“Deloitte” dhe “Crown Agent” janë dy kompanitë që janë përzgjedhur paraprakisht për të asistuar qeverinë në auditimin e detyrimeve që shteti u ka kompanive, si dhe për shërbimin e asistencës në fushën e doganave dhe tatimeve. Lajmi u bë i ditur nga financat, të cilat pritet të përzgjedhin brenda pak ditësh me prokurim të drejtpërdrejtë, një nga këto dy kompani, ose dhe të dyja, me detyra të veçanta.
Kryeministri Edi Rama theksoi që pas ardhjes në pushtet se do të kontraktohet një kompani e huaj audituese për të përcaktuar gjendjen reale të financave shqiptare.
Pak ditë më parë, Ministria e Financave dhe FMN deklaruan se borxhi që shteti u ka bizneseve arrin në 56 miliardë lekë, sipas vlerësimeve paraprake, ndërkohë që pritet që borxhi të kalojë mbi 70% të PBB-së deri në fund të vitit, ndërkohë që është e detyrueshme rritja e kufirit të borxhit edhe me 24 miliardë lekë, si rrjedhojë e performancës së dobët të të ardhurave buxhetore në tetë muajt e parë të vitit dhe shpenzimeve të larta, sidomos para zgjedhjeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.