Një raporti fundit i Bankës Botërore na shokoi pak në fillim, kur na tregoi se ne shqiptarët dukemi ndër më dembelët mes popujve, pasi një individi aftë për punë (15-65 vjeç) në vendin tonë(por edhe në Ballkan) harxhon në dembelizëm të plotë 20-30 vite të jetës së tij.
Por, duke iu rikthyer arkivës së lajmeve, vërejtëm disa të dhëna të tjera, të gjeneruara nga INSTAT dhe të sinkronizuara nga ana jonë me ato të OECD, një vit më parë, na u shpërfaq një tjetër tablo. Shqiptarët janë njerëzit që punojnë me orë të gjata më shumë se qytetarët e çdo vendi tjetër (të dytët në botë pas Meksikës) me mbi 2200 orë pune në vit, tregonin këto të dhëna.
Pra, jemi apo s’jemi punëtorë? Ka një emërues që i vendostë dyja këto pyetje në një përgjigje të vetme. Shqiptarët po stërmundohen në punë, por pagat dhe produktiviteti i ulët janë shkaktarët e këtij paradoksi në dukje.
Sot, paga mesatare e një qytetari shqiptar është nën 300 euro, më e ulëta në Ballkan, ose e krahasuar me fuqinë blerëse, sa 25% e pagës së një austriaku që punon shumë orë më pak. Shqipëria renditet ndër vendet me shkallën më të ulët të produktivitetit, për shkak të cilësisë së ulët të arsimit dhe investimeve të dobëta në teknologji (treguesi i konkurrueshmërisë).
Këto janë dy shkaqet kryesore që prodhojnë, në dukje,paradoksin e shqiptarit dembel që punon shumë??!!
Por, handikapi i vërejtur nuk ka vetëm një përgjigje me shifra. Pasi problemi nuk është më vetëm ekonomik. Pamundësia apo vegjetimi, siç thotë Banka Botërore, për t’u angazhuar në një punë afatgjatë,mesa duket nuk lidhet me dembelizmin, por me refuzimin që shqiptarët i bëjnë ekonomisë së tyre dhe me mungesën e besimit.
Fakti se shumë prej nesh janë larguar në emigracion, tregon se për të njëjtat orë pune dhe të njëjtat dije, ata mund të përfitojnë më shumë nga të mirat e ekonomive të vendeve ku shkojnë. Kjo situatë është sintezë e një ekonomie anemike, që nuk jep punësim e që sa vjen e duket si relike, e cila sot shërben vetëm për të plotësuar nevoja emergjente.
Ajo nuk po i ndihmon më shqiptarët të përparojnë drejt mirëqenies, ndaj ata refuzojnë të punojnë për të. Nëse do të përmendim këtu edhe rezultatet e fundit, që tregojnë se vetëm 3.4% e individëve në Shqipëri zotërojnë mbi 50% të depozitave, i japin më forcë refuzimit.
Ata refuzojnë, nuk e pranojnë që nga rezultatet e punës së tyre të mos përfitojnë ata vetë, por vetëm një pakicë.
Në këtë mënyrë, ne shqiptarët dhe ekonomia i kemi përgatitur vetes një vdekje klinike në pritje të mjekut (qeverisë), që duket se ende nuk ka arritur të lexojë simptomat e të japë kurën e duhur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.