Në një kohë kur kriza ekonomike ka krijuar pasiguri në të gjitha tregjet, përfshirë edhe atë të këmbimit valutor, bankat po nxitojnë të hedhin në treg produkte që kërkojnë ta mbrojnë klientin nga efektet negative që mund të vijnë nga luhatje të papritura.
Depozita e këmbyeshme është një depozitë e re që shmang riskun e kursit të këmbimit dhe ndërkohë, krijon mundësinë për të përfituar nga ndryshimet në kursin e këmbimit dhe normat e interesit për monedhat Lek, Euro dhe USD.
Aktualisht këmbimi valutor është duke pësuar luhatje të shpeshta dhe monedhat e huaja po arrijnë kuota të nivele të dy viteve më parë. Në këto kushte, biznesi me këmbimin e valutave, bëhet edhe më fitimprurës, sidomos kur në treg janë regjistruar edhe zhvlerësime të menjëhershme të euros apo dollarit. Monedha europiane ndodhet sot në nivelin më të ulët të dy viteve të fundit kundrejt dollarit, i cili po regjistron, nga ana tjetër, kuota të larta, të cilat vështirë se mund të parashikoheshin një vit më parë. Luhatjet e shpeshta në bursat ndërkombëtare kanë pasuar me dobësime apo rritje të shpeshta të valutave, duke krijuar një mundësi të mirë përfitimi për këdo që investon në këtë drejtim. Shqiptarëve, të cilët “e njohën” këtë biznes jo prej shumë kohësh, u mungon kultura apo intuita për t’i paraprirë luhatjeve të kursit. Por, në këto momente, ku të investosh dhe të fitosh është bërë shumë e vështirë se disa vite më parë, kjo duket si një alternativë joshëse, çka ka nxitur edhe bankat të jenë më aktive në këtë drejtim.
“Depozita e këmbyeshme” është një marrëveshje e lidhur ndërmjet bankës dhe klientit, për një shumë të caktuar për 4, 6 ose 12 muaj. Gjatë afatit të depozitës, klienti ka mundësi të këmbejë depozitën ndërmjet monedhave Lek, Euro dhe USD, pa humbur interesat e përllogaritura deri në datën e këmbimit.
Këmbimi i depozitës në një monedhë tjetër mund të bëhet në çdo moment të kërkuar nga klienti gjatë afatit të depozitës dhe numri i këmbimeve që mund të bëhet gjatë afatit të depozitës është i pakufizuar.
Në datën e maturimit të depozitës, krahas shumës së investuar, klienti merr interesin e përfituar gjatë afatit. Kjo depozitë ofron si mundësinë e mbrojtjes së kursimeve nga ndryshimet e normave të interesit dhe kurseve të këmbimit, ashtu edhe mundësinë e përfitimeve më të larta për ata klientë që besojnë se mund të parashikojnë lëvizjet në kursin e këmbimit.
“NBG Bank” ka prezantuar në tregun shqiptar “Depozitën e Këmbyeshme” dhe drejtuesit e saj konfirmojnë se ka pasur mjaft interes nga klientët.
“Është përdorur nga shumë klientë të ‘NBG Albania’, të cilët kanë identifikuar si përparësi kryesore të produktit mundësinë e numrit të pakufizuar të këmbimeve përgjatë afatit, mundësinë mjaft të mirë për të përfituar nga ndryshimi i kursit të këmbimit mes monedhave Euro, USD dhe Lek dhe normave të interesit të ofruara për këto depozita, si dhe ofrimin e interesave konkurruese për depozitën me afate 4, 6, ose 12 muaj”, thotë Aida Apostoli, drejtuese e Retailit në bankën “NBG Albania”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.