Ndërhyrjet e qeverisë duhet të mbështesin funksionimin e tregjeve, me qëllim që ato të forcojnë rritjen e shëndoshë ekonomike, duke ju dhuruar nxitës për të bërë plane biznesi, më saktë: për të punuar, për të kursyer, për të akumuluar kapital fizik dhe njerëzor, si dhe për të ushtruar talentin e tyre si sipërmarrës
Deri tani, askush nuk ka mundur të provojë se zyrtarët e qeverisë kanë njohuri të përkryera dhe atë mençuri të mjaftueshme për të drejtuar çështjet ekonomike të mijëra e mijëra njerëzve. Prandaj, në atë shkallë që politikat e qeverisë e ngrijnë, ose e frenojnë procesin e tregut, në fakt, ato bllokojnë procesin krijues të zbulimeve në treg që e zotërojnë vetëm sipërmarrësit.
Në vetvete, procesi i njohjes, shfrytëzimit dhe funksionimit të tregut, ka shqisën e të qenët “sy dhe veshë” në lidhje me ato mundësi që nuk janë në gjendje t’i shikojnë zyrtarët e qeverisë (nga zyra) dhe që, në parim, zyrtarët e qeverisë nuk mund ta bëjnë.
Gjithnjë, shpirti sipërmarrës dhe potenciali i tij për të zbuluar tregje të reja, pret që politikat e qeverisë t’u japin liri, me qëllim që mendjemprehtësia e sipërmarrësit të gjejë një mjedis të lirë, të çliruar nga privilegjet e veçanta, ose nga bllokimet për të hyrë në tregje.
Teoria ekonomike (të paktën deri tani) ka shpjeguar se rritja ekonomike udhëhiqet nga (i) sjellja individuale e familjarëve dhe e bizneseve, nga (ii) prirja e natyrshme për kursim dhe investim, nga (iii) akumulimi i kapitalit si dhe, nga (iv) progresi teknologjik.
Në këtë mënyrë, politikave publike (politikave të qeverisë) u jepet vetëm një rol indirekt, por (e theksoj me forcë) mjaft i rëndësishëm.
Me arsyetim të shëndoshë, ndërhyrjet e qeverisë duhet të mbështesin funksionimin e tregjeve, me qëllim që ato të forcojnë rritjen e shëndoshë ekonomike, duke ju dhuruar nxitës për të bërë plane biznesi, më saktë: për të punuar, për të kursyer, për të akumuluar kapital fizik dhe njerëzor, si dhe për të ushtruar talentin e tyre si sipërmarrës.
E thënë troç: çdo njeri nuk punon dhe nuk investon për të paguar tatime, por për të fituar para dhe, natyrisht, për të blerë dhe për të konsumuar mallra dhe shërbime më të mira, pasi ata t’i kenë paguar tatimet.
Pra, njerëzit nuk interesohen për tatimet, por për paratë që u mbeten atyre pasi i kanë paguar tatimet dhe vetëm kështu, një ekonomi me rritje të shpejtë, do të ketë papunësi më të vogël dhe të ardhura më të mëdha, si dhe programe më të mirë të ndihmës ekonomike.
Përvoja e vendeve të zhvilluara dhe e disa vendeve në zhvillim, ka treguar se shkenca ekonomike moderne nuk është teori e mënyrës së të tatuarit, por teori e përgjithshme që beson vetëm te veprimtaria e rritur ekonomike, e cila mund të krijojë (ndër të tjera) edhe të ardhura më të mëdha për qeverinë.
Askush nuk mund dhe (në mënyrë të natyrshme pa dyshuar) të mos bëjë supozime se zyrtarët e qeverisë na qenkan ata që mund të përmirësojnë mirëqenien e popullsisë: në të vërtetë, shkenca ekonomike moderne ka argumentuar fare qartë se ndërhyrje të tilla të tepruara të përgatitura nga zyrtarë të qeverisë kanë qenë të dëmshme për sa i përket përmirësimit të ekonomisë.
