Banka e Shqipërisë në deklaratën e detajuar te stabilitetit financiar, qe pritet te publikohet e plotë neser, për 6 mujorin e parë të vitit ka konkluduar se gjendja dhe ecuria e sistemit bankar dhe sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme. Sipas deklaratës se detajuar, qe Monitor e ka siguruar, vëllimi i aktivitetit të saj është zgjeruar dhe performanca financiare është përmirësuar.
Duke u ndalur në treguesit kryesor raporti vë theksin te cilësia e portofolit të kredisë që mbetet me shqetësuese ndonëse vlerat e raportit të kredive me probleme paraqiten të stabilizuara në vitin e fundit dhe kredia me probleme është tkurrur gjatë kësaj periudhe. Gjithësesi banka e Shqipërisë vëren se mbulimi me provigjone dhe kolateralizimi i kredisë me probleme është përmirësuar.
Analiza e Bankës qendrore konkludon se ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut dhe të likuiditetit mbetet i kufizuar por kërkon ndjekje të kujdesshme.
Në analizën e detajuar Deklarata thekson se në tregjet financiare vihet re një ulje e normave të interesit për shkak të politikës stimuluese të Bankës qendrore dhe për pasojë janë ulur normat e interesit të letrave me vlerë të qeverisë, depozitave dhe në tregun ndërbankar(veprimet mes bankave). Kursi i këmbimit është paraqitur i qëndrueshëm.
Në fund të qershorit 2014 aktivet e sistemit bankar arritën në 1,253 miliardë lekë duke u zgjeruar me 4.1 për qind. Kreditë me probleme shënuan 24.1 për qind ku pjesën kryesore e zënë kreditë me probleme në valutë(27.3 %) me një rritje 0.8 %. Depozitat kanë arritur në 1,038 miliardë lekë me një rritje 3 për qind.
Në nivel sektori vihet re një rezultat financiar pozitiv me një fitim neto prej 5.4 miliardë lekë në krahasim me 1.5 miliardë lekë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.