Flet Marçela Lati, administratore e Geraldina Sposa
Nëse deri në vitet ’90, një dasmë klasifikohej si e mirë dhe jo e mirë vetëm nga sasia e mishit nëpër tavolina, sot tendenca ka ndryshuar, thotë Marçela Lati, administratore e Geraldina Sposa.
Tashmë tregu është edukuar në mënyrë sistematike deri këtu ku ka arritur sot: dasma që duken si skena të shkëputura nga filmat hollivudiane.
Si ka qenë ecuria e biznesit të dasmave?
Në rastin tonë, ne mund të quhemi një biznes i konsoliduar prej 22 vitesh që operojmë në treg dhe si të tillë jemi thuajse të pandjeshëm nga luhatjet që mund të ketë tregu i dasmave, ku në rastin tonë mund të them që kemi rritje, të vogla, por gjithmonë rritje.
Sa është kosto mesatare e një dasme?
Varet nga shumë faktorë kostoja mesatare e një dasme, një nga të cilët është numri i të ftuarve, si dhe menyja e restorantit ku zhvillohet dasma, që është dhe pesha kryesore e shpenzimit. Ndonëse nga ajo që mbetet e dokumentuar pas një dasme kujtohet fustani i nuses dhe dekori i sallës, pjesa më e madhe e shpenzimit është pikërisht ushqimi i të ftuarve.
Për shembull, për ta ulur këtë kosto, nëse për person do të vije në dispozicion një meny banketi nën mesataren, në vend të një bande live do të kishe DJ dhe 3 fustanet e nusërisë t’i reduktoje në një të vetëm, të shmangie të bëje një klip në një ditë të veçantë dhe të ndryshme nga dita e dasmës dhe të ftuarit e tu nuk do të ishin më shumë se 100 persona, atëherë shpenzimi i një dasme nuk do t’i kalonte 600.000 lekë të reja dhe do të ishte gjithsesi një dasmë dinjitoze. Nëse pastaj dëshiron një dasmë show dhe me fjongo, kufiri do të ishte qielli.
Cfarë shërbimesh (apo paketash) përfshijnë agjencitë e organizimit të dasmave?
Shërbimet te Geraldina ndahen në shërbime të brendshme dhe shërbime të jashtme. Në shërbimet e brendshme do të gjeni:
*Dekorin dhe organizimin e një dasme apo eventi, gjithashtu dhe shërbimin e wedding planner.
*Fustanin e nusërisë dhe aksesorët
*Kostumin e dhëndrit
*Fustane shoqëruesesh
*Fustane mbrëmjeje për të ftuarit
Në shërbimet jashtë Geraldinës do të listonim çdo shërbim apo element të nevojshëm për organizimin e një dasme perfekte. Që nga ideimi dhe rekomandimi për strukturën ku do të zhvillohet dasma apo eventi, muzikën që do të luhet gjatë festës, ndriçimi profesional, fotografët, kameramanët, make-up artist dhe shumë detaje të tjera.
Në rastin e Geraldinës, ne funksionojmë si agjenci, por nuk u kërkojmë klientëve të paguajnë përqindje mbi shërbimet jashtë Geraldinës. Më konkretisht, ne bëjmë lidhjen midis klientit dhe profesionistit të shërbimit për të cilin klienti ka nevojë.
Cilat janë tendencat më të fundit në organizimin e dasmave?
Tendencat janë ato për të cilat ne kemi investuar që në fillim të viteve ’90, kur në dasmat që në Tiranën e asaj kohe klasifikoheshin si të mira dhe jo të mira vetëm nga sasia e mishit nëpër tavolina, ne nisemi të shfaqnim dekoret e para dhe kemi vazhduar ta edukojmë tregun në mënyrë sistematike deri këtu ku ka arritur sot: dasma që duken si skena të shkëputura nga filmat hollivudiane.
A janë bërë dasmat më të kushtueshme apo janë rritur pretendimet e njerëzve?
Dasmat kanë qenë në çdo kohë të kushtueshme. Një fustan nusërie kushtonte shumë edhe kur merrej me qira në shtëpitë e atyre që e kishin sjellë nga jashtë në kohën e komunizmit.
Mund t’ju them me bindje që kostot e një dasme rriten për shkak të pretendimeve të njerëzve, dëshirës së tyre për t’i lejuar vetes ekstravaganca (në kosto), me justifikimin që kjo gjë ndodh një herë në jetë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.