Debati për pagën minimale: Ku është Kosova krahas shteteve të rajonit

22/04/2019 2:18 PM 0 komente

Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. Debatet për rritjen e pagës minimale kanë nisur nëpër të gjithë institucionet shtetërore. Gjatë javës së kaluar  një seance të Kuvendit,  është diskutuar edhe rreth pagës minimale në Kosovë. Partia Socialdemokrate ka kërkuar që urgjentisht të rritet paga minimale. Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk duhet të ketë pagë më të ulët se 239 euro për të punësuarit nën 35 vjeç.

 

Paga minimale në Kosovë vazhdon të jetë më e ulëta në rajon, madje ajo është edhe diskriminuese.

Kërkesat dhe debatet për tu rritur paga minimale janë duke u bërë thuajse në çdo institucion të Kosovës.  Javën e kaluar edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar për pagën minimale, por nuk është marr asnjë vendim.

Paga minimale aktualisht në Kosovë  është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç, ndërsa 170 euro për ata që janë më shumë se 35 vjeç.

E sipas të dhënave  të zyrës së Statistikave të Bashkimit Evropian (Eurostat), për të cilën mungojnë të dhënat për Kosovën  jo larg këtij niveli të pagës qëndron edhe Mali i Zi, ku një punëtor nuk duhet të paguhet më pak se 193 euro, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 203 euro, si dhe Bosnja e Hercegovina me 208 euro. Në Shqipëri ky nivel i pagës është 211 euro, ndërsa në Serbi është 231 euro.

Pagën më të lartë minimale për vendet e Ballkanit e ka Sllovenia prej 625 euro, pasuar nga Greqia me 546 euro, Kroacia me 406 euro, si dhe Bullgaria me 222 euro.

Pse duhet të rritet paga minimale në Kosovë

Gjatë një seance të Kuvendit, të mbajtur javën e kaluar është diskutuar edhe rreth pagës minimale në Kosovë. Partia Socialdemokrate në seancë ka kërkuar që urgjentisht të rritet paga minimale.

Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, para deputetëve ka paraqitur edhe arsyet e rritjes së kësaj page.

“Ne duhet të kalojmë te paga që të mbesim gjallë, në pagën që duhet paguar. Punëtorët duhet të janë të integruar në çdo pjesë të shoqërisë. PSD urgjentisht kërkon që të ngrihet në pagë për të jetuar. Qëllimi i kësaj page duhet të jetë luftimi i varfërisë dhe reduktimi i varfërisë në të ardhura. Në aspekti ekonomik rritja e pagës duhet të rritet proporcionalisht me këtë pagë”, ka thënë Ymeri.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk duhet të ketë pagë më të ulët se 239 euro për të punësuarit nën 35 vjeç.

“Këshilli Ekonomik e Social duhet të emërohet dhe funksionalizohet dhe propozim për pagën aktualisht minimale. KES-i nëse konstituohet dhe duhet t’i propozojë. Qeverisë për pagën minimale. Koeficienti 1 është 239 euro kish qenë e respektueshme si pagë. Pra 239 euro e kemi menduar që të jetë paga për kategorinë të punësuarve nën 35 vjeç”, ishte shprehur Haradinaj.

Kurse, ministri i Financave, Bedri Hamza, në deklarimin e tij në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës  ka thënë se nuk janë kundër  rritjes së paga minimale, por nëse kjo ndodhë, sipas tij,  duhet të krijohen kushtet ligjore.

“Ministria e Financave, nuk është kundër ngritjes së pagës minimale. Ministria e Punës dhe Mirëqenës sociale duhet të merret me këtë. Kjo nuk është çështje vullneti, është çështje ligjore. Pa u krijuar kushtet ligjore, nuk mund të bëhet asgjë. Ministria e Financave insiston me forcë që të zbatohet ligji”, tha Hamza.

Hamza ka treguar se ndryshimi i ligjit për pagën minimale në sektorin privat,  duhet të bëhet sipas ligjit.

Debati për pagën veç në kohë fushate

Bashkimi i Sindikatave të Kosovës ka propozuar  që paga minimale në vend të bëhet nga 170 në 250 euro.

Këtë kërkesë, kjo sindikatë e kishte bazuar në rritjen e çmimit të shportës familjare, e cila nuk mund të mbulohet assesi me pagë minimale prej 170 eurove.

Kryetari i BSPK-së, Avni Hajdini,  ka thënë se me vendosjen e pagës minimale është bërë një diskriminim pasi që ajo është ndarë në bazë të moshës, dhe se që nga viti 2011 nuk është bërë asnjë hap pozitiv në këtë drejtim ndonëse gjendja e punëtorit në sektori privat është shumë e rëndë.

“Në vitin 2017 si Këshilli Social Ekonomik ka marrë vendim unanim që paga minimale të rritet në 250 euro, por që një vendim i tillë ende nuk ka hyrë në fuqi, dhe fajtor për këtë është Qeveria e Kosovës”.

Ai u shpreh se subjektet politike po mendojnë për punëtorët vetëm në kohën e zgjedhjeve, ndërsa pas këtij procesi ata po harrohen. Kryetari i BSPK-së theksoi se me punëtorët nuk do të lejojë më marrëveshje në fushatat elektorale.

“Nuk ka lëvizje deri më tani edhe pse ne kemi kërkuar biseda me kryeministrin, dhe jemi takuar këtë çështje e kemi shtjelluar dhe për fat të keq ende nuk ka një rezultat pozitiv. Për fat të keq, ne si BSPK, si sindikata jemi të shqetësuar për punëtorët tanë, sepse punëtorët tanë merren për bazë vetëm para zgjedhjeve të partive politike, kurse pas zgjedhjeve askush s’e qan kokën për punëtorët dhe standardin e tyre”.

Oda Afariste të Kosovës, ka analizuar pse paga minimale në Kosovë është më e ulëta në rajon dhe kur pritet të ndodhë rritja e saj.

Skënder Krasniqi, drejtor i OAK-së,ka thënë se në Kosovë prioritet duhet të jenë të papunët, pasi që janë shtresa më e rrezikuar.

“Shteti duhet të mendojë për rritjen e punësimit. Shkalla më e rrezikuar në Kosovë janë të papunët”, ka thënë ai.

Kurse për ata që punojnë, Krasniqi ka thënë se atyre duhet t’u bëhet sigurimi shëndetësor dhe sigurimi në punë.

“Buxhet gjithnjë po ka për ti ngritur pagat e zyrtarëve të lartë publik, por çuditërisht ai po mungon sa herë që kërkohet rritja e pagave minimale”.

Paga minimale në vend nuk është ndryshuar që nga vitit 2011 edhe pse kishte pasur propozime që ajo të bëhet 250 euro. /Fatos Shala -Monitor.al/.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of