Transparenca e financave publike, disiplinë fiskale, efikasitet në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike në mënyrë që të përmirësohet ofrimi i shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik. Kjo është ajo që u përcoll nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë një takimi të organizuar nga Banka Botërore në bashkëpunim me MFE, për Sistemin e Integruar të Financave Publike.
” Objektivi kryesor i AFMIS (Albanian Financial Management Information System) është të përmirësojë vendimmarrjen, analizën e politikave dhe raportimin mbi zbatimin e Sistemit të Planifikimit të Integruar Shqiptar. Është një koordinim më i mirë i fondeve të donatorëve për të përfshirë në mënyrë të plotë në buxhetin e shtetit të gjithë nevojat për të koordinuar dhe krijuar sisteme informatike, dhe atë të Sistemit Informatik të Menaxhimit të Ndihmës së Huaj (EAMIS), i cili duhet të menaxhojë në mënyrë më efektive dhe të promovojë përdorimin e përgjegjshëm dhe transparent të burimeve të këtyre ndihmave. Ky sistem i integruar për menaxhimin financiar publik në Shqipëri do të jetë funksional për përdorim nga të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme brenda vitit 2019. Sistemi do të përdoret nga më shumë se 4000 punonjës të njësive të qeverisjes së përgjithshme, për të cilët në dy javët e ardhshme do të fillojë trajnimi i punonjësve.”- u shpreh ministrja.
Më tej, znj. Denaj në përgjigje të kontributit menaxherial të Bankës Botërore dhe atij financiar të vendeve partnere si Zvicra, Suedia dhe Bashkimi Evropian, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është zotuar për një angazhim të plotë për realizimin e këtij procesi.
“Këto janë sisteme që flasin me njëri-tjetrin, lehtësojnë vendimmarrjen, përmirësojnë monitorimin dhe vlerësimin. Është e rëndësishmë të theksoj se ky projekt kërkon një vëmendje shumë të lartë dhe tani, në fazat që po flasim, vëmendja nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e konfirmuar dhe kërkojmë që të punojmë të gjithë, në të gjithë sektorët, për të realizuar në vijim të gjithë hapat deri në finalizim.”- përfundoi ministrja.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.