Bilanci tregtar vazhdon të jetë negativ dhe vendi varet nga importi i produkteve të huaja. Për katër muaj janë importuar mallra në vlerë prej 573 milionë euro, mbi 30 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërsa, eksportet vazhdojnë të jenë të vogla në krahasim me importet, ngase për periudhën e njëjtë janë eksportuar mallra në vlerë prej 54,2 milionë euro. “Deri më 13 prill 2014 kemi importuar mallra me vlere prej 573 milionë euro, kurse për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur import prej 543 milionë euro”, ka thënë zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci. Sipas tij, eksporti në periudhën e njëjtë të vitit 2013 ka qenë 49 milionë euro, ndërsa në periudhën janar-prill 2014 është 54,2 milionë euro. “Kryesisht dominojnë vendet e CEFTA-s, si Maqedonia, Serbia, Shqipëria dhe vendet evropiane, Gjermania, Italia, Greqia, Sllovenia si dhe normalisht Kina e Turqia”, ka thënë Stavileci. Në anën tjetër, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit thonë se importet vazhdojnë të kenë rritje në Kosovë si rezultat i konsumit të produkteve të huaja më shumë se atyre vendore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.