Deficiti buxhetor në fund të 8 mujorit arriti në 53 miliardë lekë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, duke qenë më shumë sesa dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar (rritje 129%), duke iu afruar kufirit të rishikuar të buxhetit vjetor (të rishikuar me të ardhurat e privatizimeve), që parashikohet në 61 miliardë lekë, ndërkohë që parashikimi fillestar kishte qenë 49 miliardë lekë.
Arsyeja kryesore e rritjes së lartë të deficitit është performanca e dobët e të ardhurave tatimore nga njëri kah dhe rritja e lartë e shpenzimeve nga kahu tjetër. Të ardhurat tatimore për tetëmujorin 2013 ishin 8.3 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndërkohë që shpenzimet u rritën me 22 miliardë lekë, apo 9.2%, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave.
Zërat kryesor që ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve kanë ato të shpenzimeve korente dhe atyre kapitale.
Shpenzimet korente arritën në 217 miliardë lekë në fund të gushtit, me një rritje prej 12.4 miliardë lekë, apo 6%, ku ndikimin kryesor e ka dhënë rritja e shpenzimeve për sigurimet, ndihmën ekonomike dhe pagesat që janë bërë për buxhetin vendor.
Shpenzimet kapitale u rritën me 11.9 miliardë lekë, apo 33%, duke arritur në 47 miliardë lekë.
Realizimi vjetor i financimit të deficitit është 89%, sipas të dhënave nga financat, ndërkohë që financimi i deficitit nga borxhi i brendshëm është ezauruar, duke arritur në 106%. Ka ende hapësira për financimin me borxh të huaja që është ezauruar 55%.
Në kushtet kur të ardhurat në buxhet deri tani janë 16 miliardë lekë më pak se plani dhe të ardhurat janë vetëm 9 miliardë lekë më pak nga plani, çka ka sjellë rritjen e borxhit tej parashikimeve, qeveria e re e ka të pashmangshme rishikimin e buxhetit 2013, që pritet të jetë një nga veprimet e para të ministrit të ri të financave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.