Ndryshe nga kredia, që shënoi rënie për të tretin muaj radhazi në shkurt të këtij viti, depozitat janë rritur në muajin në fjalë.
Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në system arriti në 974 miliardë lekë në fund të muajit shkurt, duke shënuar një rritje prej 0.2% me bazë mujore. Megjithatë, pas rënies së janarit, kursimet në banka nuk kanë arritur ende në nivelin e fundit të vitit të kaluar (në dhjetor tradicionalisht konstatohet një rritje e depozitave, për shkak të prurjeve të emigrantëve).
Rritja në shkurt ka ardhur në pjesën më të madhe nga shtimi i kursimeve në lekë nga bizneset, të cilat janë zgjeruar me 1.9 miliardë lekë.
Në të kundërt, depozitat me afat të individëve kanë vijuar rënien që po vijon e pandalshme që nga tetori 2013 (shiko grafikun). Në shkurt 2015, totali I depozitave me afat të individëve në lekë (që përbën 74% të totalit të depozitave në monedhën vendase) arriti në 352.5 miliardë lekë. Me bazë vjetore (shkurt 2015/shkurt 2014) kursimet në lekë të individëve në banka kanë rënë me 6%.
E njëjta tendencë u konstatua dhe për valutën, ku depozitat e individëve vijuan rënien, duke u tkurrur me 5.4% me bazë vjetore.
Ulja e ndjeshme e normave të interesit të depozitave në lekë (për 12 mujore, norma mesatare është rreth 1.5%) është arsyeja kryesore e kësaj tendence. Një pjesë e kursimeve, kryesisht nga Banka Raiffeisen, që I ka zbrirut interesat afër zeros, kanë shkuar tek Raiffeisen Invest, ndërsa një pjesë duket se janë future nën jastëkë, ndërsa paraja jashtë bankave ka shënuar një rritje të pazakontë vitin e fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.