Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie ka deklaruar se fermerët kosovarë duhet të përgatiten për të eksportuar shpargun jashtë vendit, pasi kjo është një prej perimeve më të shëndetshme që Kosova mund të ketë përparësi në treg.
Mbështetës të programit, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, drejtori i misionit të USAID-it, Jim Hope dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi kishin ardhur për mbështetur promovimin e shpargut.
Ata vizituan fermerët që kishin ardhur për të shitur shpargun, si dhe bashkëbiseduan me ta për të parë se çfarë kanë ardhë të promovojnë më specifikisht. Ministri Krasniqi tregoi se janë bërë rreth 5 vjet prej kur ka filluar kultivimi i shpargut në Kosovë. Sipas tij, është parë një rritje stabile nga viti në vit, gjë që jo vetëm se ka krijuar një treg të sigurt për përfituesit por edhe ka rritur të ardhurat e tyre dukshëm. Ai u shpreh se ndjehet i kënaqur nga partneriteti efikas që kanë pas me USAID-it, duke thënë se po shihen edhe frutet e këtij bashkëpunimi e që një ndër to është edhe shpargu.
Ndërkaq, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, vetëm në tregun vendor presin që të shesin më shumë se 25 tonë të shpargut, ndërkaq, fitimi i kultivuesve do të jetë rreth 80 mijë euro. Delawie tha se kultivimi i shpargut në Kosovë përbënë një përparësi shumë të madhe për fermerët nga Kosova, pasi e mira e kësaj është në mundësinë për ta mbjellë dy javë më heret se në vendet e tjera të Evropës. Kjo siç tha ai i hap dyert që Kosova shumë shpejtë të fillojë me eksportin e kësaj kulture.
Ai ndër të tjera tha se suksesi i sotëm është ndërtuar mbi suksesin e mëhershëm dhe se vitin e ardhëm presin që të kenë 50 hektar më shumë të mbjella me këtë kulturë, mënyrë kjo që do të sjellë të ardhura për 50-të familje.
Fermerët vendor ishin treguar mjaft të zellshëm duke sjellur me vete edhe produkte të ndryshme ushqimore të cilat i kishin përgatitur me asparagus. Armendi, një fermer i cili kishte ardhë për të promovuar shpargut, tha se ky produkt po zgjerohet çdo vit e më shumë me rritje prej 30 përqind. Ai tregoi se sezona e shpargut është fillimi i qershorit. Ai gjithashtu tregoi se ka kërkesa edhe për eksportin e shpargullit jashtë Kosovës por që njëherë me këtë sasi që vjelet në Kosovë nuk mund të mbulohen ato.
Ndryshe, Programi i Zhvillimit Bujqësor dhe Mundësitë Rurale është një program pesë vjeçar i financuar nga USAID për të zhvilluar një sektor më konkurrues bujqësor në Kosovë, përmes ndihmës teknike dhe granteve për fermerët, ndërmarrjet dhe organizatat e tjera në zinxhirët e vlerave të synuara./KosovaPress/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.