Rreth 183 mijë euro, është vlera e dëmeve totale që ka shkaktuar shpërthimi në Termocentralin ‘Kosovën A’, që ndodhi muaj më parë, ku humbën jetën dy persona.
Këtë e ka bërë të ditur Burim Gërguri, kryetar i Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi dhe drejtor i shërbimeve publike dhe emergjencave në Komunën e Obiliqit.
Gërguri pohoi se nga ky shpërthim janë dy shtëpi të cilat duhet ndërtuar që nga fillimi, pasi që dëmet kanë qenë të mëdha, ndërsa dëmet në shtëpitë tjera, kanë qenë kryesisht dëme me të vogla, qarje e dëmtime.
Por vonesën në vlerësim, ai e arsyeton me vonesën e dokumentacionit, i cili është dorëzuar nga palët e dëmtuara.
Ndërkaq thekson se janë të interesuar që ky proces të përfundoi sa më shpejtë dhe të mos zvarritet, pasi që banorët atje, kanë pësuar shumë nga shpërthimi në fjalë.
Ndërsa, sa i përket kompensimit të familjeve, të cilët kanë humbur anëtarët e tyre, ai tha se përgjegjësia për këtë bie mbi KEK-un dhe Qeverinë, pasi që Komuna e Obiliqit nuk ka fond emergjent për raste te tilla.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.