Në një kohë që të ardhurat në buxhet ishin në vlerë absolute rreth 4.7 miliardë lekë më pak për 6 mujorin e parë 2013, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shpenzimet janë rritur ndjeshëm.
Sipas të dhënave nga financat, shpenzimet për të njëjtën periudhë, në vlerë absolute ishin 22.3 miliardë lekë (apo 12.3%) më shumë se 6 mujori i parë i vitit të kaluar, duke bërë që deficiti buxhetor të kërcejë ndjeshëm. Ky i fundit ishte 27 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, apo 18 miliardë lekë më shumë se plani i 6 mujorit të parë 2013 dhe duke ezauruar pothuajse gjithë planin e vitit.
Shtimi i shpenzimeve kapitale në fund të zgjedhjes ishte faktori kryesor që ndikoi në 55% të rritjes së shpenzimeve në raport me një vit më parë dhe gati 90% të rritjes në raport me planin. Në vlerë absolute, shpenzimet kapitale ishin 12.3 miliardë lekë më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, apo 8.3 miliardë lekë më shumë se plani.
Dy zëra të tjerë, ku shpenzimet kanë qenë më të larta se ato të planifikuara, kanë qenë shpenzimet për ndihmë ekonomike dhe buxhetin vendor, përkatësisht me 2.5 dhe 1.3 miliardë lekë.
Kjo ecuri e buxhetit, me rënie të të ardhurave dhe rritje të ndjeshme të shpenzimeve, çka ka çuar në një shtim të ndjeshëm të deficitit e vështirëson së tepërmi menaxhimin e buxhetit në pjesën e dytë të vitit. Edhe me shpenzime drastike, deficitit buxhetor duket i vështirë të ulët, duke bërë që borxhi publik, që tashmë e kaluar nivelin e 63% të prodhimit të brendshëm bruto të vazhdojë rritjen e pandalshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.