Përqindjet e ulëta tatimore nuk mund të nënkuptojnë më pak të ardhura tatimore, për arsye se bizneset paguajnë më shumë kur u zvogëlohen nxitësit që u japin atyre shtysë për t’i fshehur të ardhurat (dhe, natyrisht, për të paguar më shumë tatime).
“Historia” e krahasuar e këtyre viteve të fundit tregoi qartë se ishin përqindjet e ulëta tatimore dhe jo përqindjet e larta tatimore ajo pjesë përbërëse e reformave të krahasuara, që maksimizoi lirinë dhe lulëzimin e veprimtarisë ekonomike/biznesit/ekonomisë.
Për shembull, tatimi i sheshtë, si rast, vërtetoi me fakte (të mos përmendim këtu rastin e paparë të Hong–Kongut si një histori e papërsëritshme suksesi) se është një nga mënyrat më të mira për të qenë të siguruar se të gjitha të ardhurat duhet të tatohen në një përqindje të vetme, të ulët.
Arsyeja është më se e qartë dhe e kuptueshme: zvogëlimi i të ardhurave për njësi rezulton në të ardhura të përgjithshme të rritura, me kusht që numri total i transaksioneve (shitjeve dhe blerjeve) me përqindje të zvogëluar të tatimit, të rritet në mënyrë të mjaftueshme, me qëllim që të rezultojë në të ardhura të përgjithshme më të mëdha.
Për ata që i njohin mirë sistemet tatimore, kjo nënkupton se rritjet e shitjeve sjellin rritjen e TVSH–së, sjellin rritjen e akcizës dhe për rrjedhojë do të ketë rritje të tatimit mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale, etj.
Por, kur një kusht si ky nuk plotësohet, atëherë, si rezultat, vërehet rënia e të ardhurave të përgjithshme tatimore që janë mbledhur për një periudhë të caktuar vitesh.
Në këtë kontekst, zgjedhësit dhe investitorët, janë njerëzit më të interesuar dhe që kanë rëndësi në lidhje me (hartimin dhe miratimin e) politikën tatimore; dhe ajo për të cilën ata kanë nevojë është një debat i qartë ku të prezantohen të gjitha pikëpamjet e ndryshme që bazohen në të maturit konkret (ndoshta jo shumë të saktë) të performancës së sektorit publik.
Me pak fjalë, matja e performancës së sektorit publik (ose e përmbushjes në praktikë të politikave ekonomike të qeverisë, veçanërisht, politikave tatimore) bëhet me anë të matjeve të arritjeve më të mira, që janë rezultat i ndërhyrjeve të reformës (përfshi këtu në mënyrë të veçantë reformën e administratës tatimore).
Natyrisht, një gjë e tillë kërkon një dëshmi shumë të saktë që të vërtetojë se si kanë qenë këto rezultate në praktikë.
Por, reforma në administratën tatimore varet në një kontekst shumë të gjerë dhe, natyrisht, rëndësi të veçantë kanë faktorët e ekonomisë politike; në të cilin rast, më saktë, mund të thuhet se politika tatimore plus administrimin tatimor është e barabartë me politikën e vërtetë tatimore.
Gjithashtu, kërkohet të zhvillohen treguesit e performancës, me qëllim që të bëhen përpjekje për të matur atë shkallë me të cilën mendohet se do të jenë eficiente (bërë më mirë), të barasvlershme, të administruara në mënyrë efektive (të bëra mirë) strukturat tatimore, për të çuar përpara kontratën shoqërore ndërmjet qytetarëve dhe qeverisë (qytetari paguan – qeveria i shërben).
Ja përse në debatin e politikave tatimore, më së pari, duhet bërë vlerësimi për tatimpaguesit, gjë që shihet si një mjet efektiv dhe nxitës për të rritur nivelin e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor.
Por, nuk duhet harruar se boshllëku tatimor (ose diferenca ndërmjet tatimeve që duhen paguar si rezultat i përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor dhe tatimeve që paguhen në fakt), si një problem serioz shumëdimensional, mund të zvogëlohet por nuk mund të eliminohet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.