida të reja, ata do të japin më të mirën.
Pa dashuri, suksesi, do t’ju shpëtojë gjithnjë nga duart, pavarësisht se sa shumë mund të punoni ose se sa shumë para keni në bankë.
Unë mund të parashikoj edhe diçka tjetër. Nëse keni arritur deri në këtë pikë të leximit – ju doni të krijoni një produkt të suksesshëm dhe një kompani për të cilën njerëzit të kujdesen me të vërtetë – diçka të rëndësishme dhe të qëndrueshme.
*Brian de Haaff, CEO i Aha!
Burimi: LinkedIn